Messi mund të kthehet te Newell’s Old Boys? Romano zbulon planet e Messit

0

Ylli argjentinas, Lionel Messi thuhet se ka ende shumë për të ofruar te Inter Miami, edhe pse është 39 vjeç.

Sipas gazetës Sport, argjentinasi nuk ka ndërmend të ndryshojë klub ose të kërkojë një transferim së shpejti.

Raportet e kanë lidhur atë me një rikthim në Argjentinë, megjithatë Messi mbetet i lidhur me marrëveshjen e tij në Florida.

Eksperti i transferimeve, Fabrizio Romano, e konfirmoi këtë, duke zbuluar se Messi as nuk po e shqyrton dhe as nuk po e peshon ndonjë ndryshim në klubin që do të përfaqësojë, qoftë në muajt e ardhshëm apo në planin afatgjatë.

Kjo i jep fund bisedave për një kalim te Newell’s Old Boys.

“Messi është i lumtur te Inter Miami, pavarësisht informacioneve të fundit që qarkullojnë rreth klubit të tij të parë në Argjentinë”, ka thënë Romano.

I sapokurorëzuar me Çmimin Princesha e Asturias për Sport për vitin 2026, Messi është plotësisht i përqendruar te Inter Miami. Romano shtoi se sulmuesi dhe familja e tij ndihen të vendosur dhe të lumtur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kontrata aktuale e Messit është e vlefshme deri në vitin 2028 dhe ai synon ta respektojë atë dhe ta çojë deri në fund. Nuk ka bisedime me asnjë klub tjetër.

Romano gjithashtu refuzoi të përjashtonte një zgjatje përtej vitit 2028, megjithëse theksoi se është shumë herët për të vendosur. Gjithçka do të varet nga gjendja fizike e Messit.

Projektet e tij jashtë fushës po rriten gjithashtu. Messi ka themeluar Kupën Messi, një turne ndërkombëtar për të rinj që synon zbulimin e talenteve të reja. 

Rriten tarifat e koncesioneve! Arkëtimi në vitin 2025 ka tejkaluar 1,2 miliardë denarë

0

Ministria e Energjetikës po vendos rregulla më të rrepta për shfrytëzimin e pasurive minerale dhe mbikëqyrje të shtuar ndaj koncesioneve. Arkëtimi nga tarifat e koncesioneve në vitin 2025 ka arritur në 1,2 miliardë denarë, që është më shumë se dyfishi krahasuar me vitin paraprak. Ndërkohë, janë evidentuar 53 kontrata për koncesione të ndërprera, ndërsa kapacitetet inspektuese janë përforcuar me tre inspektorë të rinj.

Ministria paralajmëron edhe zgjidhje të reja ligjore, me të cilat garancitë financiare për sanimin dhe rikultivimin e minierave do të rriteshin në 100 për qind të shpenzimeve të vlerësuara. Nga ky dikaster theksojnë se çdo projekt minerar duhet t’i përmbushë kushtet ligjore dhe ekologjike dhe se vendimet do të merren ekskluzivisht në bazë të ligjit dhe në interes publik.

Sipas Entit të Statistikave prodhimi industrial në shtator është rritur për 2,4 për qind

0

Prodhimi industrial në vend gjatë muajit shtator të këtij viti shënon rritje prej 2,4 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, tregojnë të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikës. Rritja i atribuohet kryesisht industrisë përpunuese, ku prodhimi është rritur për 4,2 për qind. Rritja më e madhe është regjistruar te produktet e tjera minerale jometalike, me 64,4 për qind, si dhe te prodhimi i pijeve, me 21,3 për qind. Në anën tjetër, rënie është shënuar në sektorin e xehetarisë dhe nxjerrjes së gurëve, si dhe në prodhimin dhe furnizimin me energji elektrike. Gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti, prodhimi industrial shënon rritje të përgjithshme prej 0,8 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Kaos në Itali, mijëra protestues në rrugë! Përplasje me policinë në disa qytete

