Komuna e Tetovës në “gjah” ndaj borxhlinjve, mbi 6 milionë euro tatime të papaguara

0

Komuna e Tetovës ka nisur një aksion për inkasimin e detyrimeve të prapambetura nga tatimi në pronë dhe taksat e tjera komunale. Shuma e papaguar për dy vitet e fundit e kalon shifrën e 6 milionë eurove, ku sipas komunës, borxhlinjtë më të mëdhenj rezultojnë të jenë vetë qytetarët, por edhe një numër kompanish private. Shefi i Financave në Komunën e Tetovës, Nuredin Dehari, bën me dije se nëse detyrimet e prapambetura nuk shlyhen brenda javës, do të fillohet me procedurat e përmbarimit me qëllim grumbullimin e mjeteve dhe zhbllokimin e llogarisë së komunës.

“Borxhi total i kompanive dhe qytetarëve në komunën e Tetovës është 340 milionë denarë dhe pjesa më e madhe është nga qytetarët që i detyrohen komunës, për tatim në pronë. Pjesa tjetër tek kompanitë, pjesa më e madhe janë taksat e firmës dhe tatimet në pronë që kompanitë nuk kanë paguar detyrimet që kanë ndaj komunës. Si komunë kemi njoftuar qytetarët dhe kemi lëshuar vendime. Kemi bë njoftim edhe për ata që nuk kanë arritur t’i marrin vendimet në adresë të tyre që të paraqiten në komunë, ndërsa nga një tetori do fillojmë me procedurat për ata që nuk i kanë realizuar pagesat për vitet paraprake”, u shpreh Nuredin Dehari – shef i Financave në Komunën e Kërçovës.

Përveç tatimeve komunale, banorët i detyrohen mbi një milion euro edhe Ndërmarrjes Publike Komunale “Sharri” për dy vitet e fundit. Për dallim nga NPK “Tetova”, ndërmarrja “Sharri” nuk ka borxhe po funksionon me stabilitet financiar.

“Ndërmarrja për momentin nuk ka borxhe aktive, dhe siç e dini ndërmarrja është mbi 6 milion denarë plus për gjashtë mujorin e parë, por me pagesën e borxheve do investojmë dukshëm në infrastrukturën nëntokësore, pasi që problemet që i patëm me rrogat i tejkaluam dhe ndërmarrja mban veten me mjetet që mbledh, por lus qytetarët që i kanë borxh Ndërmarrjes të drejtohen në zyra tona t’i shlyejnë borxhet”, theksoi Valon Zeqiri – drejtor i NPK “Sharri”.

Sfidë më vete mbetet Ndërmarrja Publike Komunale “Tetova”, e cila vazhdon të ketë përqindje të ulët të inkasimit, ndonëse ka shënuar ulje të dukshme të borxhit publik. Gjatë vitit 2021, NPK “Tetova” kapte shifrën e rreth 10 milionë eurove borxh, ndërsa sot ky borxh është reduktuar në rreth 2.6 milionë euro. Për të mbështetur funksionimin e kësaj ndërmarrjeje dhe stabilizimin e saj, Komuna e Tetovës ka ndarë bllok-donacione të posaçme për mbulimin e pagave dhe kontributeve të punonjësve.

“Maqedonia në aspektin energjetik, në gjendje jashtëzakonisht të mirë”, Mickoski: Po luftojmë që çmimi i rrymës të mbetet i njëjtë

0

Maqedonia në aspektin energjetik është në gjendje jashtëzakonisht të mirë dhe nuk ka sfidë sa i përket gazit – vlerëson kryeministri Hristijan Mickoski. Dje ai ka biseduar me kompanitë më të mëdha të naftës dhe rikujtoi se shteti nuk është konsumues i madh i gazit.

“Dje bisedova me kompanitë më të mëdha të naftës. Është mirë që kemi plan, është mirë që tubacioni, përkatësisht përçuesi funksionon, punon, mirë është që e lëshuam në përdorim. Atje kemi sasi jo vetëm për ne, por kemi sasi edhe për fqinjët. Kështu që ne në këtë moment, nëse i shikojmë gjërat nga këndvështrimi i sotëm, nuk kemi një sfidë të tillë, por po, në Evropë do të ketë një sfidë serioze dhe pres sfida serioze”, deklaroi Hristijan Mickoski – kryeminsitër i Maqedonisë së Veriut.

