Argjentina kërcënon Britaninë për ishujt Falkland

0

Presidenti i Argjentinës, Javier Milei, ka kërcënuar se do të nisë një proces gjyqësor kundër qeverisë britanike, nëse ajo nuk ndalon punimet për kërkimin e naftës në brigjet e Ishujve Falkland.

Në një postim në rrjetet sociale, Milei i ka dhënë një afat prej dy javësh projektit “Sea Lion” të fushës së naftës, një sipërmarrje e përbashkët mes kompanive izraelite dhe britanike, që të anulohet.

Kompanitë këmbëngulin se kanë licenca të vlefshme të lëshuara nga Britania.

Komentet e tij rrisin tensionet mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Argjentinës lidhur me sovranitetin mbi arkipelagun, të njohur në Argjentinë si “Las Malvinas”, më shumë se 40 vjet pasi një forcë ushtarake britanike dëboi trupat argjentinase që kishin pushtuar territorin në vitin 1982.

Milei ka thënë se, nëse afati prej dy javësh nuk respektohet, ai kishte “udhëzuar ministrinë e Jashtme dhe ekipet ligjore që të nisin arbitrazh ndërkombëtar” kundër Mbretërisë së Bashkuar, lidhur me atë që ai e ka quajtur “plaçkitjen e paligjshme të burimeve tona përmes Projektit Sea Lion”.

Ai ka paralajmëruar Mbretërinë e Bashkuar se, nëse “shfrytëzimi i paligjshëm” i rajonit nuk përfundonte brenda dy javësh, Argjentina do ta çonte çështjen përpara Tribunalit Ndërkombëtar për të Drejtën e Detit.

Tribunali Ndërkombëtar është një organ i pavarur gjyqësor me seli në Hamburg, i cili është përgjegjës për zbatimin e drejtë të Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit.

Kjo lëvizje vjen menjëherë pasi Milei kritikoi ashpër OKB-në në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme, për dështimin e saj për të vepruar lidhur me sovranitetin e Ishujve Falkland.

Ai ka thënë se OKB-ja ishte shndërruar në “një organizatë të padobishme” që u shërben vetëm “parazitëve arrogantë të veshur si burokratë me qëllime të mira”.

Që atëherë, sekretari britanik i Mbrojtjes, Wes Streeting, ka thënë se Argjentina “nuk ka aftësinë” t’i rimarrë ishujt me forcë.

Milei kishte thënë më parë se fusha e naftës Sea Lion përbënte “një rrezik të qartë dhe të menjëhershëm”.

Fusha e naftës Sea Lion, rreth 209 kilometra larg Ishujve Falkland, përmban rreth 1.7 miliardë fuçi naftë, sipas vlerësimeve.

Dy kompani nafte, britanikja Rockhopper Exploration dhe izraelitja Navitas Petroleum, pritet të fillojnë nxjerrjen e naftës nga fusha brenda dy viteve.

Në një referendum të vitit 2013, banorët e ishujve votuan me shumicë dërrmuese për të mbetur territor britanik përtejdetar, 99.8% votuan pro, ndërsa vetëm tre persona votuan kundër.

Forcat argjentinase kanë zbarkuar në Falklande në vitin 1982 për të paraqitur pretendimin territorial, duke shkaktuar një luftë 74-ditore për territorin, gjatë së cilës një forcë ushtarake britanike i dëboi ato.

Konflikti ka shkaktuar vdekjen e 255 ushtarakëve britanikë, tre banorëve të ishujve dhe 649 ushtarakëve argjentinas.

Rita Ora kalon testin e vozitjes

0

Ylli i muzikës pop, Rita Ora, ka kaluar testin e vozitjes pasi ka marrë mësime për më shumë se një dekadë.

Këngëtarja 35-vjeçare ka marrë mësime për vite me radhë dhe tani ka konfirmuar se ka marrë zyrtarisht patentë shoferin, duke publikuar një fotografi ku shihet duke mbajtur certifikatën e re dhe duke pozuar pranë veturës së autoshkollës “Dollar Driving School” në Los Angeles.

Rita publikoi një seri fotografish nga ditët e fundit në Instagram dhe shkroi: “Ka qenë një javë”.

Këngëtarja u fotografua për herë të parë duke marrë mësime për vozitje në vitin 2014, pasi i dashuri i saj i atëhershëm, DJ Calvin Harris, thuhet se i kishte blerë një veturë në vlerë prej 100 mijë funtesh për ta inkurajuar që të mësonte të voziste, pasi ata ishin zhvendosur për të jetuar së bashku në Los Angeles.