0

Përshkallëzohen protestat në disa qytete të Italisë, ku demonstratat e mijëra punonjësve dhe studentëve janë shoqëruar me tensione, përplasje me policinë dhe akte të dhunshme. Në Torino, forcat e rendit kanë përdorur gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë protestuesit, ndërsa në Genova janë djegur goma përpara hyrjes së portit, duke shkaktuar re të dendura tymi. Situata është tensionuar edhe në Napoli, ku protestuesit kanë marshuar drejt stacionit qendror të trenave, ndërsa forca të shumta policore dhe karabinierë kanë rrethuar hyrjen kryesore për të parandaluar bllokimin e tij. Në Bolonja, studentët kanë bllokuar hyrjet e disa shkollave të mesme, duke penguar zhvillimin normal të mësimit. Protestat janë pjesë e mobilizimit kombëtar dhe grevës së përgjithshme 24-orëshe të thirrur nga sindikata USB, këtë të premte, më 30 tetor. Në demonstrata janë përfshirë punonjës të sektorit publik dhe privat, studentë të shkollave të mesme dhe universiteteve, si dhe përfaqësues të organizatave sindikale.

Në Torino, përplasjet janë regjistruar pranë Prefekturës, ku protestuesit janë afruar drejt kordonëve policorë, duke hedhur vezë dhe bomba tymuese. Policia ka ndërhyrë me gaz lotsjellës dhe topa uji. Ndërkohë, në një tjetër incident në qytet, protestuesit kanë përmbysur dy bidonë me pleh organik përpara bashkisë. Në Genova, demonstruesit kanë bllokuar hyrjen e portit përmes vendosjes dhe djegies së gomave, ndërsa në Padova është djegur një fotografi e ministrit të Arsimit, Giuseppe Valditara.

Në Napoli, studentët kanë djegur një imazh ku paraqiteshin kryeministrja Giorgia Meloni dhe ministrja e Universiteteve, Annamaria Bernini. Më pas, marshimi është drejtuar drejt stacionit qendror, ku policia ka marrë masa për të shmangur bllokimin e tij. Ndërkohë, në Milano, eurodeputetja Ilaria Salis iu është bashkuar protestës së studentëve, duke shprehur kundërshtimin ndaj kostos së jetesës dhe politikave të riarmatimit. Sipas sindikatës USB, në demonstratën e Milanos kanë marrë pjesë mbi 100 mijë persona, ndërsa në të gjithë Italinë organizatorët pretendojnë se numri i protestuesve ka arritur në rreth 2 milionë.

Në Romë, dhjetëra të rinj janë mbledhur pranë stacionit Termini me pankarta kundër luftës dhe riarmatimit, ndërsa në Trieste rreth 500 persona kanë protestuar pranë portit. Protestuesit kërkojnë rritjen e pagave në përputhje me inflacionin, përmirësimin e kushteve të jetesës dhe më shumë investime në arsim, shëndetësi e shërbime publike. Ata kundërshtojnë gjithashtu shtimin e shpenzimeve ushtarake. Greva ka përfshirë edhe sektorin e shëndetësisë, ku personeli ka ndërprerë punën gjatë turneve të së premtes, ndërsa shërbimet minimale dhe urgjencat mjekësore kanë vijuar të garantohen.

Në prag të mobilizimit, ministri i Transportit, Matteo Salvini, kërkoi shtyrjen e grevës, duke argumentuar se ajo përkon me periudhën e festave të Ditës së Gjithë Shenjtorëve dhe Ditës së të Vdekurve. Sindikata USB e kundërshtoi vendimin, duke e cilësuar të paligjshëm dhe duke konfirmuar zhvillimin e protestës 24-orëshe.

Qeveria po punon për lidhje infrastrukturore me rajonin! Nikolloski: Autostrada Shkup-Blacë na lidh me portin e Tivarit

0

Lidhja infrastrukturore më cilësore e Maqedonisë me rajonin është prioriteti kryesor i Qeverisë – theksoi zëvendëskryeministri Aleksandar Nikolloski në takimin me zëvendëskryeministrin e Malit të Zi, Filip Ivanoviq. Ai theksoi se në gusht filloi ndërtimi i autostradës Shkup-Blacë, e cila nënkupton lidhje të drejtpërdrejtë me Malin e Zi, por edhe hapjen e Maqedonisë drejt një porti të tretë, portit të Tivarit.