Sipas kryeministrit, normalizimi i furnizimit në nivel global mund të pritet vetëm në pranverë. Mickoski është i bindur se çmimi i energjisë elektrike tek ne do të mbetet i njëjtë. Thotë se po shqyrtohen mundësitë që vitin e ardhshëm të zgjatet edhe periudha e tarifës së lirë.

“Tek ne gjendja është stabile, ndryshe nga vendet e tjera, nuk vendosim ndalesë për eksport, nuk kemi vendosur as masa të veçanta, përkundrazi. Kemi një plan dhe strategji të qartë se çfarë duhet të bëjmë dhe rezultatet e kësaj janë se kemi çmimet më të ulëta të energjensëve, këtu para së gjithash mendoj për karburantet, naftën dizel dhe benzinën pa plumb 95 në Evropë, nëse përjashtohen Federata Ruse dhe Bjellorusia. Gjithashtu, një nga çmimet më të ulëta të energjisë elektrike në rajon dhe në Evropë. Po luftojmë që ky çmim të mbetet i njëjtë dhe jam i bindur se do të mbetet i njëjtë”, tha kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.

Kryeministri tha gjithashtu se pret lajme të mira nga DFC-ja amerikane për financimin e “Çebrenit dhe Galishtes” si projekt shtetëror të Maqedonisë. Thotë se, nëse gjithçka shkon siç duhet, mund të pritet që vitin e ardhshëm të vendoset gurthemeli.

Gratë shumicë në sektorin publik, burrat dominojnë pozitat drejtuese! Vetëm 3 gra ministre, asnjë grua kryetare e Kuvendit që nga pavarësia

0

Gratë janë shumicë në sektorin publik, por burrat dominojnë postet drejtuese. 57,5% e të punësuarve në sektorin publik janë gra, por ato nuk kanë qasje të barabartë në vendimmarrje, kështu konstaton raporti i Entit Shtetëror të Revizionit, cili përfshin periudhën nga viti 2020 deri në vitin 2024. Revizioni konstaton mungesë politikash efektive për avancimin e grave në pozita udhëheqëse. Në Kuvend, gratë përbëjnë 39,2% të deputetëve, ndër përqindjet më të larta në rajon.

“Analiza e kryer tregon se kuota e përcaktuar me ligj për gjininë më pak të përfaqësuar ka ndikim në pjesëmarrjen e grave në Kuvend. Në periudhën 2007–2024, pjesëmarrja e grave deputete varion nga 30 deri në 43 përqind, ndërsa në vitin 2024 ishte 39,2 përqind. Me këtë përqindje, vendi ka përfaqësim më të lartë të grave në parlament se 83 përqind e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, ndërsa krahasuar me vendet e rajonit që nuk janë anëtare të BE-së, renditet në vendin e parë”, thonë nga Enti Shtetëror për Revizion.

Që nga pavarësia, asnjë grua nuk ka drejtuar Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Edhe në Qeveri, përfaqësimi i grave mbetet i ulët – vetëm 3 nga 20 ministra janë gra. Në postet e zëvendëskryeministrave, ndërkaq, nuk ka asnjë grua. Raporti thekson se ndryshe nga Kuvendi, në Qeveri nuk ka kuotë ligjore për balancë gjinore.

“Në periudhën nga viti 2014 deri në vitin 2024, pjesëmarrja e grave në Qeveri si ministre varion nga 14 deri në 31 përqind, si zëvendësministre nga 7 deri në 25 përqind, ndërsa si sekretare shtetërore nga 6 deri në 31 përqind. Në përbërjen e Qeverisë 2024–2028, nga 20 ministrat me resor, vetëm tre janë gra, përkatësisht 15 përqind, ndërsa nga pesë zëvendëskryeministrat nuk ka asnjë grua”, theksojnë nga Enti Shtetëror për Revizion.

