AAK: MPB ka nevojë për 5 hapa urgjent

0

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kritikuar menaxhimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) që sipas tyre po përcillet me mungesë të qasjes profesionale, ideve konkrete, si dhe programit të mirëfilltë dhe politikave të qarta.

“Thjesht, ka dobësi në menaxhimin e MPB-së, përkatësisht tërë aktivitetet janë të natyrës administrative-procedurale. Pavarësisht se çfarë deklarata dalin nga Qeveria dhe MPB-ja, dëshmitë janë të kundërta”, thuhet në një komunikatë të AAK-së.

AAK ka rekomanduar Qeverinë dhe MPB-në që të emërojë urgjentisht koordinatorët e Grupeve Drejtuese për Implementimin e Strategjive në fushëveprimin e MPB-së dhe të kompletojë Ministrinë.

“Të mblidhen Grupet Drejtuese dhe të rishikohen shumica e Strategjive, të cilat nuk kanë dhënë efekte; MPB-ja të ndërtojë Programin për Pakon Sociale për Policinë e Kosovës; MPB-ja të fillojë zbatimin e Sigurimit Shëndetësor për policët dhe zjarrëfikësit në mënyrë urgjente, të paktën që nga qershori 2015; Qeveria të rishkruajë Programin për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit”, thuhet në komunikatë.

Shqipëri: Haki Çako emërohet drejtor i Policisë së Shtetit

0

Ashtu siç ishte paralajmëruar, Haki Çako është emëruar drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

Ai do të zëvendësojë në këtë detyrë Artan Didin, i cili dha dorëheqje të parevokueshme.

Çako ka qenë drejtues dhe pjesëmarrës në një sërë operacionesh të suksesshme policore, më i fundit operacioni antidrogë në Lazarat.

Çako ka një karriere 23-vjeçare në Policinë e Shtetit, ndërsa para se të emërohej zëvendësdrejtor, ai ka mbajtur pozicionin e drejtorit të qarkut në Gjirokastër.

Propozimi i Çakos erdhi nga ministri i Brendshëm Saimir Tahir dhe u firmos nga kryeministri Edi Rama.

“Protesta për kapje të shtetit nga pozita apo marrje të pushtetit nga opozita” (Video)

0

Po afrohet 18 prilli data kur është planifikuar të mbahet protesta e organizuar nga opozita për “kapje të shtetit”, ndërkohë pozita sot në mbledhjen e Qeverisë e cilësoi këtë protestë që pritet të mbahet, si “një tendencë për të marrë pushtetin më dhunë dhe tendencë për të krijuar tensione në kohën kur pritet të themelohet Gjykata Speciale”.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa tha se Kosova ka probleme sikurse edhe vendet tjera, ndonëse janë më specifike, por ato duhet zgjidhur përmes rrugës institucionale dhe jo përmes rrugës.

 

Edhe zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi tha se paralajmërimet dhe tendenca për të krijuar tensione dhe për të sulmuar institucionet e pavarura, përçojnë një mesazh të keq për Kosovën. /21 Media/

Çiljeta së bashku me të birin në klipin “Gangsta Love”

0

Prej kohësh ka njoftuar se do t’i rikthehet skenës, këtë herë me një bashkëpunim me reperin Noizy. Kënga ‘Gangsta Love’, ka joshur publikun prej disa kohësh, që kur janë shfaqur edhe sekuencat e para në ekran. Edhe pse u lajmërua se do të vinte brenda muajit mars, ku të dy këngëtarët ishin në coverin e revistës ‘Who’, klipi ende nuk është shfaqur. Çili rrëfen se projekti është duke u përgatitur, për të mbërritur si një risi në klipet shqiptare.

Surpriza e këtij klipi është edhe pjesëmarrja e vogëlushit Fernando, djalit të këngëtares. “Po, edhe im bir do të jetë pjesë e klipit, të tillë e kemi ideuar”është shprehur ajo për ballkanweb. Përveç bashkëpunimit që artistët kanë, Noizy-n dhe Çiljetën i lidh edhe një miqësi e fortë. “Unë nuk kam vëlla, ndaj edhe e konsideroj Noizy-n si vëllain tim. E kam mbështetur shumë edhe në ‘Top Fest’, ku ai merr pjesë, dhe uroj që ta fitojë, pasi është më i miri aty”, – ka përfunduar Çili.

Kushtetuesja pranon themelimin e Gjykatës Speciale

0

Gjatë ditës së sotme Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka pranuar kërkesën e kreut të Kuvendit për themelimin e Gjykatës Speciale.

Sipas Kushtetueses kosovare, Gjykata Speciale “nuk cënon liritë e njeriut”.

Gjykata Speciale do të ketë për objekt pune hetimin e krimeve të mundshme të kryer nga UÇK-ja gjatë luftës së përgjakshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në vitet 1997-1999.

Gjilan: Arrestohet mjeku pa licencë

0

Policia e Gjilanit ka arrestuar një person për shkak se ka ushtruar veprimtari mjekësore pa licencë.

I dyshuari veprimtarinë e ka ushtruar në një ordinancë të improvizuar në një shtëpi private, nga e cila janë konfiskuar disa fletore me shënime të pacientëve.
Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Sipas njoftimit të policisë, arrestimi është bërë gjatë implementimit të një plani operativ, në kuadër të të cilit njësiti i Krimeve Ekonomike, në asistim të inspektorëve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe ATK-së, kanë kontrolluar disa ordinanca të cilat dyshohet se kanë kryer veprimtari në kundërshtim me ligjin.

