Duke raportuar për marrëveshjet e arritura ndërmjet Kosovës e Serbisë, portali evropian “EU-observer” thotë se Serbia ka bërë edhe një hap drejt njohjes së shtetësisë së Kosovës, pasi është pajtuar që Kosova të ketë kodin e saj shtetëror telefonik. Më tej thuhet se marrëveshja e ndërmjetësuar nga shefja e diplomacisë së BE-së, Federica Mogherini, për Asociacionin e komunave me shumicë serbe është krejtësisht në përputhje me ligjet e Kosovës./21Media
KDI: Asociacioni krijon ndarje etnike në Kosovë
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka listuar disa arsye për të treguar se krijimi i një Asociacioni të komunave me shumicë serbe nuk mund të quhet Organizatë Jo Qeveritare.
Sipas drejtuesve të KDI-së, ky Asociacion është nivel i tretë i qeverisjes. KDI e mbështet këtë duke thënë se: ka mbikëqyrje të plotë në arsim, ka mbikëqyrje të plotë të Shëndetësisë, në zhvillim ekonomik lokal si dhe koordinon planifikimin urban rural, gjë të cilat sipas KDI-së janë kompetenca të ministrive e jo të komunave.
“Nuk është OJQ për shkak se punëtorët e saj do të jenë shërbyes civil sipas ligjit për Shërbimin Civil, gjë të cilën OJQ-të nuk e kanë”, u tha në konferencën e KDI-së.
Ata, po ashtu thanë se me arritjen e kësaj marrëveshje paraqiten disa sfida për shtetin e Kosovës pasi që krijon etnitet një etnik dhe shkel parimet e shumëetnicitetit të garantuar me kushtetutë si dhe krijon ndarje etnike në Kosovë.
Po ashtu sipas KDI-së, në këtë Asociacion pengohet integrimi i Serbëve në institucionet e Kosovës duke kthyer mbrapa investimet e deritashme të shoqërisë për integrimin e tyre në këto institucione.
Shpend Ahmeti: Boll ma!
Nënshkrimin e marrëveshjes për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe kryetari i Prishtinës po e quan kulm të të këqijave që i kanë ndodhur Kosovës prej pas lufte.
Kjo gjendje e shtetit 16 vite pas, për Ahmetin është shenjë e paaftësisë, korrupsionit dhe servilizmit.
Ai, përmes një publikimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, thotë se më nuk duhet të durohen ky degradim i shtetit.
“Me arrit në këtë gjendje të shtetit 16 vite pas 1999 është shenjë e paaftësisë, korrupsionit, servilizmit e shumë e shumë të këqijave që na kanë sjellë disa individë. Pasurimi i familjeve të tyre na e ka sjellë edhe asociacionin brenda Kosovës. Nuk kemi nevojë ti durojmë pasurimin e tyre e as degradimin e shtetit më. Boll ma!”, shkruan Ahmeti në Facebook.
AAK: Thaçi dhe Mustafa shkelen mbi interesat e qytetarëve(Video)
Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë se me nënshkrimin e Marrëveshjes për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Kosova po e bënë një hap mbrapa.
Kjo marrëveshje sipas Haradinajt e vendos Kosovën në pozicion të komplikuar, ndërsa Thaçi dhe Mustafa shkelën mbi interesat e qytetarëve të Kosovës.
Në një konferencë për media kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, tha se ende nuk kanë ndonjë vendim se cila do të jetë forma kundërshtuese për këtë marrëveshje dhe se me kohë do të njoftohen se çfarë do të ndërmarr partia e tij.
KKSh kërkon takim urgjent për Luginën e Preshevës
Këshilli Kombëtar Shqiptar ka ftuar lidershipin politik të Luginës së Preshevës që të flasin me një zë dhe urgjentisht të ftohet Kuvendi i Këshilltarëve Shqiptar për të ndërmarrë veprimet politike të domosdoshme dhe realizimin e të drejtës për vetëvendosje.
Ky këshill thotë se Lugina e Preshevës duhet të ketë formën e organizimit administrativo – territorial kushtetues me funksion në sferat e gjyqësisë, policisë, arsimit, përdorimit të gjuhës dhe simboleve kombëtare, shëndetësisë, zhvillimit ekonomik, kulturës, planifikimit lokal, planifikimit hapësinor, ambientit ekologjik, resurset natyrore, sferën e banimit dhe shërbimet sociale.
Ja komunikata e plotë e Këshillit Kombëtar Shqiptar.
Duke vëzhguar rrjedhat politike rajonale, e posaçërisht me marrëveshjen e fundit të nënshkruar në Bruksel nga Prishtina dhe Beogradi, Këshilli Kombëtar Shqiptar shpreh indinjatën e thellë për pozitën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, përkatësisht në realizimin e drejtave individuale dhe kolektive.