Raporti i Revizionit tregon se rruga drejt barazisë gjinore në vendimmarrje ende përballet me pengesa institucionale dhe shoqërore. Mungesa e mekanizmave të qartë për emërime, monitorimi i pamjaftueshëm dhe gjuha e urrejtjes ndaj grave vazhdojnë të ndikojnë në përfaqësimin e tyre në pozitat drejtuese. Revizioni kërkon masa konkrete nga institucionet dhe partitë politike për të krijuar kushte të barabarta dhe një mjedis më të sigurt për gratë në jetën publike.

Kina do të përfundojë hartën e re gjeologjike të Marsit deri në fund të vitit 2028

0

Kina planifikon të përfundojë një hartë gjeologjike të gjeneratës së re të Marsit deri në fund të vitit 2028, me synimin për të rindërtuar të kaluarën ujore të planetit të kuq dhe për të prezantuar një sistem kinez për ndarjen e kohës gjeologjike marsiane.

Hou Zengqian, akademik në Akademinë e Shkencave të Kinës dhe shkencëtari kryesor i misionit të kthimit të mostrave Tianwen-3 Mars, bëri me dije planin në një simpozium të mbajtur të hënën në Institutin e Gjeologjisë pranë Akademisë së Shkencave Gjeologjike.

Roveri Zhurong që Kina zbriti në Mars në vitin 2021 si pjesë e misionit Tianwen-1, ka ofruar të dhëna të reja për historinë ujore të planetit: një oqean i lashtë i madh ekzistonte ende rreth 3.5 miliardë vjet më parë, dhe përmbytje jetëshkurtra mund të kenë ndodhur 1.6 miliardë vjet më parë. Në hartën e re do të përfshihen këto të dhëna, të cilat ndihmojnë në plotësimin e boshllëqeve në zinxhirin e provave për mënyrën se si evoluoi klima e lashtë e Marsit.

Në bazë të kësaj, harta e re do të paraqesë një skemë kineze për ndarjen e kohës gjeologjike marsiane. Kronologjia aktuale ndan Marsin në periudhat Noachian, Hesperian dhe Amazonian, të përcaktuara nga dendësitë e kratereve të dukshme dhe jo nga datat absolute. Kina, sipas Hou, synon ta bëjë skemën e saj të re një konsensus ndërkombëtar.

Projekti do të përdorë kryesisht të dhënat nga Tianwen-1, të plotësuara nga të dhëna të sondave të Marsit nga SHBA dhe ESA (Agjencia Evropiane e Hapësirës), duke mundësuar integrimin e të dhënave orbitrale dhe tokësore. Duke bashkuar imazhe, spektra, radarë, matje gravitare dhe magnetike, do të ndërtohet një bazë të dhënash globale që bashkon fusha të shumta fizike të planetit.

AI do të jetë në zemër të interpretimit të të dhënave: ekspertiza e gjeologëve do të integrohet në modele të mëdha përmes motorëve të rregullave, për të mbajtur rezultate të shpjegueshme, ndërsa teknikat e vëmendjes me shkallë të shumëfishtë do të ndihmojnë në formimin e nxjerrjes progresive të veçorive nga identifikimi mineral deri tek ndarja globale e njësive tektonike.

Materialet, që pritet të dorëzohen deri në fund të vitit 2028, përfshijnë një hartë gjeologjike marsiane në shkallë 1:5 milion, një hartë në shkallë 1:50000 të zonës së uljes dhe një seri atlasesh tematike. Projekti do të publikojë gjithashtu hartën e parë inteligjente gjeologjike të Marsit në botë dhe do të ofrojë një model për hartimin e ardhshëm të hënës, Venusit dhe asteroidëve.

Hartografia gjeologjike ka qenë një detyrë thelbësore e institutit për 70 vjet, tha drejtori i tij Yang Zhiming, me hartat që shtrihen nga hartat rajonale dhe kombëtare deri tek Hëna dhe tani Marsi. Ai shpjegoi se kjo punë i ka dhënë programit planetar të Kinës bazën shkencore, për të vendosur se ku të shkojë, çfarë të eksplorojë dhe përse.

