Srdanoviq paralajmëron hapat e ardhshëm: Anëtarësimi në BE, ligji për lustrim dhe dialogu me Kosovën – sipas Kushtetutës së Serbisë

0

Integrimi evropian i Serbisë dhe dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën do të vazhdojnë, ka deklaruar Ilija Srdanoviq, bartësi i listës „Lista Studentore – Studentët Fitojnë”, e cila fitoi në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të së dielës në Serbi.

Në një intervistë për redaksinë serbe të Radio Evropës së Lirë, ai tha se do të bëhet gjithçka që është e mundur që qytetarët të informohen për atë që sjell anëtarësimi në Bashkimin Evropian (BE).

„Mbetemi në rrugën e integrimit evropian. Serbia u zotua për procesin e integrimit evropian që në vitin 2000, para 26 vjetësh. Por, ajo që mund të premtojmë me siguri është se nuk do ta bëjmë atë që bëri qeveria e mëparshme, përkatësisht që brenda 15 vjetësh ta ulim për 20 për qind mbështetjen e qytetarëve serbë për integrimin evropian. Ky është rezultati përfundimtar, bilanci i asaj që bëri qeveria e mëparshme.

Natyrisht, duke u bazuar në të njëjtat vlera qytetëruese – respektimin e të drejtave dhe barazisë, luftën kundër korrupsionit, institucione funksionale dhe lirinë e mediave – do ta harmonizojmë plotësisht politikën e brendshme të shtetit me kapitujt 23 dhe 24, të cilët janë pengesat kryesore për përparimin e mëtejshëm drejt anëtarësimit në BE”, tha ai.

„Vazhdimi i dialogut për Kosovën dhe Metohinë është pjesë thelbësore e planit studentor. E gjithë platforma për marrëdhëniet e brendshme dhe ndërkombëtare të Serbisë bazohet në respektimin e Kushtetutës së Republikës së Serbisë”, theksoi Srdanoviq.

Ai përsëriti thirrjen për të shmangur çdo formë revanshizmi në Serbi dhe vlerësoi se qeveria në largim e Gjuro Macutit është përgjegjëse për gjendjen aktuale të sigurisë. Ai paralajmëroi se në parlamentin e ri do të miratohet një ligj për lustracionin.

Srdanoviq ishte bartës i „Listës Studentore”, e formuar mbi bazën e vendimeve të kuvendeve të fakulteteve në Serbi. Strategjia e kësaj lëvizjeje, e cila doli nga protestat dyvjeçare kundër korrupsionit dhe për sundimin e ligjit, ishte krijimi i një organizimi pa lider.

I pyetur nëse do të pranonte të ishte kandidat i „Listës Studentore” për kryeministër, ai u përgjigj pozitivisht.

„Mund të themi këtë: do të zgjidhet kandidati për të cilin do të vlerësojmë bashkërisht se do të punojë më së miri në interes të qytetarëve të Serbisë”, tha Srdanoviq, duke shtuar se deputetët e „Listës Studentore” do të vendosin se kush do të jetë kandidati për kryeministër.

Srdanoviq deklaroi gjithashtu se të gjitha çështjet, përfshirë ato të politikës së jashtme, do të trajtohen përmes dialogut të hapur me qytetarët e Serbisë.

„Do të nisim dialogun dhe do t’u mundësojmë qytetarëve tanë të zgjedhin drejtimin që e konsiderojnë më të mirë për ta. Por ky dialog duhet të jetë i hapur dhe transparent, e jo të zhvillohet nga regjimi në mënyrën me të cilën jemi mësuar gjatë 15 deri në 20 viteve të fundit”, tha ai.

Trump ‘ia hap dyert’ familjes Bolsonaro, pajisen me viza amerikane

0

Senatori brazilian Flávio Bolsonaro dhe familja e tij do të pajisen me viza amerikane, pavarësisht humbjes së tij në zgjedhjet presidenciale në Brazil.

Lajmi u bë i ditur nga një zyrtar i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit për CBS News.

Bolsonaro, aleat i presidentit amerikan Donald Trump, është larguar nga Brazili drejt Shteteve të Bashkuara pas humbjes në zgjedhjet e së dielës përballë presidentit aktual, Luiz Inácio Lula da Silva, raportojnë mediat braziliane.

Lula, i cili mbushi 81 vjeç të martën, mori më shumë se 64 milionë vota, ndërsa Bolsonaro më pak se 60 milionë.

Diferenca mes tyre ishte rreth 4%.

Largimi i senatorit nga Brazili vjen në një moment të ndërlikuar për familjen Bolsonaro. Të martën në mesditë skadoi afati për dorëzimin e pasaportave të tij të zakonshme dhe diplomatike, por ende nuk dihet nëse ai e ka zbatuar urdhrin.

