Impianti i ujërave të zeza në Shkup, Hoxha: Financimi për këtë vit është i siguruar

0

A rrezikohet realizimi i projektit për trajtimin e ujërave të zeza në Shkup pas ndryshimeve në buxhet? Ministri i Mjedisit Jetësor, Muhamed Hoxha, thotë se, pavarësisht shkurtimit të një pjese të mjeteve nga linjat kreditore të Bankës Evropiane të Investimeve, pagesat e parapara deri në fund të vitit janë siguruar. Çështja është e rëndësishme për kryeqytetin, ku ujërat e zeza vazhdojnë të derdhen të patrajtuara në lumin Vardar. Ndërkohë, për disa vendbanime të tjera janë ndërtuar sisteme më të vogla për pastrimin e ujërave të ndotura, përfshirë stacionin në Saraj, për ujërat që përfundojnë në Treskë, dhe atë në Novo Sellë, për ujërat që derdhen në Lepenc.

“Gjatë rishikimit të buxhetit, ministrisë sonë i është marrë një pjesë e mjeteve nga linjat kreditore të Bankës Evropiane të Investimeve. Kjo nuk ka të bëjë me stacionin e pastrimit në Shkup. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se nuk ka mjete. Të gjitha pagesat që duhet t’i kryejmë deri në fund të këtij viti janë të përfshira në buxhetin e ministrisë”, tha Muhamed Hoxha

Një tjetër çështje për të cilën foli ministri është deponia në ish-kompleksin industrial Jugohrom, në Jegunovcë. Sipas tij, institucionet kanë nisur koordinimin për të gjetur një zgjidhje që do ta trajtonte problemin në mënyrë afatgjatë.

“Kemi miratuar konkluzionet dhe kemi formuar një grup pune, të përbërë nga përfaqësues të ministrive të ndryshme dhe ekspertë, të cilët po punojnë për gjetjen e një zgjidhjeje ideale afatgjatë, që do t’i japë fund problemit të kësaj deponie”, deklaroi Hoxha

Këto përgjigje Hoxha i dha gjatë prezantimit të pesë moduleve të iniciativës „Kthesa e gjelbër përmes digjitalizimit“. Nisma synon të përmirësojë transparencën institucionale, të thjeshtojë procedurat administrative dhe të mundësojë menaxhim më efikas të të dhënave që lidhen me mbrojtjen e mjedisit.

“Shqiptarë e maqedonas edhe pas të hënës do të jetoni pranë njëri-tjetrit”, Mickoski: Bërvenicë, votoni me arsye e me zemër

0

Kryeministri Hristijan Mickoski u bëri thirrje banorëve të Bërvenicës që të votojnë kandidatin nga koalicioni “Maqedonia Jote”, i udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja, Stojanço Radiçevski, përcjell TV21. Duke komentuar koalicionin AKI, Mickoski thotë se ata po tentojnë të ndajnë popullin në baza etnike.

“Se ata do të vazhdojnë të jetojnë krah për krah pas 1 nëntorit dhe pas fundjavës. Do të vijnë politikanë që do t’i ndajnë ata kryesisht sipas përkatësisë etnike. Ata janë të pashpresë dhe në këtë mënyrë përpiqen të shpëtojnë atë pak që ka mbetur nga e ardhmja e tyre politike. Por mos harroni se ata do të ikin, nuk do t’ua shihni sytë, ndërsa ju, maqedonas dhe shqiptarë, do të vazhdoni të jetoni krah për krah. Dhe mos votoni kurrë sepse ndonjë politikan ju thotë të votoni për dikë vetëm sepse ai i përket një komuniteti etnik apo një tjetri. Në vend të kësaj, votoni me arsyen dhe zemrën tuaj. Votoni për atë që do të sjellë kohë më të mira për ju dhe familjen tuaj, si dhe më shumë projekte. Na lini neve, politikanëve. Votoni për atë që mendoni se do të realizojë më shumë projekte për ju. Mos i shpëtoni politikanët e humbur e të fundosur, të cilët e kemi parë se çfarë kanë bërë në skenën politike të Maqedonisë për njëzet vjet. Më 2 nëntor, ata do të harrojnë gjithçka që ju kanë premtuar. Më 2 nëntor, ne si qeveri do të kthehemi dhe do ta ndërtojmë rrugën nga Stençe në Gurgurnicë, do ta ndërtojmë kopshtin në Çellopek, do ta ndërtojmë shkollën në Sedllarcë e kështu me radhë. Do ta ndërtojmë edhe stadiumin në Radiovc. Ne si qeveri do të kthehemi sërish atje, ndërsa këta njerëz do të mendojnë se në këtë mënyrë do të përfitojnë. Mos lejoni të ndaheni, sepse do të jetoni përsëri së bashku edhe pas 2 nëntorit, ndërsa ata do të ikin dhe nuk do t’ua shihni më sytë”, tha Mickoski.