Hiqen tezgat e improvizuara përreth “Bit Pazarit”! Sekuestrohen rreth 500 kilogramë ushqime

0

Në një aksion të përbashkët të policisë dhe disa shërbimeve inspektuese janë larguar shitësit ambulantë përreth Bit-Pazarit. Agjencia për Ushqim dhe Veterinari njoftoi se gjatë aksionit janë sekuestruar rreth 500 kilogramë ushqime. Aksioni është zhvilluar në hapësirën përreth tregut, ku shitësit ilegalë vendosnin tezga të improvizuara, kryesisht në ditët kur kishte më shumë blerës. Në terren kanë qenë pjesëtarë të MPB-së, inspektorë të Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari, inspektorë komunalë të Qytetit të Shkupit dhe Inspektorati Shtetëror i Tregut. Janë larguar tezgat, kryesisht me fruta e perime, si dhe pajisjet e shitjes të vendosura në shtigjet për këmbësorë dhe biçikleta. Për shitësit e konstatuar janë paralajmëruar masa kundërvajtëse.

Forcat amerikane po largohen përfundimisht nga Iraku, duke i hapur rrugë Iranit

0

Forcat amerikane pritet të tërhiqen nga bazat e tyre të fundit në Irak deri të mërkurën, një largim që festohet si fitore nga Irani dhe aleatët e tij, të cilët tashmë gëzojnë ndikim të madh në vendin ku humbën jetën 4,500 amerikanë gjatë më shumë se dy dekadave luftë.

Ekspertët irakianë të sigurisë thonë se tërheqja, për të cilën është rënë dakord në vitin 2024 nën presidencën e Joe Bidenit dhe që është zbatuar nga administrata e Donald Trump-it, ndërkohë që ajo zhvillon luftë kundër Iranit, mund t’u japë Teheranit zyrtar dhe aleatëve të tij të fuqishëm liri të plotë, duke u mundësuar gjithashtu armiqve të tjerë të SHBA-së, përfshirë Shtetin Islamik, të rikthehen në skenë.

“Irani pritet të përfitojë në aspektin strategjik nga largimi i koalicionit, pasi kjo eliminon një prani ushtarake që për vite me radhë shërbente si kundërpeshë ndaj ndikimit të Teheranit në Irak”, ka thënë Jasim al-Bahadli, një analist irakian sigurie i specializuar në studimin e grupeve të armatosura shiite që mbështesin Iranin.

Ai ka parashikuar se milicitë pro-iraniane jo vetëm që do ta paraqisnin largimin si një fitore për lëvizjen e tyre, por edhe do të “përpiqeshin ta shfrytëzonin këtë vrull për të fituar më shumë ndikim mbi vendimmarrjen politike dhe atë të sigurisë”.

Abu Mojtaba al-Yasiri, një komandant i “Rezistencës Islamike në Irak”, një grupim që përfshin disa fraksione të armatosura të mbështetura nga Irani, e ka përshkruar tërheqjen amerikane si “një fitore historike për grupet e rezistencës islamike irakiane dhe irakianët e nderuar, si dhe një disfatë dërrmuese për projektin amerikan”.

“Më 30 shtator, ne do të festojmë mbylljen e një kapitulli të errët në historinë e Irakut dhe dështimin e pushtimit për të imponuar vullnetin e tij mbi vendin tonë”, ka thënë ai për Reuters. 

“Iraku ka dëshmuar se sovraniteti i tij nuk mund të garantohet nga forcat e huaja, por nga rezistenca dhe vullneti i popullit të tij”, ka shtuar. 

A do të përfshihet BE-ja në kontestin me Bullgarinë? Mickoski nuk e di nëse Maqedonia do të mbetet pa udhërrëfyes për në BE

0

Kryeministri Hristijan Mickoski të premten do ta presë presidenten e Komisionit Evropian me çështjen rreth perspektivës evropiane të vendit, por edhe me propozimin që Bashkimi Evropian të përfshihet në bisedimet me Bullgarinë. Bisedimet e deritanishme me Sofjen zyrtare, sipas Mickoskit, nuk kanë pasur kurrfarë thelbi dhe, siç thotë ai, që argumentet të dëgjohen në mënyrë objektive, është logjike që në tryezën e bisedimeve të jetë i pranishëm edhe Bashkimi Evropian.

