Sekuestrohen 135 kilogramë duhan dhe 30 litra alkool në Tregun e Gjelbër në Çair

0

Një kontroll në tezgat e Tregut të Gjelbër në Çair ka zbuluar shitjen e produkteve akcizore pa pulla akcize. Dogana ka sekuestruar 135 kilogramë duhan të grirë dhe 30 litra alkool, ndërsa vlera e akcizës së papaguar arrin në 337.558 denarë.

Gjatë aksionit, zyrtarët doganorë nga Drejtoria Doganore në Shkup dhe ekipet mobile të Departamentit për Operacione kanë kapur tre persona duke shitur produkte akcizore pa pullat përkatëse.

“Gjatë kontrollit të produkteve akcizore në tezgat e Tregut të Gjelbër në Çair, janë kapur tre persona duke shitur produkte akcizore pa pulla akcize. Ata i kanë vendosur mallrat në shitje në kundërshtim me ligjin, pa e paguar paraprakisht akcizën ndaj shtetit”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Doganave.

Për dy persona janë ngritur procedura kundërvajtëse, ndërsa ndaj personit të tretë, i cili dyshohet se ka shitur produkte duke shmangur pagesën e akcizës në vlerë prej rreth 257 mijë denarësh, do të parashtrohet kallëzim penal.

Nga Dogana theksojnë se kontrollet në tregjet e brendshme do të vazhdojnë, krahas hetimeve të përforcuara për importin e duhanit dhe produkteve të duhanit, me qëllim luftimin e tregtisë së paligjshme dhe shmangies së detyrimeve ndaj shtetit.

Trump propozon që Venezuela të bëhet shteti i 51-të i SHBA-së

0

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka sugjeruar se Venezuela mund të bëhet pjesë e SHBA-së, gjatë një tubimi në Teksas të martën, për zgjedhjet e mesmandatit. 

Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, iu bashkua Trumpit për të treguar një cisternë nafte të sapoardhur të mbushur me naftë bruto venezueliane që do të përpunohet në rafineritë e Teksasit.

Ndërsa presidenti lavdëronte cisternën ai i tregonte po ashtu turmës operacionin e SHBA-së në Venezuelë në fillim të këtij viti që kapi ish-udhëheqësin Nicolas Maduro.

Trump më pas ka sugjeruar që Venezuela mund të bëhet pjesë e SHBA-së.

“Le ta bëjmë shtetin e 51-të”, është shprehur ai.

Trumpi ka hyrë në javën e fundit të zgjedhjeve të tij të fundit të mesmandatit, në një përpjekje për të forcuar fortesat republikane kundër kandidatëve demokratë jashtëzakonisht konkurrues.

Përtej Teksasit, ai kaloi nëpër Misisipi, Miçigan, Xhorxhia, Florida dhe Ajova gjatë javës së kaluar, dhe ndalesat e tij të radhës janë Ohajo, Karolina e Jugut, Florida, Kansas dhe përsëri Ajova.

Ai i kishte fituar të gjitha këto shtete në vitin 2024.

Mësuesja në Gjermani ishte në pushim mjekësor për gati 17 vjet, por merrte pagë të plotë

0

Një mësuese nga qyteti gjerman Duisburg është nën hetim nga prokuroria nën dyshimin për mashtrim, pasi për gati 17 vjet ka qenë vazhdimisht në pushim mjekësor, ndërsa ka vazhduar të marrë pagën e plotë, raporton gazeta “Welt”.

Prokuroria ka nisur procedurë ndaj saj pasi u zbulua se, ndonëse ishte nëpunëse shtetërore, gjatë kësaj periudhe nuk kishte mbajtur asnjë orë mësimi, por kishte vazhduar të përfitonte pagën e plotë.

Për këtë arsye, administrata rajonale ka urdhëruar pensionimin e saj të detyruar. Megjithatë, mësuesja e kundërshton vendimin dhe ka ngritur padi në Gjykatën Administrative në Dyseldorf, duke kërkuar që të vazhdojë të marrë pagën e plotë që përfitonte si nëpunëse aktive, në vend të pensionit të rregullt, i cili në rastin e saj do të ishte rreth 4 mijë euro në muaj.