“Në fund të muajit gusht, Maqedonia filloi ndërtimin e autostradës Shkup-Blacë, e cila nënkupton lidhje të drejtpërdrejtë me Malin e Zi, lidhje përmes autostradës, si dhe hapjen e Maqedonisë drejt një porti të tretë, që është porti i Tivarit. Duke pasur parasysh se tashmë kemi lidhje të mirë me portin e Selanikut, ndërsa po ndërtojmë lidhjen me portin e Durrësit, me ndërtimin e kësaj autostrade do të kemi një lidhje të mirë, të shkëlqyer edhe me portin e Tivarit. Në këtë mënyrë bëjmë atë që është më e mira për shtetin, pra që si një shtet që nuk ka dalje në det, të kemi dalje në të paktën tri porte”, tha Nikolloski.

Gjykata Penale e pranoi propozimin e Prokurorisë për masat! 9 persona të përfshirë në procedurën për rastin e operacioneve të syve

0

Gjithsej nëntë persona janë përfshirë në procedurën që lidhet me operacionet e syve, pas aksionit të zhvilluar gjatë ditës së djeshme. Të gjithë të dyshuarve u janë caktuar masa në përputhje me propozimet e Prokurorisë Themelore, përkatësisht konfiskimi i dokumenteve të udhëtimit dhe paraqitja e detyrueshme në gjykatë. Këtë e bëri të ditur Gjykata Penale, pas aksionit të mbrëmshëm dhe shqyrtimit të propozimeve të dorëzuara nga Prokuroria.

Ndryshe, në aksionin policor janë arrestuar disa persona, ndër ta ish-drejtorë të Fondit për Sigurim Shëndetësor dhe persona zyrtarë nga spitali privat “Sante Plus”. Gjatë kontrolleve në dhjetë lokacione në tri qytete janë sekuestruar edhe dëshmi materiale, ndër të cilat 50 mijë euro para të gatshme dhe telefona celularë. Nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë se është shkatërruar një grup i organizuar kriminal, anëtarët e të cilit, sipas dyshimeve, u kanë marrë pacientëve pagesa private për operacionet e syve, edhe pse shërbimet mbuloheshin nga Fondi.

U filmua duke hedhur mbeturina me kamion në gjelbërim, 50-vjeçari nga Shkupi thirret në polici

0

Një kamion që zbrazte mbeturina ndërtimore në një sipërfaqe të gjelbër në Karposh të Shkupit, nuk kaloi pa u vënë re. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale, ku shihej një person duke hedhur inerte në hapësirë të gjelbër, çuan deri te identifikimi dhe sanksionimi i tij nga autoritetet.

Ministria e Punëve të Brendshme njofton se bëhet fjalë për një 50-vjeçar nga Shkupi, i cili është thirrur në stacion policor për bisedë informative.

“Sot (30.10.2026), në Stacionin Policor të Kompetencës së Përgjithshme në Karposh është thirrur A.A. (50) nga Shkupi, në lidhje me videoincizimet e publikuara më herët në rrjetet sociale, në të cilat shihet një person duke hedhur mbeturina ndërtimore në një sipërfaqe të gjelbër, me një automjet transportues ‘Mercedes’ me targa të Shkupit”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Nga Ministria shtojnë se pas ndërmarrjes së masave dhe aktiviteteve përkatëse, është përcaktuar identiteti i personit, i cili është paraqitur në polici dhe me të është zhvilluar bisedë zyrtare.

“Pas kësaj, së bashku me Inspektoratin për Mjedisin Jetësor pranë Komunës së Karposhit, janë ndërmarrë masat përkatëse ligjore”, bëjnë të ditur nga MPB-ja.

Ekonomia vitin e kaluar u rrit për 3,8 për qind! BPV-ja për kokë banori afër 9.900 euro

0

Prodhimi i Brendshëm Bruto i vendit në vitin 2025 ka arritur në mbi 1,1 miliardë denarë, me rritje reale prej 3,8 për qind krahasuar me vitin paraprak, tregojnë të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikës. Rritja nominale është 7,1 për qind, ndërsa BPV-ja për kokë banori ka arritur në 9.859 euro.