Bolsonaro ishte njoftuar për urdhrin të hënën, një ditë pas humbjes në zgjedhje. Sipas Associated Press, urdhri ishte lëshuar nga Gjykata e Lartë braziliane të dielën. Senatori ka refuzuar të pranojë humbjen dhe ka bërë akuza të pambështetura për manipulim të zgjedhjeve.

Lidhjet e familjes me administratën Trump janë të njohura. Flávio Bolsonaro ka promovuar marrëdhënien e tij me presidentin amerikan dhe ka vizituar Shtëpinë e Bardhë në maj. Ndërkohë, vëllai i tij, Eduardo Bolsonaro, i cili jeton në Teksas, e kishte nxitur publikisht të largohej nga Brazili në rast humbjeje.

Eduardo Bolsonaro u dënua në mungesë në qershor me katër vite burg për lobim të paligjshëm pranë administratës Trump.

Së fundmi, ndaj tij është lëshuar edhe një urdhër arresti.

Edhe Donald Trump ka komentuar zgjedhjet në Brazil. Të hënën, pa paraqitur prova, ai sugjeroi se procesi zgjedhor ishte i manipuluar, por nuk i kishte dhënë Flávio Bolsonaro-s një mbështetje të qartë publike gjatë garës kundër Lula-s.

Familja Bolsonaro është përballur edhe më parë me pasoja ligjore pas zgjedhjeve të vitit 2022.

Jair Bolsonaro, babai i Flávio-s dhe ish-president i Brazilit, po vuan një dënim prej 27 vitesh burg në arrest shtëpie për tentativë grushti shteti pas humbjes ndaj Lula-s në atë vit.

Pas humbjes së vitit 2022, Jair Bolsonaro ishte larguar drejt Floridës dhe ishte kthyer në Brazil tre muaj më vonë.

Zëdhënësi i Flávio Bolsonaro-s dhe drejtuesi i fushatës së tij, Rogério Marinho, nuk kanë komentuar mbi largimin e senatorit dhe çështjen e vizave amerikane.

Kallëzime penale ndaj Gjuriqit dhe nëntë ambasadorëve serbë, në shënjestër edhe ambasadori në SHBA

0

Prokuroria Publike për Krimin e Organizuar në Serbi ka hapur lëndë lidhur me kallëzimet penale ndaj ministrit të Jashtëm, Marko Gjuriq, dhe disa ambasadorëve serbë.

Ata dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe vepra penale që lidhen me të drejtat zgjedhore, shkruan nova.rs

Në mesin e diplomatëve ndaj të cilëve janë paraqitur kallëzime janë ambasadori i Serbisë në SHBA, Dragan Shutanovac, dhe ambasadori në Sllovaki, Aleksandar Nakiq.

Kallëzimet e tjera përfshijnë ambasadorët serbë në Francë, Rumani, Zvicër, Bullgari, Mal të Zi, Australi, Kanada dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Sipas Prokurorisë, diplomatët dyshohen gjithashtu për pengim të zhvillimit të procesit të votimit.

Kallëzime penale janë paraqitur edhe ndaj shefit të Departamentit të Sigurisë në Ministrinë e Jashtme, Vesko Radoviq, dhe ushtruesit të detyrës së sekretarit të përgjithshëm, Dushan Kozarev.

Gjuriq dhe Radoviq dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe shkelje të së drejtës së votës, ndërsa Kozarev për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Prokurori përgjegjës i ka kërkuar Shërbimit për Luftimin e Krimit të Organizuar që të mbledhë informacionet e nevojshme dhe të kryejë verifikimet përkatëse.

Kërkesa për informacione u janë dërguar edhe Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Komisionit Republikan të Zgjedhjeve.

Sipas njoftimit, qëllimi është mbledhja e provave dhe vazhdimi i procedurave paraprake hetimore lidhur me kallëzimet e paraqitura.

Mbi 5.6 milionë votues në Izrael, pjesëmarrja kalon çdo pritshmëri historike

0

Pjesëmarrja në zgjedhjet parlamentare në Izrael ka arritur në 77.7% deri në orën 22:00 (21:00 me orën tonë lokale), kur 5 695 682 qytetarë kishin votuar, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Kjo shifër është dukshëm më e lartë se në zgjedhjet e vitit 2022, kur pjesëmarrja në të njëjtën orë ishte 70.6%.

Bëhet fjalë për nivelin më të lartë të pjesëmarrjes në këtë orë që nga viti 1999.