“Si të mbroheni nga alergjia në pranverë”

0

Në shfaqjen e alergjive pranverore ndikojnë shumë faktorë klimatik: ndryshimi i temperaturave të ajrit, lagështia dhe shirat.

Me ardhjen e pranverës, numri i rasteve të alergjive që shkaktohen nga poleni është zakonisht në rritje,ndër faktorët më kryesorë që ndikojnë në shfaqjen e alergjisë nga lulet janë:ekspozimi ndaj polenit, vetia alergjike e polenit, përqendrimi i polenit në ajër dhe madhësia e grimcës së polenit.

Pacientët që vuajnë nga alergjia e polenit ankohen për teshtima të shpeshta, të herëpashershme, rrjedhje të ujshme të shumta, kruajtje dhe skuqje të hundës, bllokim të tyre që kalon nga njëra anë në tjetrën. Por dhe skuqje, kruajtje, lotim sysh dhe mosdurim drite (fotofobi). Po ashtu mund të ketë kollitje, gërhitje në gjoks, marrje fryme, sekrecione të pastra dhe që mezi nxirren, gjë që tregon se në sëmundje kompromentohen edhe mushkëritë. Gjithashtu shenjat e mësipërme mund të shoqërohen me: dobësi trupore, dhimbje koke, ankth etj.

Mënyra më e mire e parandalimit të kësaj gjendjeje është shmangia e kontaktit me shkaktarin kryesorë të alergjisë që janë polenet e luleve.Duke qenë se një gjë e tillë nuk është e mundur plotësisht, atëherë rekomandohet shmangia në maksimum e ekspozimit ndaj tyre, sidomos në orët e mëngjesit deri te dreka dhe ditët me erë kur prania e poleneve në ajër është më e lartë.

Rekomandohet që këta persona të lajnë shpesh duart, fytyrën dhe sidomos flokët, për të larguar polenet që mbeten në trup. Po ashtu duhet të shmangen shëtitjet dhe qëndrimet në mjedise që kanë lule, bar apo pemë. Një kujdes i veçantë duhet treguar dhe ndaj ushqimeve që japin alergji të kryqëzuar me polenet që janë alergjike.

 

PSG-ja me David Luizin, pa Mottan ndaj Barcelonës

0

Trajneri i skuadrës franceze te PSG, Laurent Blanc, ka futur në listën e të grumbulluarve për ndeshjen ndaj Barcelonës edhe mbrojtësin brazilianin, David Luiz.

Ky i fundit kohë më parë pësoi një dëmtim, që pritej ta linte atë jashtë sfidës me katalanasit, por Blanc ka befasuar duke e futur në listë edhe atë.

Gazeta sportive spanjolle “Mundo Deportivo” shkruan se ka shumë mundësi që Luiz të luajë që nga minuta e parë.

Ndërkohë, për PSG nuk do të jetë i disponueshem mesfushori Thiago Motta, i cili është i dëmtuar.

City, 30 milionë euro për Sterling

0

Manchester City është i gatshëm të godas Liverpoolin për sulmuesin Rahim Sterling.

Sulmuesi anglez është duke kaluar nëpër një formë të mirë tek “Reds”.

Performanca e tij e mirë ka bërë e mëdha evropiane të ndjekje të tij.

“Daily Mirror” shkruan se City është i gatshëm t’i investojë 30 milionë euro për Sterling, i cili është nën kontrate me klubin nga “Anfield”.

20 vjeçari kërkohet edhe nga Chelsea, Arsenal dhe Manchester United.

“Java e bibliotekës me koleksionet e veçanta"

0

Në Prishtinë organizohet edicioni i trembëdhjetë i Javës së Bibliotekës në Kosovë,gjatë kësaj jave do të organizohen veprimtari kulturore të veçanta në disa biblioteka të Kosovës: Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, në bibliotekat rajonale të Prizrenit, të Gjilanit dhe të Pejës.

Veprimtaria e Javës përfshin shumë aktivitete, si: nënshkrime të marrëveshjeve me interes për bibliotekat, hapje të bibliotekave të reja në disa shkolla të Kosovës, donacione me materiale – libra e dorëshkrimeve, si dhe ekspozita të veçanta të librit e të fotografisë, që do të hapen nëpër këto qendra të Kosovës.Në përbërje të këtyre aktiviteteve do të ketë ligjërata dhe sesione, në të cilat do të referojnë njohës dhe ekspertë të fushave të caktuar nga ShBA, Shqipëria e Kosova. Një kontribut shkencor dhe përvojë të veçantë do të japin me ligjërata edhe përfaqësuesit e komuniteteve fetare, si dhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme të trashëgimisë kulturore në Kosovë.

Koleksionet e veçanta do të jenë boshti i edicionit të trembëdhjetë i Javës së Bibliotekës.Ky edicion i Javës pritet të kurorëzohet me të arritura të prekshme, duke sensibilizuar opinionin kulturor dhe institucionet për një vëmendje e përkushtim për zhvillimin e koleksioneve të rralla e të vjetra.

Në këtë edicion të Javës së Bibliotekës është hapur edhe ekspozita “Noli/Konica- Albumi i një bashkëkohësie”, ndërsa në hapjen e kësaj jave sopranoja Besa Llugiqi e shoqëruar me piano nga Lelja Pula, ka kënduar këngët “Pranvera filloi me ardh’” dhe “Kenke nur i bukurisë”.Aktivitete në kuadër të Javës së Bibliotekës do të vazhdojnë deri më 18 prill.