Kujtojmë se kundërkandidat i Radiçevskit nga VMRO-DPMNE është Arkin Jahiji nga AKI.  

Kasami: Mbështetja e VLEN-it për Jahijin në Bërvenicë varet nga sjellja e BDI-së

0

Bashkëkryetar i VLEN-it, Bilall Kasami nuk tregoi qartë nëse do ta mbështesin në raundin e dytë kandidatin e AKI-së për kryetar të Bërvenicës, Arkin Jahiji, përcjell TV21. Kasami tha se mbështetja e VLEN-it për AKI-në varet nga sjellja e BDI-së, respektivisht e AKI-së.

“BDI doli triumfuese edhe pse nuk i fitoi zgjedhjet, pra nuk shkoi si fituese në raundin e dytë. Ne sigurisht që jemi deklaruar pro, por angazhimi ynë varet nga mënyra se si do të sillet BDI në gjithë këtë periudhë. Nëse BDI do të vazhdojë ta bëjë fushatën si BDI, apo qoftë si AKI, dhe fushata të jetë kundër VLEN-it, në këtë rast ata duhet të sqarohen me vetveten. Kjo sepse, ndryshe nga para një viti e ca, kur kandidati i VLEN-it i largoi të gjitha simbolet politike dhe partiake dhe kërkoi votën si shqiptar, kjo nuk po ndodh tani. Për më tepër, deklarimet e zyrtarëve të lartë të AKI-së dhe BDI-së janë se ata e kanë fituar VLEN-in. Pra, nëse edhe më tutje qëllimi i tyre nuk është të fitojnë Bërvenicën, por të dalin fitues ndaj VLEN-it, atëherë ata me vetëdije po bëjnë një fushatë për ta humbur Bërvenicën. Këtu ne kërkojmë nga ata që të jenë të kujdesshëm. Nëse duan dhe besojnë se kanë një kandidat më të mirë për ta udhëhequr Bërvenicën, pavarësisht përkatësisë etnike dhe politike, atëherë le të bëjnë një fushatë të tillë. Nëse duan të tregojnë se e kanë fituar VLEN-in dhe se në raundin e dytë do ta fitojnë VLEN-in, atëherë ata do ta humbin komunën. Pra, përgjegjësia për fitoren dhe humbjen e komunës është e tyre. Ne këtë ua kemi thënë që në raundin e parë. Ne mund t’i përkrahim, por nuk mund ta sigurojmë fitoren në raundin e dytë, sepse kandidati është i tyre”, tha Kasami.

Kujtojmë se kundërkandidat i Jahijit është Stojanço Radiçevski, nga koalicioni “Maqedonia Jote”, i udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja.

Nën ndikimin e alkoolit, tetovari voziste në kahun e kundërt në rrugën Gostivar–Tetovë

0

Një 33-vjeçar nga fshati Dobrosht është arrestuar pasi drejtonte veturën në gjendje të dehur dhe në kahun e kundërt në rrugën Gostivar–Tetovë. Në pranga kanë përfunduar edhe dy bashkudhëtarët e tij, për shkak të sjelljes agresive ndaj policisë.

Më 28 tetor 2026, policia ka pranuar një denoncim se një veturë e markës “Škoda”, me targa të Tetovës, po lëvizte në kahun e kundërt në rrugën Gostivar–Tetovë.

Pas ndërhyrjes së policisë, vetura është ndaluar në pikëpagesën rrugore në Tetovë. Gjatë kontrollit, është konstatuar se shoferi B.O. (33), nga fshati Dobrosht, ishte nën ndikimin e alkoolit, me 2,06 promilë alkool në gjak.

Për këtë arsye, ai është privuar nga liria.