Të dhënat janë pothuajse përfundimtare, pasi qendrat e votimit u mbyllën në orën 22:00, por votimi vijoi edhe më pas në vendet ku kishte ende radhë qytetarësh që prisnin të votonin.

Ndërkohë, kryeministri Benjamin Netanyahu pritet të zhvillojë konsultime telefonike me drejtuesit e partive të koalicionit të tij.

Konsultime të ngjashme pritet të zhvillojë edhe blloku opozitar.

Haxhiu në shtëpinë ku qëndroi refugjate: Faleminderit shqiptarë të Maqedonisë që në ditë të vështira na i hapët shtëpitë dhe zemrat e juaja

0

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, në kuadër të vizitës së saj në Maqedoninë e Veriut, ka qëndruar edhe te familja Sinani, ku siç bënë të ditur, ka qenë refugjate gjatë luftës së Kosovës, përcjell TV21.

Haxhiu, këtë veprim, siç njofton ajo, e ka bërë për “t’u çmallur, për të kujtuar dhe për të falënderuar familjen Sinani dhe shqiptarët e tjerë të Maqedonisë së Veriut, të cilët, në ditët më të vështira të luftës, na i hapën dyert e shtëpive dhe zemrat e tyre”.

“Pas 27 vitesh, u ktheva aty ku kisha ardhur si fëmijë refugjat lufte.
U ktheva për t’u çmallur, për të kujtuar dhe për të falënderuar familjen Sinani dhe shqiptarët e tjerë të Maqedonisë së Veriut, të cilët, në ditët më të vështira të luftës, na i hapën dyert e shtëpive dhe zemrat e tyre.
Mirënjohje e përjetshme për solidaritetin, bujarinë dhe humanizmin e tyre”, shkruan Haxhiu.

Gjatë ditës, Haxhiu ka realizuar takime bilaterale dhe është takuar edhe me kryetarët e komunave me shumicë shqiptare në Maqedoninë e Veriut./TV21

Nuk ka fitues të qartë në zgjedhjet në Izrael

0

Rivalët politikë të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu kanë reaguar pas publikimit të exit-poll-eve, duke i cilësuar rezultatet paraprake si një shenjë të rënies së mbështetjes për qeverinë, megjithëse opozita ende nuk ka siguruar një shumicë të qartë parlamentare.

Gadi Eisenkot, kreu i partisë Yashar dhe rivali kryesor i Netanyahut, deklaroi se vota e qytetarëve dëshmon mungesë të plotë besimi ndaj Netanyahut dhe qeverisë së 7 tetorit.

Ai u zotua të nisë menjëherë përpjekjet për zëvendësimin e qeverisë aktuale dhe krijimin e një qeverie të re, duke përfshirë edhe zbatimin e rekrutimit të detyrueshëm ushtarak.

Edhe ish-kryeministri Yair Lapid e cilësoi rezultatin si një humbje të rëndë për bllokun e Netanyahut, ndërsa Yair Golan, kreu i partisë së majtë Demokratët, tha se rezultatet krijojnë një mundësi për ndryshimin e qeverisë.

Kamberi me kërkesa konkrete për Luginën e Preshevës: Në fokus 10 milionë euro

0

Shaip Kamberi, bartës i listës së Koalicionit Shqiptar, në ”Click” të RTV21 ka bërë të ditur disa nga çështjet kryesore që do të trajtojë në Kuvend, duke vënë theksin te pasivizimi i adresave, çështja e diplomave dhe zhvillimi ekonomik i Luginës së Preshevës.

Kamberi tha se këto çështje do të jenë ndër temat qendrore që do të diskutojë, duke theksuar se përfaqësimi i shqiptarëve në Kuvend duhet të shërbejë për adresimin e problemeve me të cilat përballen ata.

Ai bëri të ditur se ka iniciuar kërkesë drejtuar Qeverisë për ndarjen e një fondi të veçantë prej 10 milionë eurosh për zhvillimin e Luginës së Preshevës.

“Do të jenë ndër temat qendrore që do t’i diskutojmë. Çështja e diplomave dhe pasivizimi i adresave janë tema të rëndësishme. Unë, kam iniciuar një kërkesë të veçantë drejtuar Qeverisë për një fond prej 10 milionë eurosh për zhvillimin e Luginës së Preshevës. Këto do të jenë ndër temat kryesore që janë pjesë e planit shtatëpikësh”, deklaroi Kamberi.

Jasir Asani drejt rikthimit te Kombëtarja shqiptare

0

Jasir Asani mund të rikthehet në radhët e Kombëtares së Shqipërisë për ndeshjet e muajit nëntor, sipas raportimeve të fundit që vijnë nga Irani.