Një burim i kishte thënë në atë kohë gazetës The Sun: “Rita nuk ka pasur kurrë nevojë të shqetësohej për mënyrën se si do të lëvizte – me taksi, metro apo në këmbë. Në LA nuk funksionon kështu. Nëse nuk ke veturë, është e pamundur të bësh pothuajse asgjë. Ajo nuk dëshiron të jetë e varur nga Calvini, për të qenë ai që drejton veturën.”

Megjithatë, Ritës iu desh të priste edhe 12 vjet për ta kaluar testin.

Rita u nda nga Calvini në vitin 2014 dhe tani është e martuar me regjisorin Taika Waititi.

Këngëtarja së fundmi zbuloi se shpreson të krijojë familje me bashkëshortin e saj, i cili tashmë ka dy fëmijë, Te Hinekahu, 14 vjeç, dhe Matewa Kiritapu, 10 vjeç, me ish-bashkëshorten Chelsea Winstanley. Rita tregoi se i kishte ngrirë vezët kur ishte në mesin e të 20-ave.
Rita i tha revistës The Times: “Ai thotë: ‘Bravo që ke menduar përpara, vajzë’.”

Këngëtarja e hitit “Hot Right Now” fillimisht kishte frikë se do të ishte “e pamundur” të kishte një fëmijë me Taikan, pasi të dy janë gjithmonë shumë të zënë, por ajo ka marrë frymëzim nga ish-kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, e cila u bë nënë e vajzës Neve në vitin 2018.

Kongresistë republikanë kërkojnë të mos i zgjatet licenca Industrisë së Naftës së Serbisë

0

Dy republikanë në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara i kanë bërë thirrje administratës së presidentit Donald Trump që t’i vazhdojë sanksionet ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS), raportoi të hënën mediumi amerikan The Hill.

NIS-i është nën sanksione amerikane për shkak se shumica e pronësisë së saj është në duart e kompanive ruse.

Pronarët rusë gëzojnë 56.15 për qind të aksioneve, prej të cilave 44.85 për qind i përkasin kompanisë shtetërore Gazprom Neft.

Kongresistët republikanë Joe Wilson dhe Keith Self i dërguan të premten letër Departamentit amerikan të Thesarit, në të cilën kundërshtuan zgjatjen e lehtësimit nga sanksionet për NIS-in.

“Po ju shkruajmë për t’ju kërkuar me respekt që ta rishikoni zgjatjen e të gjitha licencave shtesë të përkohshme që do t’i mundësonin Industrisë së Naftës së Serbisë të vazhdojë punën, pavarësisht sanksioneve amerikane që lidhen me pronësinë e saj ruse”, thuhet në letër.

Letra i është drejtuar sekretarit amerikan të Thesarit, Scott Bessent.

NIS-i i kërkoi javën e kaluar Departamentit amerikan të Thesarit t’ia lëshojë një licencë të re, e cila do t’i mundësonte vazhdimin e punës.

Licenca e tanishme për NIS-in, e lëshuar nga Zyra për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) në kuadër të Departamentit amerikan të Thesarit, skadon më 30 shtator.

Administrata amerikane vendosi sanksione ndaj NIS-it në fillim të vitit 2025, me qëllim për t’ia pamundësuar Rusisë përdorimin e të ardhurave nga sektori energjetik për luftën në Ukrainë.

Për më shumë se një vit, sanksionet janë shtyrë, ndërsa qëkurse kompania hungareze MOL u shfaq si blerëse e interesuar, licenca e OFAC-it për për veprimtarinë e NIS-it është rinovuar periodikisht.

NIS-i furnizon 80 për qind të nevojave energjetike të Serbisë, por është në pronësi shumicë të gjigantëve energjetikë rusë Gazprom Neft dhe Gazprom, të cilët janë nën sanksionet e SHBA-së.

Wilson dhe Self shprehin shqetësim se përjashtimet po i mundësojnë NIS-it që t’i zvarrisë negociatat për shitjen e aksioneve ruse në kompani.

Në janar, kompania hungareze MOL njoftoi se kishte arritur marrëveshje me Gazprom Neft për blerjen e aksioneve të tij në shumicë në NIS, por marrëveshja ende nuk është përmbyllur.