Policia ka arrestuar edhe dy bashkudhëtarët e tij, A.J. (27), nga fshati Nerasht, dhe N.A. (38), nga fshati Dobrosht, pasi dyshohet se janë sjellë në mënyrë agresive dhe të vrazhdë ndaj zyrtarëve policorë gjatë kryerjes së detyrave zyrtare.

Të tre personat janë mbajtur në stacionin policor. Sipas njoftimit, pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tyre do të pasojnë parashtresat përkatëse ligjore.

Rreth 66.800 qytetarë janë paraqitur për vaksinim kundër gripit sezonal, në dispozicion 56.000 vaksina

0

Rreth 66.800 qytetarë janë paraqitur deri dje për vaksinim kundër gripit sezonal në Maqedoninë e Veriut, përcjell TV21. Nga 6.700 qytetarët që janë ftuar përmes mesazheve SMS, gati 3.300 janë vaksinuar gjatë tri ditëve të punës, deklaroi sot ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.

Sipas tij, aktualisht vaksinohen rreth 1.000 qytetarë në ditë, ndërsa synimi është që ky ritëm të rritet në 1.700 deri në 2.000 vaksinime në ditë.

Numri më i madh i qytetarëve të paraqitur është nga Shkupi, me gati 20.000 persona, pasuar nga Manastiri, Prilepi, Strumica dhe Tetova.

Ministri njoftoi se është lidhur kontratë për furnizimin me 26.000 vaksina të tjera, duke e çuar numrin e përgjithshëm të vaksinave në dispozicion në 56.000. Deri në fund të nëntorit pritet të mbërrijnë edhe 30.000 vaksina të tjera, me çka numri i përgjithshëm do të arrijë në 86.000.

“Ka vaksina të mjaftueshme për të gjithë. Të gjithë do të vaksinohen dhe kërkoj nga qytetarët pak durim, derisa të marrin ftesën e tyre”, deklaroi Klekovski.

Ai shtoi se këtë javë shtëpitë e shëndetit do të fillojnë vaksinimin në shtëpitë e personave të moshuar, ndërsa nga java e ardhshme do të vaksinohen edhe pacientët në qendrat e dializës.

Klekovski bëri të ditur se rreth 500 qytetarë nuk janë paraqitur në terminet e caktuara për vaksinim, që përbën afërsisht 13 për qind të termineve të parealizuara. Ai u bëri thirrje qytetarëve që nuk mund ta shfrytëzojnë terminin e caktuar, ta anulojnë atë, në mënyrë që të lirohet vend për dikë tjetër.

Duke komentuar vaksinimin në Slloveni dhe Kroaci, i cili pritet të fillojë në fillim të nëntorit, ministri tha se kjo nuk është vonesë, pasi sezoni kryesor i gripit sezonal është gjatë muajve janar dhe shkurt.

Sa i përket vaksinës BCG, Klekovski tha se ende pritet mbërritja e saj dhe se procedura për furnizim është në vazhdim. Ai shtoi se po analizohen rastet e osteomielitit nga viti 2020 e këtej dhe se pret që së shpejti të ketë informacione më të hollësishme.

Mercedes-Benz ul pritshmëritë për fitimin në 2026-n, thellohet kriza

0

Mercedes-Benz ka ulur ndjeshëm pritshmëritë financiare për vitin 2026, duke sinjalizuar përkeqësimin e kushteve në industrinë gjermane të automobilave.

Kompania pret që fitimi bazë të mbetet në rreth 5.8 miliardë euro, duke hequr dorë nga parashikimi i mëparshëm për një rritje prej të paktën 15%.

Prodhuesi gjerman është bërë kompania e tretë e madhe automobilistike në Gjermani që rishikon në rënie perspektivën financiare për këtë vit, në një kohë kur tregu kinez po bëhet gjithnjë e më sfidues dhe kostot e materialeve vazhdojnë të rriten.

Krahas fitimit, Mercedes-Benzi ka ulur edhe parashikimin për marzhin e fitimit në biznesin e veturave, duke e zbritur atë në intervalin 2–3%, nga 3–5% që priste më parë.

Të dhënat paraprake për tremujorin e tretë tregojnë se fitimi bazë arriti në 1.77 miliardë euro, ndërsa marzhi i fitimit në divizionin e veturave ishte 2.5%. Rezultatet e plota financiare për këtë periudhë pritet të publikohen të mërkurën.

