Burgim i përjetshëm për vrasësin e Ilaria Sulës, studentes shqiptare në Romë

TË FUNDIT

Vrasësi i studentes shqiptare Ilaria Sula, Mark Antony Samson, është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Krimeve të Rënda të Romës, nën akuzat për vrasje me paramendim dhe fshehje të kufomës.

Prokurorja Maria Perna theksoi përpara trupit gjykues se “ky nuk ishte një krim pasioni” dhe se “Samsoni nuk u pendua kurrë për atë që bëri, duke vazhduar të besojë se Ilaria Sula e meritonte atë fat”.

Prindërit e Ilaria Sulës u shprehën se gjithmonë kishin pasur besim te drejtësia, megjithëse për ta burgimi i përjetshëm nuk është i mjaftueshëm për vrasësin.

“Drejtësia është vënë në vend, por dënimi i vërtetë me burgim të përjetshëm është për ne, mua dhe gruan time. Ai ende merr frymë, vajza ime jo. Ky është një moment i rëndësishëm për drejtësinë. Gjithmonë kam pasur besim te drejtësia dhe nuk jam braktisur”, u shpreh babai i saj.

Ngjarja makabre ndodhi në mars të vitit 2025, kur Samsoni, i cili kishte qenë në një lidhje dashurie me Ilarian, e vrau atë me thikë në banesën e tij. Trupin e pajetë më pas e futi në një valixhe dhe e hodhi në një humnerë. Ilaria Sula studionte në Universitetin La Sapienza dhe vrasja e saj nxiti reagime të forta solidarizimi edhe në rrethet akademike kundër femicidit.