“Vlerësoj se, që të kemi ndonjë efekt, që të kemi thelb në ato bisedime, është mirë të ketë përfaqësues nga Komisioni Evropian, nga Bashkimi Evropian, që t’i dëgjojnë argumentet. Nëse argumentet tona nuk qëndrojnë, atëherë ne jemi të gatshëm t’i pranojmë argumentet e tjera, por le t’i dëgjojmë argumentet. Të flasim për kartat e vetë Bashkimit Evropian, të flasim për vlerat, të flasim për memorien institucionale, ne jemi të gatshëm. Jemi të gatshëm për të gjitha këto të ulemi dhe të bisedojmë dhe të gjejmë një mënyrë, aq sa është e nevojshme, derisa të arrijmë të gjejmë një mënyrë”, tha Mickoski

Mesazhet e von der Leyen që do t’i përcjellë të premten do të jenë të një rëndësie të veçantë, më së shumti për shkak të paralajmërimeve se së shpejti BE-ja duhet ta publikojë strategjinë e re evropiane, përkatësisht përshpejtimin e integrimit evropian për 4 vende, por jo edhe për Maqedoninë. Këtë informacion e publikoi “Politico”, por Mickoski thotë se nuk është i sigurt se vendi është përjashtuar nga ky proces.

“Pra, nuk e di, do të duhet ta pyesni Bashkimin Evropian. Nëse kjo është e saktë, tani unë nuk do ta komentoja atë që publikon një medium, supozoj se ai i referohet burimeve të caktuara nga Bashkimi Evropian. Do të duhet ta pyesim Bashkimin Evropian nëse kjo është së pari e saktë dhe, nëse është e saktë, pse është kështu. Edhe pse anëtarësimi në Bashkimin Evropian është një proces në të cilin kandidatët vlerësohen mbi bazën e meritave, atëherë për mua është e palogjikshme nëse kjo është e saktë. Por së pari duhet të shohim nëse është kështu apo nuk është. Informacionet e mia nuk thonë se është kështu”, deklaroi Mickoski.

Mickoski paraqitet si mbrojtës i interesave kombëtare, por e gjithë kjo është gënjeshtër, ai ka ndërtuar një mur rreth vendit, thotë kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.

Nuk kemi rrugë tjetër përveç rrugës drejt dhe në Evropë. Ajo që Hristijani ka ndërtuar një mur rreth vendit, paraqitet si mbrojtës i interesave kombëtare, kjo është vetëm një tjetër gënjeshtër e tij e madhe, sepse zhvillimi i vërtetë, përparimi, sistemi, mirëqenia e qytetarëve janë jashtë këtij muri që ai ka ndërtuar. Ndërsa këtu çfarë kemi, këtu kemi vetëm ujë të ndotur me fekale, për të cilin ai nuk kujdeset!, tha Filipçe.

Von der Leyen e fillon vizitën rajonale nga nesër, me ç’rast do t’i vizitojë Tiranën, ndërsa të enjten do të mbërrijë në Prishtinë dhe Podgoricë, pas së cilës të premten do të jetë në Shkup.

Shpërbëhet grup kriminal nga Shkupi! Kallëzim penal ndaj tre personave për terrorizëm dhe trafikim të paligjshëm me armë

0

Ministria e Brendshme informoi se një grup i organizuar kriminal nga Shkupi është shkatërruar në një aksion të koordinuar policor. Gjatë kontrolleve në 12 lokacione janë ndaluar pesë persona, ndërsa janë sekuestruar pushkë automatike, pushkë snajper, pistoleta, municion të kalibrave të ndryshëm, jelek taktik, pajisje për komunikim, telefona celularë dhe mjete të konsiderueshme financiare.

Sipas policisë, 34-vjeçari K.I. dyshohet se që nga viti 2023 ka vepruar në kuadër të një organizate me ideologji të lidhur me ISIS-in, duke përhapur propagandë radikale dhe duke rekrutuar të rinj. Ndaj K.I. është ngritur kallëzim penal për terrorizëm dhe trafikim të paligjshëm me armë, ndërsa ndaj dy personave të tjerë, B.A. dhe E.S., për posedim dhe trafikim të paligjshëm të armëve dhe municionit.

