Impianti i ujërave të zeza në Shkup, Hoxha: Financimi për këtë vit është i siguruar

TË FUNDIT

A rrezikohet realizimi i projektit për trajtimin e ujërave të zeza në Shkup pas ndryshimeve në buxhet? Ministri i Mjedisit Jetësor, Muhamed Hoxha, thotë se, pavarësisht shkurtimit të një pjese të mjeteve nga linjat kreditore të Bankës Evropiane të Investimeve, pagesat e parapara deri në fund të vitit janë siguruar. Çështja është e rëndësishme për kryeqytetin, ku ujërat e zeza vazhdojnë të derdhen të patrajtuara në lumin Vardar. Ndërkohë, për disa vendbanime të tjera janë ndërtuar sisteme më të vogla për pastrimin e ujërave të ndotura, përfshirë stacionin në Saraj, për ujërat që përfundojnë në Treskë, dhe atë në Novo Sellë, për ujërat që derdhen në Lepenc.

“Gjatë rishikimit të buxhetit, ministrisë sonë i është marrë një pjesë e mjeteve nga linjat kreditore të Bankës Evropiane të Investimeve. Kjo nuk ka të bëjë me stacionin e pastrimit në Shkup. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se nuk ka mjete. Të gjitha pagesat që duhet t’i kryejmë deri në fund të këtij viti janë të përfshira në buxhetin e ministrisë”, tha Muhamed Hoxha

Një tjetër çështje për të cilën foli ministri është deponia në ish-kompleksin industrial Jugohrom, në Jegunovcë. Sipas tij, institucionet kanë nisur koordinimin për të gjetur një zgjidhje që do ta trajtonte problemin në mënyrë afatgjatë.

“Kemi miratuar konkluzionet dhe kemi formuar një grup pune, të përbërë nga përfaqësues të ministrive të ndryshme dhe ekspertë, të cilët po punojnë për gjetjen e një zgjidhjeje ideale afatgjatë, që do t’i japë fund problemit të kësaj deponie”, deklaroi Hoxha

Këto përgjigje Hoxha i dha gjatë prezantimit të pesë moduleve të iniciativës „Kthesa e gjelbër përmes digjitalizimit“. Nisma synon të përmirësojë transparencën institucionale, të thjeshtojë procedurat administrative dhe të mundësojë menaxhim më efikas të të dhënave që lidhen me mbrojtjen e mjedisit.