Prokuroria kërkon dënim me burg dhe kthimin e 248 mijë eurove, për të cilat dyshohet se janë përfituar në mënyrë të paligjshme.

Një tjetër element që ka tërhequr vëmendjen e hetuesve është aktiviteti i saj privat. Edhe pse zyrtarisht ishte shpallur plotësisht e paaftë për punë, ajo zhvillonte një biznes privat me produkte kozmetike, për të cilin madje kishte marrë edhe një çmim për sipërmarrësi.

Rasti ka shkaktuar reagime edhe për shkak të mungesës së mësuesve në Duisburg. Qyteti përballet prej vitesh me mungesë serioze të kuadrit arsimor në 128 shkollat e tij, ku mësojnë rreth 70 mijë nxënës.

Për të tërhequr mësues të rinj, autoritetet lokale organizojnë fushata të posaçme, të cilat përfshijnë ture njohëse në qytet dhe përfitime si akomodim falas për një periudhë të përkohshme.

Mungojnë gati 8 tonë kanabis medicinal, kallëzim penal ndaj drejtuesit dhe kompanisë në Strumicë!

0

Një kontroll në një kompani për kultivimin e kanabisit medicinal në rajonin e Strumicës ka zbuluar mungesën e gati tetë tonëve lule të thata të kanabisit medicinal, përcjell TV21. Për sasinë e konstatuar, kompania nuk ka pasur dokumentacion përkatës që do ta dëshmonte dhe arsyetonte atë.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, kontrolli është kryer nga zyrtarë policorë të SPB-së Strumicë, në bashkëpunim me zyrtarë të komisionit kompetent pranë Ministrisë së Shëndetësisë.

Gjatë kontrollit në ambientet ku ruhej kanabisi medicinal, janë konstatuar edhe parregullsi të tjera, përfshirë mungesë të dokumentacionit për personelin e angazhuar dhe të dokumenteve të tjera të detyrueshme.

“Gjatë kontrollit të kryer në ambientet e personit juridik, ku ruhej lulja e thatë e kanabisit medicinal, zyrtarët policorë të SPB-së Strumicë dhe zyrtarët e komisionit kompetent pranë Ministrisë së Shëndetësisë kanë konstatuar mungesë të dokumentacionit lidhur me personelin e angazhuar, mungesë të dokumentacionit tjetër të detyrueshëm, si dhe mungesë të 7.813,49 kilogramëve lule të thata të kanabisit medicinal, për të cilën sasi personi juridik i kallëzuar nuk dispononte dokumentacion përkatës dhe dëshmi mbuluese”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Për rastin, SPB-ja Strumicë ka paraqitur kallëzim penal ndaj personit juridik me seli në fshatin Borisovë, në komunën e Novo Sellës, si dhe ndaj drejtuesit V.K., nga fshati Novo Sellë, me qëndrim në Strumicë. Ata dyshohen për vepra penale në bazë të nenit 95-v, paragrafët 1 dhe 2, të Ligjit për Kontrollin e Drogave Narkotike dhe Substancave Psikotrope.

187 prokurorë votojnë për zgjedhjen e shefit të ri të Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit! Pesë kandidatë në garë

0

Sot, 187 prokurorë publikë votojnë për të zgjedhur drejtuesin e ri të Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Maqedoninë e Veriut.

Në garë për këtë funksion janë pesë kandidatë: Faton Azizi, Trajçe Pelivanov, Lidija Raiçeviq, Iskra Haxhi-Vasileva dhe Jovan Cvetanovski.

Votimi është paraparë të zhvillohet nga ora 08:00 deri në orën 16:00.

Zgjedhja e shefit të ri të kësaj prokurorie konsiderohet e rëndësishme për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe për pavarësinë e prokurorisë dhe forcimin e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë.

-3°C në Kodrën e Diellit! Mot i ndryshueshëm, temperaturat deri në 18 gradë në Maqedoni

0

Temperatura më e ulët e mëngjesit, prej minus 3 gradë Celsius, është matur në Kodrën e Diellit, ndërsa zero gradë janë matur në Lazaropolë, Krushevë dhe Mavrovë Hanet.

Sipas Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike, 3 gradë janë regjistruar në Pretor dhe Ohër, 4 në Berovë dhe Prilep, ndërsa 5 gradë në Kriva Pallankë, Vinicë, Tetovë, Manastir dhe Demir Kapi.