Në kohën kur rajoni ka hyrë në fazë përfundimtare të bisedimeve teknike mes Prishtinës dhe Beogradit, kur tërë rajoni i Ballkanit Perëndimor synon përshpejtimin e procesit në rrjedhat e integrimeve euroatlantike, Këshilli Kombëtar Shqiptar sheh nevojën e ndërmarrjes së veprimeve konkrete dhe të koordinuara për zgjidhjen e çështjeve teknike e që prekin në realitet edhe çështjet jetike të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, në frymën e proceseve integruese që po zhvillohen në Evropë.
Zgjidhja e drejtë dhe e qëndrueshme e çështjeve praktike të Luginës së Preshevës nënkupton respektimin e plotë të të drejtave individuale dhe kolektive të shqiptarëve përmes zgjidhjes së drejtë. Lugina e Preshevës duhet të ketë formën e organizimit administrativo – territorial kushtetues me funksion në sferat e gjyqësisë, policisë, arsimit, përdorimit të gjuhës dhe simboleve kombëtare, shëndetësisë, zhvillimit ekonomik, kulturës, planifikimit lokal, planifikimit hapësinor, ambientit ekologjik, resurset natyrore, sferën e banimit dhe shërbimet sociale.
Andaj, Këshilli Kombëtar Shqiptar fton lidershipin politik të Luginës së Preshevës që të flasin me një zë dhe urgjentisht të ftohet Kuvendi i Këshilltarëve Shqiptar dhe në mbështetje të Referendumit 1 dhe 2 Mars 1992, Marrëveshjes së Konçulit 2001, Platformës së përbashkët Politike 2006 dhe kërkesës së vazhdueshme të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc për reciprocitet për të ndërmarrë veprimet politike të domosdoshme dhe realizimin e të drejtës së vetëvendosje.
Në këtë kuptim, ftojmë për mbështetje të pa rezervë të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës dhe njëkohësisht formimin e një fondi urgjent për Luginën e Preshevës për këtë çështje.
Gjithashtu, kërkojmë mbështetjen ndërkombëtare të BE-së dhe SHBA-së me hapjen e zyrave në Luginën e Preshevës dhe vendosjen e një force fizike ndërkombëtare.
KR Y E T A R Jonuz Musliu
Bujanoc, 26.08.2015
Diellza tashmë ka të dashur (Video)
Diellza Kolgeci në emisionin “21 Gradë” të RTV21 ndër të tjera shplalosi edhe jetën e saj private ku ajo tregoi që tashmë është në lidhje dashurie.Diellza tregoi se data e martëses nuk është shumë larg por nuk deshi ta bëj publike datën e saktë /21 Media/
Arrestohen 14 shqiptarë për trafik marijuanë me avion
Policia shqiptare dhe ajo italiane arrestuan sot një grup prej 14 personash, që transportonin bimë narkotike mes dy vendeve, duke përdorur një mjet të vogël fluturimi.
Mëngjesin e datës 24 gusht avioni i vogël i drejtuar nga Vilson Lamaj erdhi nga Italia dhe u ul pranë fshatit Xhelilaj në Sevaster të Vlorës, ku ngarkoi 120 kg marijuanë. Policia italiane bllokoi pilotin gjatë uljes në Brindizi dhe lëndën narkotike.
“Operacioni ndërkombëtar “Fluturimi i Lirë” nisi nga mesi i korrikut me shkëmbim informacionesh mes policisë shqiptare dhe asaj italiane mbi një linjë ajrore që përgatitej të trafikonte lëndë narkotike nga Shqipëria drejt Italisë dhe u mbyll sot me sukses” – deklaroi zëvendës-drejtori i policisë së shtetit Ardian Çipa. Përgatitja e avionit, e ngarkesës dhe e fluturimit ishin të mbikëqyrura me kujdes nga të dy anët e Adriatikut.
Policia shqiptare në Vlorë arrestoi 6 persona të tjerë të përfshirë në këtë trafik mes tyre edhe një punonjës policie; Neko Bruhamaj 45 vjeç, Fatos Bruhamaj 30 vjeç, Fadil Shahaj 53 vjeç, Igli Shahaj 22 vjeç, Sokol Lamaj 34 vjeç – banorë të fshatrave të Vlorës dhe Vladimir Zanaj shef i burimeve njerëzore në policinë e Vlorës. Në Itali janë arrestuar 7 persona, banorë në Itali: Elizer Ahmetaj 27 vjeç, Xhesian Ahmetaj 21 vjeç, Arshi Ahmetaj 29 vjeç, Artjon Lamaj 29 vjeç, Kleo Lamaj 30 vjeç, Bukurosh Gëshilli 25 vjeç, dhe Virion Ymeraj 32 vjeç/VOA.