Lajmi u bë publik më 26 tetor nga gazetari iranian Erfan Hoseiny, duke rritur pritshmëritë për një rikthim të mundshëm të sulmuesit kuqezi në ekipin kombëtar.

Asani vjen pas një paraqitjeje pozitive me Esteghlal, ku vetëm pak ditë më parë arriti të gjente rrugën e rrjetës në barazimin 1-1 ndaj Chadormalu.

Mungesa e tij në listat e grumbullimit për ndeshjet e shtatorit dhe tetorit kishte shkaktuar reagimin e vetë futbollistit. Tashmë, sipas raportimeve, ekziston mundësia që ai të jetë sërish pjesë e Shqipërisë në ndeshjet e nëntorit, në kuadër të Ligës së Kombeve.

Një rikthim i tillë do t’i jepte trajnerit Maran një alternativë shtesë në krahun e djathtë të sulmit, një repart ku Shqipëria ka hasur vështirësi në ndeshjet e fundit.

Në katër takimet e zhvilluara, lojtarët e aktivizuar në këtë pozicion nuk e kishin krahun e djathtë si rol të tyre natyral. Ndërkohë, Sabah Kerjota ishte i vetmi sulmues i djathtë në listën e grumbullimit, por nuk u aktivizua në asnjërën prej ndeshjeve.

Për momentin, rikthimi i Asanit mbetet një mundësi e raportuar nga mediat iraniane dhe pritet të shihet nëse emri i tij do të jetë pjesë e listës së ardhshme të Kombëtares shqiptare.

Zemaj – Qeverisë: Protestat do t’ju detyrojnë të jepni dorëheqje

0

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka paralajmëruar se protestat do ta detyrojnë Qeverinë të marrë përgjegjësi dhe të japë dorëheqje, pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës dy ditë më parë.

LDK-ja ka kërkuar përgjegjësi nga ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla dhe nga ajo e Drejtësisë, Donika Gërvalla, për dështimin institucional karshi rastit të Zekajt.

“Ti mund të shtysh edhe 50 orë të tjera përgjegjësinë dhe llogaridhënien. Ju mund të mos e merrni as përgjegjësinë morale, mund të mos jepni as dorëheqje, por protestat do t’ju detyrojnë të merrni përgjegjësi dhe të jepni dorëheqje”, ka deklaruar Zemaj.

Arlinda Zekaj u vra nga ish-kunati me sëpatë. Teksa dorasi është në arrati, ish-bashkëshorti është në paraburgim pasi paraprakisht e kishte kanosur tani të ndjerën. 

Zekaj u kishte shkruar vazhdimisht letra institucioneve të drejtësisë duke u kërkuar ndihmë për rastin e saj.

Ndërkohë, kryeministri Albin Kurti gjatë ditës së djeshme ka thënë se për 72 orë pret raport nga ministritë përkatëse që ta përmbledhin në detaje rastin e Zekajt dhe ku dështuan institucionet. 

Nesër nga ora 16:00 është paralajmëruar protestë, e cila do të nisë në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë. 

Burgim i përjetshëm për vrasësin e Ilaria Sulës, studentes shqiptare në Romë

0

Vrasësi i studentes shqiptare Ilaria Sula, Mark Antony Samson, është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Krimeve të Rënda të Romës, nën akuzat për vrasje me paramendim dhe fshehje të kufomës.

Prokurorja Maria Perna theksoi përpara trupit gjykues se “ky nuk ishte një krim pasioni” dhe se “Samsoni nuk u pendua kurrë për atë që bëri, duke vazhduar të besojë se Ilaria Sula e meritonte atë fat”.

Prindërit e Ilaria Sulës u shprehën se gjithmonë kishin pasur besim te drejtësia, megjithëse për ta burgimi i përjetshëm nuk është i mjaftueshëm për vrasësin.

“Drejtësia është vënë në vend, por dënimi i vërtetë me burgim të përjetshëm është për ne, mua dhe gruan time. Ai ende merr frymë, vajza ime jo. Ky është një moment i rëndësishëm për drejtësinë. Gjithmonë kam pasur besim te drejtësia dhe nuk jam braktisur”, u shpreh babai i saj.

Ngjarja makabre ndodhi në mars të vitit 2025, kur Samsoni, i cili kishte qenë në një lidhje dashurie me Ilarian, e vrau atë me thikë në banesën e tij. Trupin e pajetë më pas e futi në një valixhe dhe e hodhi në një humnerë. Ilaria Sula studionte në Universitetin La Sapienza dhe vrasja e saj nxiti reagime të forta solidarizimi edhe në rrethet akademike kundër femicidit.