“Negociatat për marrëveshjen përfundimtare të blerjes janë ende duke vazhduar, ndërsa MOL-i i ka kërkuar departamentit tuaj miratim të mëtejshëm për vazhdimin e operimit, pavarësisht përparimit të kufizuar”, thanë kongresistët.

“Për më tepër, Serbia vazhdon të mbajë lidhje të ngushta politike dhe ekonomike me Rusinë dhe, ndryshe nga shumica e vendeve evropiane, nuk ka vendosur sanksione ndaj Moskës pas pushtimit e Ukrainës në shkurt të vitit 2022”, shtuan ata.

Për shkak të lidhjeve mes Serbisë dhe Rusisë, shqetësime janë shprehur edhe në Kongresin amerikan.

Gjatë një debati në mesin e shtatorit në Kongres, u shpreh shqetësim dypartiak për marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë dhe Kinën, ndërsa u ngritën edhe pyetje nëse, në kuadër të Dialogut Strategjik SHBA-Serbi, është diskutuar për “ndikimin keqdashës” të Moskës dhe Pekinit./REL

Moti sot në Maqedoni

0

Moti do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe periudha me diell. Në pjesët juglindore do të ketë kushte për reshje të dobëta shiu. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtimi verilindor.

Temperatura maksimale do të jetë nga 19 deri në 26°C.

Në Shkup, moti do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe periudha me diell. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtime të ndryshueshme. Temperatura maksimale do të arrijë deri në 25°C

Sot disa pjesë të Tetovës dhe Bërvenicës pa energji elektrike

0

Për shkak të ndërhyrjeve të planifikuara teknike në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike, sot disa pjesë të Tetovës dhe Bërvenicës do të mbeten pa energji elektrike.

Sipas njoftimit, ndërprerjet do të bëhen në këto zona:

Tetovë – Sellcë, nga ora 09:00 deri në 14:00: pa energji elektrike do të mbeten një pjesë e fshatit Sellcë dhe një pjesë e rrugës në dalje drejt fshatit Vejcë, si dhe repetitori në Sellcë dhe HEC Pena

Bërvenicë, nga ora 09:15 deri në 14:00: pa energji do të jenë objektet që ndodhen para hyrjes së fshatit Sedllarcë e Poshtme, pranë fabrikës së gypave.

Qendra e Tetovës, nga ora 09:15 deri në 14:15: pa energji elektrike do të mbeten objektet që ndodhen në qendër, pranë ish-marketit.

Nga institucionet kompetente u bëjnë thirrje qytetarëve dhe bizneseve që të përgatiten me kohë dhe të marrin masat e nevojshme për mbrojtjen e pajisjeve elektrike.

Zhivko Mukaetov për angazhimin politik: Gjithmonë jam këtu për Maqedoninë

0

Drejtori i përgjithshëm i “Alkaloid” thotë se gjatë 15 viteve të fundit ka marrë disa oferta, prej të cilave dy kanë qenë serioze dhe kanë pasur të bëjnë me pozita të larta politike.

“Unë jam gjithmonë këtu për Maqedoninë”, tha drejtori i përgjithshëm i “Alkaloid”, Zhivko Mukaetov, në një intervistë për “360 Gradë”, duke iu përgjigjur pyetjeve për një angazhim të mundshëm në politikë. Ai zbulon se gjatë 15 viteve të fundit ka marrë disa oferta, prej të cilave dy kanë qenë serioze dhe kanë pasur të bëjnë me pozita të larta politike, por nuk specifikon se për cilat funksione bëhej fjalë.

I pyetur nëse i ishte ofruar të bëhej president i shtetit ose kryeministër, Mukaetov përgjigjet:

“Po, nuk do të doja t’i përgjigjesha konkretisht kësaj pyetjeje dhe konsideroj se kontributi ndaj vendit tënd nuk duhet të shihet vetëm përmes prizmit nëse dikush është i angazhuar në politikë apo jo. Unë jam gjithmonë këtu për Maqedoninë.”

Zgjedhja e tij, siç shpjegon ai, është të kontribuojë përmes punës në “Alkaloid”, angazhimit në sport dhe në shoqëri. Ai thekson se familja është gjëja më e rëndësishme për të dhe se beson se edhe përmes angazhimit të tij aktual kontribuon në zhvillimin e shtetit.