Maqedonia kërkon fitoren e parë! Me shumë ndryshime në formacion përballë Sllovenisë

0

Përfaqësuesja e futbollit të Maqedonisë sonte në orën 20:45 do të përballet me Slloveninë, me synimin për të përmirësuar paraqitjen nga ndeshja e para tri ditëve, kur pësoi lehtësisht humbje në shtëpi ndaj Zvicrës. Nuk është e lehtë të luhen disa ndeshje radhazi, ndaj është e qartë se trajneri Goce Sedlloski do të duhet të bëjë rotacion. Kjo edhe për faktin se të shtunën e pret edhe ndeshja e radhës ndaj Skocisë në stadiumin “Todor Proeski” në Shkup.


“Do të ketë ndryshime”, paralajmëroi trajneri Sedlloski në konferencën zyrtare për media.
Stole Dimitrievski është i padiskutueshëm në portë, por ndryshime priten në repartin e mbrojtjes. Pritet që mundësi të kenë Stojçevski, Meliqi dhe Alomeroviqi. Në mesfushë pritet të luajnë Atanasov dhe Elezi, së bashku me Bardhin dhe Elmasin, ndërsa në sulm pritet të jenë Dimitar Mitrovski dhe Azer Omeragiqi.


Edhe sllovenët janë nën presion. Ata barazuan 0-0 në shtëpi ndaj Skocisë dhe sonte synojnë të arrijnë fitoren e parë. Por të njëjtin synim e ka edhe Maqedonia.

Elezi: Qeveria stabile, por ka bisedime me eksponentë të opozitës! Pollozhani: Nuk ka mosmarrëveshje në AKI, VLEN defokuson opinionin

0

Zërat për lëvizje të mundshme politike rikthejnë përplasjet mes VLEN-it dhe AKI-së. Amir Elezi nga VLEN thotë se Qeveria për momentin është stabile dhe nuk ka nevojë për zgjerim të koalicionit. Megjithatë, nuk e përjashton mundësinë për zgjerim të koalicionit, sipas tij, VLEN-i është i hapur për bisedime nëse ka interes nga eksponentë të opozitës për t’iu bashkuar koalicionit. Elezi konfirmon se tashmë ka bisedime në nivele të ndryshme.

“Ajo që vlen të thuhet është se momentalisht qeveria është stabile, nuk kemi nevojë, mirëpo nëse gjykon VLEN-i dhe, ka dëshirë edhe nga eksponentë të opozitës të bëhen pjesë e koalicionit tonë, në frymën e mbarëvajtjes së proceseve, ne jemi të hapur që të bisedojmë. Ajo që jam i sigurt është se ka bisedime në nivele të ndryshme dhe jam i sigurt”, tha amir Elezi.

Qëndrimet e Elezit i hedh posht Faton Pollozhani nga AKI, i cili thotë se bashkëpunimi brenda koalicionit është në nivelin më të mirë dhe më korrekt. Pollozhani njofoi se në Bërvenicë AKI garon e bashkuar, ndërkohë, akuzoi VLEN-in se po tenton të paraqesë mungesë koordinimi në opozitë.

“Ne flasim me përgjegjësi dhe seriozitet. Deri në momentin që ne flasim, bashkëpunimi në koalicionin AKI është në nivelet më të mira dhe më korrekte dhe ne kemi një sfidë elektorale në Komunën e Bërvenicës, ku garojmë si AKI dhe këtu nuk ka asnjë dilemë mes partive opozitare. Ajo që mundohen përfaqësues të VLEN-it ta nxjerrin si një lloj moskoordinimi, mendoj se gjërat janë të qarta në bllokun opozitar”, tha Faton Pollozhani.

Pollozhani theksoi se pas përfundimit të riorganizimit të brendshëm, BDI është e gatshme për zgjedhje. Sipas tij, zgjedhjet janë të nevojshme për t’ia kthyer legjitimitetin qytetarëve dhe që ata të përcaktojnë subjektin që do t’i përfaqësojë shqiptarët në Qeveri. Elezi nga VLEN tha se pas fitores në zgjedhjet lokale, ku u mposht BDI, tani janë të gatshëm dhe të bindur edhe në fitore të tjera kurdo që të jenë ato.