Një nga faktorët kryesorë që po rëndon mbi Mercedes-Benz është dobësimi i performancës në Kinë, treg që për vite me radhë ka qenë thelbësor për prodhuesit gjermanë të automjeteve. Dorëzimet e automjeteve të kompanisë në këtë treg ranë edhe për 29% gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2026, pasi shitjet kishin arritur vitin e kaluar nivelin më të ulët që nga viti 2016.

Përveç kërkesës më të dobët, kompania po përballet me konkurrencë gjithnjë e më të fortë nga prodhuesit kinezë, përfshirë BYD dhe Xiaomi, të cilët po forcojnë pozitat e tyre përmes ofertave konkurruese dhe zgjerimit të pranisë në tregun e automjeteve elektrike.

Pas njoftimit për rishikimin e parashikimeve, aksionet e Mercedes-Benz ranë me më shumë se 4%, ndërsa aksionet e Volkswagen dhe BMW humbën rreth 2%. Të dyja këto kompani i kishin ulur më herët parashikimet financiare për vitin, duke treguar se vështirësitë nuk janë të kufizuara vetëm te Mercedes-Benz, por prekin një pjesë të madhe të industrisë gjermane të automobilave.

Drejtori ekzekutiv i Mercedes-Benz, Ola Källenius, u ka bërë thirrje punonjësve gjermanë të punojnë më shumë orë pa pagesë shtesë, ndërsa kompania po zgjeron prodhimin në Hungari, ku, sipas tij, kostot janë rreth 70% më të ulëta sesa në Gjermani.

Ndërkohë, Volkswageni planifikon të shkurtojë 120 mijë vende pune në mbarë botën deri në fund të dekadës. 

Nëse realizohet, ky plan do të përbënte një nga proceset më të mëdha të ristrukturimit në historinë e industrisë së automobilave, duke tejkaluar shkurtimet prej 50 mijë vendesh pune pas falimentimit të General Motors në vitin 2009.

Fertiliteti në BE në nivelin më të ulët që nga viti 2001, e ngjashme gjendja edhe në Maqedoni

0

Shkalla e fertilitetit në Maqedoni është 1,35 fëmijë të lindur gjallë për grua, pothuajse në të njëjtin nivel me mesataren e Bashkimit Evropian, e cila në vitin 2024 arriti nivelin rekord të ulët prej 1,34 fëmijësh për grua. Këtë e tregojnë të dhënat e Eurostatit për lëvizjet demografike.

Shkalla e fertilitetit në Bashkimin Evropian në vitin 2024 ishte më e ulëta që nga fillimi i publikimit të kësaj serie statistikore në vitin 2001. Gjatë 20 viteve të fundit, ajo ka mbetur vazhdimisht nën nivelin prej 2,10 fëmijësh të lindur gjallë për grua, që konsiderohet i nevojshëm për zëvendësimin natyror të popullsisë. Gjatë kësaj periudhe, shkalla ka lëvizur nga 1,34 deri në 1,57 fëmijë për grua.

Gjendje e ngjashme paraqitet edhe në Maqedoni, megjithëse ka dallime mes rajoneve. Mbi mesataren kombëtare prej 1,35 fëmijësh për grua janë Rajoni i Shkupit, me shkallë prej 1,73, Rajoni Verilindor me 1,40 dhe Rajoni i Pellagonisë me 1,36.

Nën mesataren kombëtare janë Rajoni i Pollogut dhe ai Jugperëndimor, me nga 1,27 fëmijë të lindur gjallë për grua, Rajoni i Vardarit me 1,31, Rajoni Juglindor me 1,30 dhe Rajoni Lindor, ku shkalla është më e ulëta, me 1,16 fëmijë për grua.

Të dhënat rajonale për Bashkimin Evropian tregojnë se, nga gjithsej 1.165 rajone për të cilat ka të dhëna të disponueshme, në 439 rajone, përkatësisht 37,7 për qind, shkalla e fertilitetit ishte nën mesataren e BE-së. Në 714 rajone, ose 61,3 për qind, ajo ishte mbi mesataren, ndërsa në 12 rajone ishte e barabartë me mesataren e Bashkimit Evropian.