Në Shtip dhe Strumicë janë matur 6 gradë, në Kavadar 7, ndërsa më ngrohtë ka qenë në Veles, Shkup – Zajçev Rid dhe Gjevgjeli, me 8 gradë Celsius.

Gjatë 24 orëve të fundit, deri në orën 7:00, më së shumti reshje shiu janë regjistruar në Demir Kapi, me 3 litra për metër katror. Nga 1 litër për metër katror janë matur në Strumicë, Pretor, Kavadar, Gjevgjeli, Tetovë, Kriva Pallankë, Manastir, Lazaropolë dhe në Kodrën e Diellit.

Sot moti do të jetë pjesërisht i vranët, me periudha me diell. Do të fryjë erë mesatare deri e përforcuar nga drejtimi veriperëndimor, e cila në disa vende përgjatë luginës së Vardarit do të arrijë shpejtësi mbi 60 kilometra në orë.

Temperatura maksimale ditore do të lëvizë nga 11 deri në 18 gradë Celsius.

Në Shkup pritet mot pjesërisht i vranët, me periudha me diell dhe erë të dobët deri mesatare nga drejtimi verior, e cila në disa pjesë të luginës herë pas here do të jetë e përforcuar. Temperatura maksimale do të arrijë deri në 14 gradë Celsius.

Rama nuk heq dorë, sërish kërkon dialog me protestuesit

0

Kryeministri Rama ka bërë sërish ftesën e tij për studentët, duke përsëritur gatishmërinë e tij për dialog në çdo kohë.

Në llogarinë e tij të Facebook, siç ka bërë tashmë prej tre ditësh, ai ka shpërndarë një video të sofrës së gurtë të dialogut para Kryeministrisë.

Ndërkohë protestuesit vijojnë ta refuzojnë Kryeministrin, dhe vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e tij pa kushte.

Nga Tetova në Cyrih! Omer Xhemali drejton Klinikën e Kirurgjisë së Zemrës

0
Prof. Dr. med Omer Dzemali MD, PhD, Chefarzt Stv./Senior Surgeon, Stadtspital Triemli, Zürich, 28.10.2016, © Dominique Meienberg

Prof. dr. Omer Xhemali, me origjinë nga Tetova, është drejtor i Klinikës së Kirurgjisë së Zemrës në Spitalin Universitar të Cyrihut, në Zvicër. Ai e mori këtë detyrë më 1 dhjetor 2022, ndërsa veprimtaria e tij profesionale përfshin kirurgjinë, mësimdhënien dhe kërkimin shkencor.

Xhemali është gjithashtu drejtues i Aleancës për Kirurgjinë e Zemrës në Cyrih, ku bashkëpunojnë Spitali Universitar dhe Spitali i Qytetit të Cyrihut.

Rrugëtimin në mjekësi e nisi në Sarajevë, ndërsa më pas vazhdoi studimet në Universitetin “Johannes Gutenberg” në Mainz të Gjermanisë, ku doktoroi në vitin 2000. Karrierën profesionale e vazhdoi në Klinikën Universitare në Frankfurt, përpara se të vendosej në Zvicër.

Që nga viti 2009, Xhemali ka mbajtur pozita drejtuese në Spitalin Triemli në Cyrih, ndërsa në shtator të vitit 2018 mori drejtimin e kirurgjisë së zemrës në këtë institucion. Me Spitalin Universitar të Cyrihut bashkëpunon që nga viti 2016.

Fushat e tij të specializimit përfshijnë operacionet minimale invazive të zemrës, kirurgjinë e valvulës mitrale dhe kirurgjinë rindërtuese. Ai ka përvojë edhe në ndërhyrjet klasike në zemër dhe në kirurgjinë e transplantimit.

Përveç angazhimit të tij në Zvicër, Xhemali mban lidhje edhe me komunitetin akademik në Maqedoninë e Veriut. Universiteti i Tetovës i ka ndarë titullin doktor honoris causa në vitin 2015, ndërsa në vitin 2023 ai fitoi të drejtën për të dhënë mësim në Universitetin e Cyrihut.

