A do të përfshihet BE-ja në kontestin me Bullgarinë? Mickoski nuk e di nëse Maqedonia do të mbetet pa udhërrëfyes për në BE

TË FUNDIT

Kryeministri Hristijan Mickoski të premten do ta presë presidenten e Komisionit Evropian me çështjen rreth perspektivës evropiane të vendit, por edhe me propozimin që Bashkimi Evropian të përfshihet në bisedimet me Bullgarinë. Bisedimet e deritanishme me Sofjen zyrtare, sipas Mickoskit, nuk kanë pasur kurrfarë thelbi dhe, siç thotë ai, që argumentet të dëgjohen në mënyrë objektive, është logjike që në tryezën e bisedimeve të jetë i pranishëm edhe Bashkimi Evropian.

“Vlerësoj se, që të kemi ndonjë efekt, që të kemi thelb në ato bisedime, është mirë të ketë përfaqësues nga Komisioni Evropian, nga Bashkimi Evropian, që t’i dëgjojnë argumentet. Nëse argumentet tona nuk qëndrojnë, atëherë ne jemi të gatshëm t’i pranojmë argumentet e tjera, por le t’i dëgjojmë argumentet. Të flasim për kartat e vetë Bashkimit Evropian, të flasim për vlerat, të flasim për memorien institucionale, ne jemi të gatshëm. Jemi të gatshëm për të gjitha këto të ulemi dhe të bisedojmë dhe të gjejmë një mënyrë, aq sa është e nevojshme, derisa të arrijmë të gjejmë një mënyrë”, tha Mickoski

Mesazhet e von der Leyen që do t’i përcjellë të premten do të jenë të një rëndësie të veçantë, më së shumti për shkak të paralajmërimeve se së shpejti BE-ja duhet ta publikojë strategjinë e re evropiane, përkatësisht përshpejtimin e integrimit evropian për 4 vende, por jo edhe për Maqedoninë. Këtë informacion e publikoi “Politico”, por Mickoski thotë se nuk është i sigurt se vendi është përjashtuar nga ky proces.

“Pra, nuk e di, do të duhet ta pyesni Bashkimin Evropian. Nëse kjo është e saktë, tani unë nuk do ta komentoja atë që publikon një medium, supozoj se ai i referohet burimeve të caktuara nga Bashkimi Evropian. Do të duhet ta pyesim Bashkimin Evropian nëse kjo është së pari e saktë dhe, nëse është e saktë, pse është kështu. Edhe pse anëtarësimi në Bashkimin Evropian është një proces në të cilin kandidatët vlerësohen mbi bazën e meritave, atëherë për mua është e palogjikshme nëse kjo është e saktë. Por së pari duhet të shohim nëse është kështu apo nuk është. Informacionet e mia nuk thonë se është kështu”, deklaroi Mickoski.

Mickoski paraqitet si mbrojtës i interesave kombëtare, por e gjithë kjo është gënjeshtër, ai ka ndërtuar një mur rreth vendit, thotë kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.

Nuk kemi rrugë tjetër përveç rrugës drejt dhe në Evropë. Ajo që Hristijani ka ndërtuar një mur rreth vendit, paraqitet si mbrojtës i interesave kombëtare, kjo është vetëm një tjetër gënjeshtër e tij e madhe, sepse zhvillimi i vërtetë, përparimi, sistemi, mirëqenia e qytetarëve janë jashtë këtij muri që ai ka ndërtuar. Ndërsa këtu çfarë kemi, këtu kemi vetëm ujë të ndotur me fekale, për të cilin ai nuk kujdeset!, tha Filipçe.

Von der Leyen e fillon vizitën rajonale nga nesër, me ç’rast do t’i vizitojë Tiranën, ndërsa të enjten do të mbërrijë në Prishtinë dhe Podgoricë, pas së cilës të premten do të jetë në Shkup.