Shkallë prej të paktën 1,75 fëmijësh të lindur gjallë për grua është regjistruar në 14 rajone të Bullgarisë dhe Francës, gjashtë rajone të Gjermanisë, tri të Sllovenisë dhe nga dy rajone të Hungarisë, Holandës dhe Rumanisë. Një shkallë e tillë është regjistruar edhe në nga një rajon të Irlandës, Greqisë, Kroacisë dhe Sllovakisë.

Shkallët më të ulëta të fertilitetit në BE janë regjistruar në Spanjë, veçanërisht në pjesën veriperëndimore dhe në disa rajone ishullore, si dhe në pjesën më të madhe të Italisë, sidomos në Sardenjë.

Shkallë prej më pak se një fëmije të lindur gjallë për grua është regjistruar në 16 rajone të Spanjës, shtatë të Polonisë, pesë të Italisë, tri të Greqisë dhe nga dy rajone të Gjermanisë dhe Lituanisë.

Dalloni lajmet e rreme, luani dhe mësoni: Europe House i fton të rinjtë ta provojnë “Escape Fake”

0

A mund ta dalloni çfarë është e vërtetë dhe çfarë është e rreme në internet? “Escape Fake”, një lojë interaktive me realitet të shtuar, përmes së cilës të rinjtë mësojnë të identifikojnë lajmet e rreme, fotografitë e manipuluara dhe dezinformatat, tani është në dispozicion edhe në gjuhën maqedonase dhe shqipe. Loja është falas, mund të luhet në telefona celularë dhe tabletë, ndërsa përveç këtyre dy gjuhëve, është e disponueshme edhe në tetë gjuhë të tjera evropiane.

Në një kohë kur dezinformatat dhe përmbajtjet e krijuara me inteligjencë artificiale po bëhen gjithnjë e më të vështira për t’u dalluar, Europe House i fton të rinjtë t’i testojnë aftësitë e tyre të të menduarit kritik përmes lojës. Në vend të ligjëratave tradicionale, “Escape Fake” ofron një përvojë interaktive, ku lojtarët hulumtojnë informacione të dyshimta, zgjidhin enigma dhe zbulojnë se si përmbajtjet digjitale mund të manipulohen për të ndikuar në qëndrimet dhe vendimet tona.

Në kuadër të Ditëve të Edukimit Mediatik 2026, nga 26 deri më 30 tetor, Europe House organizon punëtori interaktive për nxënësit e shkollave të mesme, ku ata kanë mundësi ta provojnë lojën dhe përmes shembujve praktikë të mësojnë se si t’i identifikojnë dezinformatat.

E zhvilluar në Bashkimin Evropian me mbështetjen e programit “Evropa Kreative”, “Escape Fake” i udhëheq lojtarët në një udhëtim interaktiv në botën e dezinformatave. Me ndihmën e Hanës, një hakere etike dhe historiane, lojtarët eksplorojnë dy misione. Në “Muzeun e Dezinformatave”, ata zbulojnë falsifikime historike, fotografi të manipuluara dhe përmbajtje “deepfake”, ndërsa në “Situata në Autobus” hetojnë një histori të rreme që është përhapur në internet, verifikojnë burimet dhe mësojnë të identifikojnë mashtrimet përmes metodës “phishing”, profilet e dyshimta në internet dhe manipulimet digjitale.

Në kuadër të punëtorive, nxënësit marrin pjesë edhe në diskutime dhe ushtrime praktike, përmes të cilave e lidhin përvojën nga loja me situatat e përditshme në rrjetet sociale. Qëllimi është që të rinjtë të inkurajohen t’i vënë në dyshim informacionet që shohin në internet, t’i verifikojnë burimet përpara se të shpërndajnë përmbajtje dhe të zhvillojnë aftësi për të marrë vendime të informuara në botën digjitale.

Përmes kësaj nisme, Europe House dhe Delegacioni i Bashkimit Evropian synojnë të tregojnë se edukimi mediatik mund të jetë interesant, interaktiv dhe i qasshëm për të gjithë. Identifikimi i dezinformatave nuk është vetëm një aftësi e dobishme, por edhe një pjesë e rëndësishme e pjesëmarrjes së përgjegjshme në botën digjitale.

