Në Prishtinë organizohet edicioni i trembëdhjetë i Javës së Bibliotekës në Kosovë,gjatë kësaj jave do të organizohen veprimtari kulturore të veçanta në disa biblioteka të Kosovës: Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, në bibliotekat rajonale të Prizrenit, të Gjilanit dhe të Pejës.
Veprimtaria e Javës përfshin shumë aktivitete, si: nënshkrime të marrëveshjeve me interes për bibliotekat, hapje të bibliotekave të reja në disa shkolla të Kosovës, donacione me materiale – libra e dorëshkrimeve, si dhe ekspozita të veçanta të librit e të fotografisë, që do të hapen nëpër këto qendra të Kosovës.Në përbërje të këtyre aktiviteteve do të ketë ligjërata dhe sesione, në të cilat do të referojnë njohës dhe ekspertë të fushave të caktuar nga ShBA, Shqipëria e Kosova. Një kontribut shkencor dhe përvojë të veçantë do të japin me ligjërata edhe përfaqësuesit e komuniteteve fetare, si dhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme të trashëgimisë kulturore në Kosovë.
Koleksionet e veçanta do të jenë boshti i edicionit të trembëdhjetë i Javës së Bibliotekës.Ky edicion i Javës pritet të kurorëzohet me të arritura të prekshme, duke sensibilizuar opinionin kulturor dhe institucionet për një vëmendje e përkushtim për zhvillimin e koleksioneve të rralla e të vjetra.
Në këtë edicion të Javës së Bibliotekës është hapur edhe ekspozita “Noli/Konica- Albumi i një bashkëkohësie”, ndërsa në hapjen e kësaj jave sopranoja Besa Llugiqi e shoqëruar me piano nga Lelja Pula, ka kënduar këngët “Pranvera filloi me ardh’” dhe “Kenke nur i bukurisë”.Aktivitete në kuadër të Javës së Bibliotekës do të vazhdojnë deri më 18 prill.
