Përshkallëzohen protestat në disa qytete të Italisë, ku demonstratat e mijëra punonjësve dhe studentëve janë shoqëruar me tensione, përplasje me policinë dhe akte të dhunshme. Në Torino, forcat e rendit kanë përdorur gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë protestuesit, ndërsa në Genova janë djegur goma përpara hyrjes së portit, duke shkaktuar re të dendura tymi. Situata është tensionuar edhe në Napoli, ku protestuesit kanë marshuar drejt stacionit qendror të trenave, ndërsa forca të shumta policore dhe karabinierë kanë rrethuar hyrjen kryesore për të parandaluar bllokimin e tij. Në Bolonja, studentët kanë bllokuar hyrjet e disa shkollave të mesme, duke penguar zhvillimin normal të mësimit. Protestat janë pjesë e mobilizimit kombëtar dhe grevës së përgjithshme 24-orëshe të thirrur nga sindikata USB, këtë të premte, më 30 tetor. Në demonstrata janë përfshirë punonjës të sektorit publik dhe privat, studentë të shkollave të mesme dhe universiteteve, si dhe përfaqësues të organizatave sindikale.
Në Torino, përplasjet janë regjistruar pranë Prefekturës, ku protestuesit janë afruar drejt kordonëve policorë, duke hedhur vezë dhe bomba tymuese. Policia ka ndërhyrë me gaz lotsjellës dhe topa uji. Ndërkohë, në një tjetër incident në qytet, protestuesit kanë përmbysur dy bidonë me pleh organik përpara bashkisë. Në Genova, demonstruesit kanë bllokuar hyrjen e portit përmes vendosjes dhe djegies së gomave, ndërsa në Padova është djegur një fotografi e ministrit të Arsimit, Giuseppe Valditara.
Në Napoli, studentët kanë djegur një imazh ku paraqiteshin kryeministrja Giorgia Meloni dhe ministrja e Universiteteve, Annamaria Bernini. Më pas, marshimi është drejtuar drejt stacionit qendror, ku policia ka marrë masa për të shmangur bllokimin e tij. Ndërkohë, në Milano, eurodeputetja Ilaria Salis iu është bashkuar protestës së studentëve, duke shprehur kundërshtimin ndaj kostos së jetesës dhe politikave të riarmatimit. Sipas sindikatës USB, në demonstratën e Milanos kanë marrë pjesë mbi 100 mijë persona, ndërsa në të gjithë Italinë organizatorët pretendojnë se numri i protestuesve ka arritur në rreth 2 milionë.
Në Romë, dhjetëra të rinj janë mbledhur pranë stacionit Termini me pankarta kundër luftës dhe riarmatimit, ndërsa në Trieste rreth 500 persona kanë protestuar pranë portit. Protestuesit kërkojnë rritjen e pagave në përputhje me inflacionin, përmirësimin e kushteve të jetesës dhe më shumë investime në arsim, shëndetësi e shërbime publike. Ata kundërshtojnë gjithashtu shtimin e shpenzimeve ushtarake. Greva ka përfshirë edhe sektorin e shëndetësisë, ku personeli ka ndërprerë punën gjatë turneve të së premtes, ndërsa shërbimet minimale dhe urgjencat mjekësore kanë vijuar të garantohen.
Në prag të mobilizimit, ministri i Transportit, Matteo Salvini, kërkoi shtyrjen e grevës, duke argumentuar se ajo përkon me periudhën e festave të Ditës së Gjithë Shenjtorëve dhe Ditës së të Vdekurve. Sindikata USB e kundërshtoi vendimin, duke e cilësuar të paligjshëm dhe duke konfirmuar zhvillimin e protestës 24-orëshe.