A jeni gati t’i zbuloni lajmet e rreme? Europe House i fton të rinjtë, nxënësit dhe të gjithë të interesuarit ta provojnë “Escape Fake”, t’i testojnë njohuritë e tyre dhe përmes lojës të zbulojnë se si të mbrohen nga dezinformatat dhe manipulimet në internet.

“Escape Fake” është falas dhe e disponueshme për të gjithë të interesuarit. Shkarkoni aplikacionin dhe filloni të luani. Të gjitha informacionet e nevojshme janë në dispozicion në https://europehouse.mk/.

10 të vdekur nga përplasja e dy trenave të shpejtësisë së lartë në Spanjë

0

Të paktën 10 persona raportohet se kanë humbur jetën si pasojë e përplasjes së dy trenave të shpejtësisë së lartë në Spanjë, aksident që ka ndodhur të mërkurën në provincën e Toledos, në pjesën qendrore të vendit.

Autoriteti shtetëror spanjoll për infrastrukturën hekurudhore, Adif, ka njoftuar se qarkullimi i trenave në linjën që lidh Madridin me rajonin jugor të Andaluzisë është pezulluar pas përplasjes.

“Qarkullimi në linjën hekurudhore të shpejtësisë së lartë Madrid–Andaluzia është pezulluar pas një përplasjeje nga pas mes dy trenave”, ka njoftuar Adif përmes një mesazhi të publikuar në rrjetin social X.

Sipas informacioneve të publikuara, në aksident janë përfshirë një tren i kompanisë shtetërore Renfe dhe një tren i kompanisë Iryo, të cilët po udhëtonin nga Madridi në drejtim të Seviljes.

Përplasja ka ndodhur pak pas orës 09:00, sipas kohës lokale, në zonën mes qyteteve Mora dhe Orgaz. Si pasojë e incidentit, dy vagonë të trenit të kompanisë Iryo kanë dalë nga shinat.

Një zëdhënës i qeverisë rajonale të Kastiljes-La Mançës ka bërë të ditur se shkaqet e aksidentit ende nuk janë përcaktuar. Ndërkohë, burime qeveritare i kanë thënë gazetës spanjolle El País se të paktën 10 persona kanë vdekur.

Sipas të njëjtave burime, aksidenti mund të jetë më i rëndë sesa katastrofa hekurudhore e Adamuzit, e ndodhur në janar, ku humbën jetën 45 persona.

Ndërkohë, ekipet e emergjencës janë angazhuar në përballimin e situatës. Manuel Galan, kryetar i bashkisë së Urdës, pranë Toledos, ka deklaruar se shërbimet e emergjencës i kanë kërkuar të përgatisë një palestër sportive për strehimin e personave të lënduar.

Deri në momentin e raportimit, autoritetet nuk kanë bërë të ditur shkaqet e sakta të përplasjes, ndërsa informacionet për numrin e përgjithshëm të viktimave dhe të lënduarve mbeten në zhvillim.

Sulm para ambasadës izraelite në Beograd, policia vret sulmuesin

0

Një person është vrarë nga policia gjatë natës para ambasadës së Izraelit në Beograd, në Serbi, pasi sulmoi me thika një efektiv të xhandarmërisë. Ministri në largim i Punëve të Brendshme në Serbi, Ivica Daçiç, e cilësoi ngjarjen si një sulm terrorist, ndërsa autoritetet kanë ngritur në nivelin maksimal alarmin për kërcënimet terroriste.

Sipas deklaratës së Daçiçit, sulmuesi ishte një i mitur, identiteti i të cilit ende nuk është konfirmuar, por dyshohet se ishte nga qyteti i Shabacit. Ai dyshohet se iu afrua efektivit të xhandarmërisë me dy thika.

Efektivi reagoi duke qëlluar për vdekje sulmuesin, në atë që Ministria e Brendshme e përshkroi si vetëmbrojtje. Megjithatë, polici mbeti i plagosur lehtë në fytyrë nga një goditje me thikë. Ngjarja ndodhi pak pas mesnatës.

Pas sulmit, autoritetet serbe e ngritën nivelin e kërcënimit terrorist në maksimum, duke shpallur “alarmin e kuq”. Sipas ministrit Daçiç, kjo masë parashikon kontrolle më të rrepta sigurie dhe shtim të pranisë së forcave të rendit në objektet e ndjeshme, përfshirë infrastrukturën kritike dhe vendet ku grumbullohen shumë njerëz.