Partitë arabe mund të kenë rol kyç në Izrael

0

Teksa rezultatet e zgjedhjeve në Izrael po publikohen gradualisht, duket se kryeministri veteran i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka dalë më mirë nga sa parashikohej, pasi partia e tij Likud po del si partia më e madhe e vetme.

Blloku i tij aktual, i përbërë nga partitë ultranacionaliste dhe ultraortodokse hebraike, duket se është paksa larg shumicës prej 61 mandatesh në parlamentin me 120 vende. Megjithatë, analistët paralajmërojnë se kjo mund të ndryshojë.

Një bllokim i thellë politik ishte parashikuar gjerësisht, ndërsa izraelitët iu drejtuan masivisht kutive të votimit, ndërkohë që pjesëmarrja ka arritur në më shumë se 77 për qind.

Në sistemin politik të fragmentuar të Izraelit, shenjat tregojnë se rivali kryesor i Netanyahut, ish-shefi i ushtrisë Gadi Eisenkot, do ta kishte të vështirë të siguronte shumicën parlamentare pa partitë e udhëhequra nga pakica arabe e Izraelit. Sipas rezultateve të pjesshme, këto parti kanë arritur të barazojnë ose të tejkalojnë numrin rekord të mëparshëm të mandateve. 

Gjatë fushatës zgjedhore, shumica e partive hebraike të opozitës u zotuan se nuk do të bashkëpunonin me listat e dominuara nga arabët, duke përmendur mungesën e vlerave të përbashkëta.

Megjithatë, partitë e udhëhequra nga arabët e Izraelit mund të bëhen vendimtare për formimin e qeverisë, nëse partitë e tjera do të ishin të gatshme të bashkonin forcat me to. Në këto zgjedhje, izraelitët arabë, të cilët shpesh identifikohen si qytetarë palestinezë të Izraelit dhe përbëjnë një të pestën e popullsisë, duket se kanë votuar në numër të paprecedentë.

Sondazhet pas mbylljes së qendrave të votimit në Izrael nuk tregojnë një fitues të qartë, ndërsa blloku i Eisenkotit është kokë më kokë me atë të Netanyahut.

Shumëkush i konsideroi këto zgjedhje si një mundësi vendimtare për të rrëzuar qeverinë më të djathtë në historinë e Izraelit, të cilën e akuzojnë për nxitje të racizmit dhe urrejtjes.

Një rezervë e madhe në të gjitha analizat e deritanishme është numri i lartë i votave me postë që ende nuk janë numëruar, shumica e të cilave përfaqësojnë votat e ushtarëve izraelitë. Për këtë arsye, nuk pritet të ketë një pamje të qartë të rezultatit përfundimtar edhe për një ose dy ditë. 

Gjatë natës, si Netanyahu, ashtu edhe Eisenkot u janë drejtuar mbështetësve të tyre, duke u zotuar se do të formojnë qeverinë e ardhshme.    

“Blloku i së djathtës ka një shumicë të qartë dhe vendimtare në mesin e publikut sionist, publikut hebre dhe të gjithë atyre që mbështesin shtetin hebre. Kjo është ajo që është bërë e qartë. Një shumicë vendimtare”, u ka thënë kryeministri mbështetësve të tij që po festonin, megjithëse nuk shkoi deri aty sa të shpallte fitoren. 

“Duhet të formojmë një qeveri të fortë, kombëtare dhe të djathtë. Kjo është ajo që duhet të bëjmë”, shtoi ai.

“Publiku ka zgjedhur ndryshimin”, ka deklaruar Eisenkot para partisë së tij Yashar, pasi u publikuan sondazhet pas mbylljes së qendrave të votimit, shumica e të cilave fillimisht ishin më të favorshme për opozitën.

“Koalicioni i dështimit e ka humbur besimin e popullit. Publiku izraelit votoi kundër vazhdimit të Benjamin Netanyahut në postin e kryeministrit”, ka shtuar ai.

Në shoqërinë izraelite ekzistojnë ndarje të thella, të cilat janë vënë në pah nga këto dhe zgjedhjet e mëparshme. Ato kanë shërbyer jo vetëm si referendume për udhëheqjen e Netanyahut, i cili po përballet me një gjyq për korrupsion lidhur me akuza që ai i mohon, por edhe si votime për të përcaktuar se çfarë lloj vendi duhet të jetë Izraeli.