“Personalisht, konsideroj se çdo sukses i ‘Alkaloid’-it është sukses i Maqedonisë”, thotë Mukaetov.

I pyetur për përvojat me biznesmenë që në të kaluarën kanë pranuar poste ministrore dhe zëvendëskryeministrore, ai shpreh keqardhje që përfshirja e tyre në Qeveri ka dëmtuar një pjesë të besimit që kishin krijuar. Sipas tij, nuk është gjetur mënyra e duhur që njohuritë dhe përvoja e tyre në biznes të shndërrohen në vlerë të shtuar përmes ushtrimit të funksioneve publike.

Mukaetov thekson se biznesi dhe politika kanë sisteme, mekanizma vendimmarrjeje dhe lloje të ndryshme përgjegjësie, por edhe kërkesa të përbashkëta – integritetin, aftësinë për të marrë vendime të vështira dhe për të menaxhuar njerëz cilësorë.

“Ne të gjithë, secili në fushën e vet të veprimit, duhet të kontribuojmë që gjërat në shtet të jenë më mirë”, porosit ai.

Raportohet se Netanyahu ka vizituar fshehtas Emiratet e Bashkuara Arabe të dielën

0

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka vizituar fshehurazi Emiratet e Bashkuara Arabe të dielën dhe është takuar me presidentin e këtij vendi, Sheikh Mohammed bin Zayed, ka thënë për CNN një burim izraelit i njohur me vizitën.

Burimi ka thënë se Irani ka dominuar agjendën e takimit, një fushë në të cilën dy vendet kanë thelluar bashkëpunimin, përfshirë edhe gjatë luftës aktuale me Iranin.

Zyra e kryeministrit izraelit nuk e ka konfirmuar vizitën. CNN i është drejtuar ministrisë së Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe për koment.

Ky udhëtim i rrallë, nëse konfirmohet, vjen saktësisht një muaj para zgjedhjeve të 27 tetorit në Izrael dhe në një kohë kur në vend është shtuar polemika politike lidhur me raportimet e Haaretz dhe The New York Times, sipas të cilave Bin Zayed e kishte paralajmëruar Netanyahun për një operacion të madh të Hamasit disa ditë para sulmit të 7 tetorit 2023.

The Atlantic ka raportuar veçmas se shefi i inteligjencës egjiptiane, Abbas Kamel, kishte fluturuar drejt Izraelit më 26 shtator 2023 për të paralajmëruar se Gaza do të “shpërthente”. Ndërsa të dielën, The Wall Street Journal ka raportuar se kishte pasur të paktën tre paralajmërime egjiptiane të përcjella te Izraeli lidhur me Gazën, i fundit përmes një telefonate me Netanyahun, vetëm disa ditë para sulmit.

Zyra e Netanyahut ka mohuar vazhdimisht se kishte marrë ndonjë paralajmërim dhe i ka cilësuar raportimet si gënjeshtra të sajuara, të synuara për ta dëmtuar atë në zgjedhje. Megjithatë, rivalët e tij i kanë përdorur këto akuza për ta bërë përgjegjësinë për dështimin në parandalimin e sulmit të 7 tetorit 2023 një çështje qendrore të fushatës.

Pas raportimeve të para për një paralajmërim nga Bin Zayed, ministria e Jashtme e Emirateve të Bashkuara Arabe ka thënë në fillim të këtij muaji se “nuk komenton raportimet mediatike apo spekulimet lidhur me bisedat mes liderëve qeveritarë”, por nuk e ka mohuar telefonatën.

“Kur është e nevojshme, i gjithë informacioni përkatës i inteligjencës është komunikuar dhe vazhdon të komunikohet ndërmjet institucioneve përkatëse”, thuhej në deklaratë.

Në atë kohë, një burim izraelit i njohur me çështjen ka thënë se zyra e Netanyahut ishte përpjekur të bindte Emiratet e Bashkuara Arabe ta mohonte raportimin, por Emiratet kishin rënë dakord vetëm të publikonin një deklaratë për shkëmbimin e informacioneve të inteligjencës.

Partia Likud e Netanyahut më pas ka publikuar një deklaratë, të postuar në llogarinë e kryeministrit në X, ku akuzonte për “ndërhyrje të hapur të huaj” në zgjedhjet e Izraelit nga politikani palestinez Mohammed Dahlan, me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe. Partia nuk ka paraqitur asnjë provë për këtë pretendim.

