U filmua duke hedhur mbeturina me kamion në gjelbërim, 50-vjeçari nga Shkupi thirret në polici

TË FUNDIT

Një kamion që zbrazte mbeturina ndërtimore në një sipërfaqe të gjelbër në Karposh të Shkupit, nuk kaloi pa u vënë re. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale, ku shihej një person duke hedhur inerte në hapësirë të gjelbër, çuan deri te identifikimi dhe sanksionimi i tij nga autoritetet.

Ministria e Punëve të Brendshme njofton se bëhet fjalë për një 50-vjeçar nga Shkupi, i cili është thirrur në stacion policor për bisedë informative.

“Sot (30.10.2026), në Stacionin Policor të Kompetencës së Përgjithshme në Karposh është thirrur A.A. (50) nga Shkupi, në lidhje me videoincizimet e publikuara më herët në rrjetet sociale, në të cilat shihet një person duke hedhur mbeturina ndërtimore në një sipërfaqe të gjelbër, me një automjet transportues ‘Mercedes’ me targa të Shkupit”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Nga Ministria shtojnë se pas ndërmarrjes së masave dhe aktiviteteve përkatëse, është përcaktuar identiteti i personit, i cili është paraqitur në polici dhe me të është zhvilluar bisedë zyrtare.

“Pas kësaj, së bashku me Inspektoratin për Mjedisin Jetësor pranë Komunës së Karposhit, janë ndërmarrë masat përkatëse ligjore”, bëjnë të ditur nga MPB-ja.