Pjesëmarrjen më të madhe në aktivitetin ekonomik e kanë tregtia, transporti, magazinimi dhe hoteleria, me 19,9 për qind. Kontribut të rëndësishëm në rritje kanë pasur edhe investimet në mjetet themelore, të cilat janë rritur për 9,6 për qind. Konsumi final ka marrë pjesë me 80,7 për qind në BPV, ndërsa eksporti i mallrave dhe shërbimeve me 60,8 për qind.

Nga maji linjë e drejtpërdrejtë ajrore Shkup-Tivat! Ivanoviq për Maqedoninë: Sa më shpejt të gjendemi në BE

0

Nga 1 maji i vitit të ardhshëm lehtësohet udhëtimi ndërmjet Maqedonisë dhe Malit të Zi. Është dakorduar linjë e drejtpërdrejtë ajrore Shkup–Tivat, e cila në fazën fillestare do të ketë dy fluturime në javë. Këtë e bënë të ditur zëvendëskryeministrat e Maqedonisë dhe Malit të Zi, Aleksandar Nikolloski dhe Filip Ivanoviq.

Në takim, dy zëvendëskryeministrat biseduan edhe për mundësitë e avancimit të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Maqedonisë dhe Malit të Zi. Zëvendëskryeministri Nikolloski mori gjithashtu garanci nga homologu i tij malazez se Mali i Zi do ta mbështesë Maqedoninë në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Ivanoviq tha se Mali i Zi është lider në integrimet evropiane në rajon dhe pret të bëhet anëtar i plotë i BE-së në vitin 2028.

Si pjesë e aktiviteteve të dakorduara ndërmjet dy zëvendëskryeministrave është edhe organizimi i një forumi të madh biznesi, në të cilin do të marrin pjesë kompani nga të dyja vendet dhe i cili pritet të mbahet vitin e ardhshëm. Qëllimi është hapja e mundësive të reja për lidhje afariste dhe investime të përbashkëta.

Jep dorëheqje drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha! Fehmi Hoti caktohet u.d Drejtor

0

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, dha dorëheqje nga posti më 30 tetor, pesë ditë pas vrasjes së Arlinda Zekajt – rast që nxiti protesta dhe kërkesa për përgjegjësi institucionale.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka pranuar dorëheqjen e Hoxhës dhe e ka liruar atë nga detyra, bëri të ditur Zyra e Kryeministrit përmes një njoftimi.

Në vend të tij, ushtrues detyre i drejtorit të përgjithshëm të Policisë u caktua Fehmi Hoti, me propozim të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

“Qeveria e Republikës së Kosovës e çmon kontributin dhe angazhimin e z. Hoxha përgjatë mandatit të tij”, thuhet në njoftim.

Qeveria nuk dha arsye për dorëheqjen e Hoxhës, ndërsa ai nuk iu përgjigj thirrjeve të Radios Evropa e Lirë për të marrë një koment deri në publikimin e këtij lajmi.

Largimi i Hoxhës vjen në kohën kur institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë në Kosovë po përballen me kritika për trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt, e cila u vra nga ish-kunati i saj.

Një ditë para dorëheqjes së Hoxhës, Policia e Kosovës pezulloi nga detyra 11 zyrtarë policorë në lidhje me trajtimin e këtij rasti.

Në mesin e të pezulluarve janë: ushtruesi i detyrës së drejtorit rajonal të Policisë në Pejë, shefi i hetimeve rajonale, komandanti dhe zëvendëskomandanti i stacionit policor, drejtues të tjerë policorë dhe katër hetues.

Masa u ndërmorën edhe në sistemin prokurorial.

Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, dhe prokurorja që kishte trajtuar rastin, Arlinda Nallbani Gacaferri, u pezulluan nga detyra.

Vrasja e Zekajt nxiti protesta në Prishtinë dhe në qytete të tjera të Kosovës, ku qytetarët kërkuan drejtësi për viktimën dhe përgjegjësi nga institucionet që e kanë trajtuar rastin.