Ndërkohë, rivalët e Netanyahut e kanë shfrytëzuar paralajmërimin e raportuar për të rikthyer sulmet ndaj mënyrës se si ai ka trajtuar ngjarjet që i paraprinë 7 tetorit.

Gadi Eizenkot, i cili aktualisht renditet në sondazhe si sfiduesi kryesor i kryeministrit në zgjedhjet e ardhshme në Izrael, ka thënë të shtunën se zbulimi lidhur me paralajmërimin “nuk lë vend për dyshim: Netanyahu e udhëhoqi, me verbëri, arrogancë dhe papërgjegjshmëri, shtetin e Izraelit drejt katastrofës më të madhe në historinë e tij”.

Në maj, zyra e Netanyahut ka thënë se kryeministri kishte vizituar fshehurazi Emiratet e Bashkuara Arabe në mars, gjatë ditëve të para të luftës me Iranin, duke e cilësuar atë si një “përparim historik”.

Megjithatë, ninistria e Jashtme e Emirateve të Bashkuara Arabe e kishte mohuar në atë kohë pretendimin e tij si “krejtësisht të pabazë”.

Gjatë luftës, thuhet gjithashtu se Izraeli ka vendosur në Emiratet e Bashkuara Arabe sistemin e mbrojtjes raketore “Iron Dome”, ndërsa zyrtarët izraelitë kanë deklaruar se bashkëpunimi i sigurisë mes dy vendeve ka arritur nivele të paprecedenta.

Netanyahu nuk ka kryer kurrë ndonjë vizitë zyrtare të pranuar publikisht në Emiratet e Bashkuara Arabe./Koha.net

Oda kërkon status të veçantë për transportuesit! Shoferët e kamionëve janë shërbim për industrinë e BE-së, nuk janë turistë

0

Status të veçantë për shoferët profesionistë dhe përjashtimin e tyre nga kufizimet e Shengenit që vlejnë për turistët, ky është propozimi i Odës Ekonomike për zgjidhjen e problemit me transportuesit.
Sipas tyre, një propozim i tillë do të ishte mekanizëm paralel me vizat bilaterale. Barrierat për transportuesit do të jenë temë e takimit të ardhshëm të ministrave të Ekonomisë të rajonit, i cili do të mbahet pasnesër në Cetinë.

Ai theksoi se nuk është logjike që shoferët të trajtohen si turistë.

Ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, së fundmi deklaroi se do të bëhen marrëveshje bilaterale me vendet pjesë të zonës Shengen për zgjidhjen e kësaj çështjeje.
Biljana Muratovska nga “MAKAM Trans”, ndërkaq, zgjidhjen e problemit e sheh te strategjia e re e vizave, përmes së cilës shoferët do të njihen si profesionistë me të drejtë qëndrimi më të gjatë, strategji të cilën BE-ja pritet ta miratojë gjatë vitit të ardhshëm.

Turqit dominojnë Shkupin! 741 mijë 466 turistë vizitojnë Maqedoninë

0

“Të gjithë e keni vënë re se kohët e fundit po dominojnë turistët turq në Shkup. Dhe kjo nuk është më vetëm përshtypje këtë e tregojnë edhe statistikat e turizmit”, Fazile Halili, Gazetare.

Turistët që takuam në Shkup thonë se qyteti i ka tërhequr me monumentet, kulturën, ushqimin dhe mikpritjen. Disa prej tyre për një qëndrim disa ditor kanë shpenzuar rreth 200 euro, ndërsa të tjerë thonë se pjesën më të madhe të parave e kanë shpenzuar për ushqim dhe suvenire.

-Ne kemi shpenzuar… vetëm sa kemi ardhur sot, do të thosha rreth 100 euro.
-Prej nga jeni?
-Jetoj në SHBA por jam turko-amerikan.

-Italia.
-Sa shpesh vini në Shkup, është hera e parë?
-Po kjo është hera e parë, ne me të vërtetë po e shijojmë vendin, njerëzit janë shumë të mirë, vendi është shumë i bukur. Ne do të shkojmë në kanionin e Matkës. Ne do t’i vizitojmë monumentet më të rëndësishme dhe muzetë.
-Sa para keni shpenzuar?
-Rreth 200 euro, 3 ditë të plota.

