Nga 1 maji i vitit të ardhshëm lehtësohet udhëtimi ndërmjet Maqedonisë dhe Malit të Zi. Është dakorduar linjë e drejtpërdrejtë ajrore Shkup–Tivat, e cila në fazën fillestare do të ketë dy fluturime në javë. Këtë e bënë të ditur zëvendëskryeministrat e Maqedonisë dhe Malit të Zi, Aleksandar Nikolloski dhe Filip Ivanoviq.
Në takim, dy zëvendëskryeministrat biseduan edhe për mundësitë e avancimit të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Maqedonisë dhe Malit të Zi. Zëvendëskryeministri Nikolloski mori gjithashtu garanci nga homologu i tij malazez se Mali i Zi do ta mbështesë Maqedoninë në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Ivanoviq tha se Mali i Zi është lider në integrimet evropiane në rajon dhe pret të bëhet anëtar i plotë i BE-së në vitin 2028.
Si pjesë e aktiviteteve të dakorduara ndërmjet dy zëvendëskryeministrave është edhe organizimi i një forumi të madh biznesi, në të cilin do të marrin pjesë kompani nga të dyja vendet dhe i cili pritet të mbahet vitin e ardhshëm. Qëllimi është hapja e mundësive të reja për lidhje afariste dhe investime të përbashkëta.
