Mungojnë gati 8 tonë kanabis medicinal, kallëzim penal ndaj drejtuesit dhe kompanisë në Strumicë!

TË FUNDIT

Një kontroll në një kompani për kultivimin e kanabisit medicinal në rajonin e Strumicës ka zbuluar mungesën e gati tetë tonëve lule të thata të kanabisit medicinal, përcjell TV21. Për sasinë e konstatuar, kompania nuk ka pasur dokumentacion përkatës që do ta dëshmonte dhe arsyetonte atë.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, kontrolli është kryer nga zyrtarë policorë të SPB-së Strumicë, në bashkëpunim me zyrtarë të komisionit kompetent pranë Ministrisë së Shëndetësisë.

Gjatë kontrollit në ambientet ku ruhej kanabisi medicinal, janë konstatuar edhe parregullsi të tjera, përfshirë mungesë të dokumentacionit për personelin e angazhuar dhe të dokumenteve të tjera të detyrueshme.

“Gjatë kontrollit të kryer në ambientet e personit juridik, ku ruhej lulja e thatë e kanabisit medicinal, zyrtarët policorë të SPB-së Strumicë dhe zyrtarët e komisionit kompetent pranë Ministrisë së Shëndetësisë kanë konstatuar mungesë të dokumentacionit lidhur me personelin e angazhuar, mungesë të dokumentacionit tjetër të detyrueshëm, si dhe mungesë të 7.813,49 kilogramëve lule të thata të kanabisit medicinal, për të cilën sasi personi juridik i kallëzuar nuk dispononte dokumentacion përkatës dhe dëshmi mbuluese”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Për rastin, SPB-ja Strumicë ka paraqitur kallëzim penal ndaj personit juridik me seli në fshatin Borisovë, në komunën e Novo Sellës, si dhe ndaj drejtuesit V.K., nga fshati Novo Sellë, me qëndrim në Strumicë. Ata dyshohen për vepra penale në bazë të nenit 95-v, paragrafët 1 dhe 2, të Ligjit për Kontrollin e Drogave Narkotike dhe Substancave Psikotrope.