-Është e përzier në mes muslimanëve dhe kulturës katolike. Çdo herë vizitoj vende të reja, të mësoj ndonjë gjë të re rreth kulturës, ushqimit.
-Sa para po shpenzoni?
-Para?!
-Jo shumë, shumica e parave shkojnë në suvenire, dhe ushqim. Rreth 4 mijë para maqedonase, denarë, për rreth 1 ditë e gjysmë.

Nga ministria e kulturës kumtuan se vetëm në shtatë muajt e parë të vitit, Maqedoninë e Veriut e kanë vizituar gjithsej 741 mijë e 446 turistë, ndërsa statistikat tregojnë rritje të numrit të turistëve të huaj.

“Lëvizjet pozitive në sektorin e turizmit paraqesin nxitje për vazhdimin e aktiviteteve për zhvillimin e tij të qëndrueshëm dhe zhvillimin e ofertës turistike. Në shtatë muajt e parë të vitit 2026, Maqedoninë e kanë vizituar gjithsej 741.446 turistë, ndërsa është shënuar rritje e numrit të turistëve të huaj. Ndër mysafirët e huaj më të shumtë janë turistët nga Turqia, Gjermania, Serbia, Rumania dhe Shqipëria”, tha Ministria e Kulturës.

Ministria e Kulturës dhe Turizmit thekson rëndësinë e promovimit të vazhdueshëm të Maqedonisë së Veriut, përmirësimit të shërbimeve dhe përdorimit të inteligjencës artificiale e digjitalizimit për zhvillimin e një turizmi më modern, të qëndrueshëm dhe konkurrues.

Thirrjet nacionaliste në stadiume! Ministria e Bashkësive nis iniciativë me tifo-grupet për t’i ndalur

0

Nxitje të urrejtjes ndëretnike nëpër stadiume të futbollit shoqëria jonë ka parë pothuajse në secilën ndeshje të nxehtë. Edhe atëherë kur nuk kanë luajtur ekipe të dy etniteteve më të mëdha në vend, thirrjet nacionaliste nuk kanë munguar. Ministria për marrëdhënie ndërmjet bashkësive thirri në takim përfaqësues të tifogrupeve por dhe përfaqësues të Federatës së futbollit të Maqedonisë , Ministrisë së sportit, të policisë e të tjerë.

“Gjatë ndeshjeve sportive kanë qenë jo korrekt në këndimet apo brohoritjet e tyre me gjërat që janë ofenduese, që nxitin urrejtjen apo që kanë përmbajtje politike, po ashtu me prapavijë të nxitjeve të tensioneve dhe për këtë shkak biseduam shumë haptas me të gjithë dhe ju thamë që jemi të hapur për të ndihmuar në këtë problematikë”. Tha Agon FErati

Ministri Ferati tha se vetë partitë politike në disa raste bëjnë nxitje të urrejtjes ndëretnike, sidomos kur afër janë fushatat parazgjedhore. Ai tha se përveç masave ndëshkuese nga autoritet e rendit, ky projekt ka për qëllim ngritjen e vetëdijes së qytetarëve që mos të bien pre e disa grupeve të vogla të interesit.

“Rrethanë lehtësuese është ajo që së fundmi nuk kemi ndonjë paralajmërim për zgjedhje të parakohshme dhe kjo na jep mundësi që në mënyrë të qetë të punojmë në këtë drejtim sepse kjo është një çështje që merr një kohë më të gjatë nuk është se vetëm mundet me një takim ose me një vendim të vetëm që të përmirësohen punët. Kjo duhet të zhvillohet në një formë të njëtrajtshme dhe për një periudhë shumë më të gjatë”, deklaroi Ferati.

Sipas të dhënave të Ministrisë së brendshme për sezonin 2025 dhe deri në prill 2026, Federata e Futbollit të Maqedonisë ka raportuar 5 ndëshkime për thirrje nacionaliste dhe 3 ndeshje pa publik. Ndërsa, për sezonin futbollistik 2024/2025, Federata e Futbollit të Maqedonisë raportoi 4 dënime për brohoritje nacionaliste dhe një masë me ndalim të pranisë së publikut për 4 ndeshje. Përndryshe, në vitin 2024, policia ka evidentuar 83 raste të prishjes së rendit dhe qetësisë në ngjarje sportive, prej tyre, 57 ishin në ndeshje futbolli. Në raportin e Ministrisë së brendshme thuhet se ndër format e sjelljes ishin edhe pankartat apo thirrjet dhe nxitja e urrejtjes mbi bazë fetare, racore dhe kombëtare.