Gjatë katër vjetëve të fundit, kryeministri dhe partnerët e tij aktualë të koalicionit e kanë orientuar vendin drejt një kursi të ashpër fetar dhe nacionalist. Para sulmeve të paprecedenta të udhëhequra nga Hamasi më 7 tetor 2023, të cilat shkaktuan një seri luftërash në Gazë, Liban dhe Iran, pati protesta masive kundër planit të tyre për një reformë të thellë të sistemit gjyqësor.

Shumë izraelitë dëshirojnë që vendi i tyre të mbështetet më fort në vlerat liberale dhe laike. Çuditërisht, katër vjetët e fundit, të mbushura me trazira, nuk duket se i kanë ndryshuar ndjeshëm modelet e votimit.

Që gjatë natës, partitë kryesore izraelite kanë nisur negociatat intensive politike për të tentuar formimin e një qeverie të re koalicioni.

Udhëheqësit e partive më të mëdha zakonisht përpiqen të bindin partitë më të vogla që t’u bashkohen, duke u premtuar poste ministrore, fonde buxhetore ose zbatimin e politikave të caktuara.

Tani, çështja kryesore është të shihet nëse partitë e bllokut kryesor opozitar, të ashtuquajturit “blloku i ndryshimit”, janë të gatshme të thyejnë një tabu duke arritur një marrëveshje politike me partitë arabe.

Gjatë fushatës zgjedhore, njëri prej udhëheqësve të këtij blloku, politikani i djathtë Avigdor Lieberman, shkoi deri aty sa deklaroi se nuk do të merrte pjesë në një qeveri të pakicës që do të varej nga mbështetja e tyre.

Kjo ishte një shenjë e rritjes së mosbesimit dhe armiqësisë ndaj qytetarëve arabë që prej sulmit të 7 tetorit.

Arrestohet Albert Syla, i dyshuari për vrasjen e Arlinda Zukajt!

0

00:06 – Policia e Kosovës: Arrestohet personi i dyshuar për rastin “vrasje e rëndë” ndodhur në Vitomiricë të Pejës

Policia e Kosovës, në mesnatë ka dalë me njoftim dhe ka konfirmuar informacionet paraprake se është arrestuar Albert Sylaj, i dyshuari për vrasjen e Arlinda Zukajt në Pejë të Kosovës, njofton TV21.

“Pas angazhimeve intensive operative dhe hetimore, si dhe bashkëpunimit me qytetarët, është lokalizuar dhe arrestuar personi i dyshuar, Albert Sylaj, i cili ishte në kërkim lidhur me rastin “vrasje e rëndë” të ndodhur më 25 tetor 2026, në fshatin Vitomiricë të Pejës. Arrestimi është realizuar sonte, rreth orës 23:40, në Deçan, pas veprimeve të ndërmarra nga njësitet përkatëse policore. Policia e Kosovës falënderon të gjithë qytetarët për bashkëpunim e ofruar për lokalizimin e personit të dyshuar. Mbesim të përkushtuar në përmbushjen e detyrave ligjore në bashkëpunim me institucionet kompetente, me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave të rastit. Për veprimet e mëtejme procedurale do të veprohet në koordinim me organet kompetente të drejtësisë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

______________________________________________________
23:55 – Arrestohet Albert Syla, i dyshuari për vrasjen e Arlinda Zukajt!

Njësite të shumta policore, në krye me njësitin special FIT, realizuan aksionin për kapjen e Albert Sylajt, i dyshuar për vrasjen makabre të Arlinda Zekajt.

Mediat në Kosovë raportojnë se Sylaj ishte lokalizuar në malet e Becit të Gjakovës, nga ku po negocionte dy kushte me policinë, për dorëzimin e tij.

Të njëjtat media njoftojnë se Sylaj tashmë është arrestuar.

Por, si arriti Alberti deri në Bec?

Bëhet e ditur se ai kishte shkuar në Gjakovë për të marrë veturën e motrës së tij, për të realizuar arratinë.

Aty hasi në rezistencë, gjë që i prishi planet.

Motra dhe dhëndrri i tij nuk i bënë zgjidhje, prandaj ai mori rrugën malore, për t’i ikur syrit publik dhe për t’u fshehur.