Policia shqiptare dhe ajo italiane deklaruan se kjo është një tjetër provë e bashkëpunimit përherë e më të afërt e profesional mes tyre.
Regjisori Oleg Sentsov dënohet me 20 vite burg
Regjisori ukrainas, Oleg Senstov, është dënuar përfundimisht me 20 vite burgim nga një vendim që është kaluar sot nga një gjykatë ushtarake në Rostov-on-Don në Rusi.
Në anën tjetër, aktivisti tjetër Aelxander Kolchenko ka marrë 10 vite dënim. Sentsov është akuzuar dhe dënuar për dy akte terroriste. Në anën tjetër, pasi janë dënuar dyshja ka kënduar himnin e Ukrainës – Ukraine Has Not Yet Died – apo Ukraina nuk ka vdekur ende.
Senstov është arrestuar në maj të vitit të kaluar gjatë një proteste në Ukrainë kundër politikës ruse, ndërsa që nga ajo kohë është mbajtur në burg. Ai është i njohur sidomos për filmin e tij “Gamer”, realizuar në vitin 2011-të,transmeton kultplus.com
Ukraina ka reaguar duke thënë se një dënim i tillë është i papranueshëm, ndërsa autoritetet ruse thonë se ai është një i burgosur politik dhe e ka marrë dënimin e merituar.
Në përkrahje të Sentsov ka dalë edhe Akademia Evropianë e Filmit e cila ka nxjerrë peticion për të ndaluar një mizori që po i ndodhë regjisorit.
“Unë ka një vit që po jetoj në shtetin tuaj. Madje po shikoj edhe televizionet tuaja, propaganda juaj funksionon në mënyrë brilante” ka thënë vetë regjisori, ironikisht.
KEDS po planifikon largimin nga puna të 250 punëtorëve
KEDS është duke përgatitur planin që deri në maj të vitit të ardhshëm të largoj nga puna 250 punonjës të këtij Distribucioni. Së pari një numër të kuadrit të vjetër por edhe disa të rinj që kanë qenë në disa poste i ka degraduar dhe strehuar nipër trafo-barakë dhe i ka lënë të pa angazhuar.
Këto shenja kanë ardhur pasi tashmë ka filluar diskriminimin e punonjësve duke i lënë të pa angazhuar ata dhe të mërziten për ta lëshuar punën. Kështu kanë bërë të ditur drejtues të Federatës Sindikale të Pavarur Elektrokosova-FSPE.
Nënkryetari i Federatës Sindikale të Pavarur Elektrokosova, Sherif Fejzullahu, tha se menagjementi i KEDS po përdorë lloj lloj metoda presioni duke i bërë punëtorëve të të gjitha profileve që të dorëzohen dhe ti lëshojnë vendet e punës.
Ai ka marrë shembull një rast në Gjilan, ku dy femra me mbi 25 vjet përvojë pune janë dërguar në trafo atje ku është vetëm depoisti dhe nuk bëjnë asgjë.
Sipas tij, ky menaxhment i KEDS-it po përgatitet që në muajin maj 2016 kur skadon kontrata me Qeverinë e Kosovës të sharroj një numër të madh të punëtorëve.
Sindikalistët kërkojnë urgjentisht masivizimin ose anëtarësimin e të gjithë punëtorëve në FSPE për të shtuar forcën e rezistencës dhe për të ndalur këtë projekt ose fushatë largimi të punëtorëve.
Pra, kërkojnë nga KEDS të heq dorë nga largimi i punëtorëve nga vendet e punës, sepse këto janë metoda shumë primitive sipas tyre
SHBA: Marrëveshjet do ta përmirësojnë jetën e qytetarëve
Departamenti amerikan i shtetit i ka uruar “liderët e Serbisë dhe Kosovës dhe delegacionet e tyre, për arritjen e marrëveshjeve të rëndësishme, të lehtësuara nga përfaqësuesja e BE-së, Federica Mogherini”, ka thënë mbrëmë zëdhënësi, John Kirby.
Mëtutje, në faqen në Internet të Departamentit amerikan të shtetit, zëdhënësi Kirby e “lavdëron” edhe zonjën Mogherini dhe ekipin e saj.
“Marrëveshjet e finalizuara për energji, telekomunikime, krijimin e Asociacionit/Komunitetit të komunave serbe, dhe për Lirinë e lëvizjes/Ura e Mitrovicës, do ta përmirësojnë jetën e popullit në të dy vendet”, po ashtu, thuhet në deklaratë.
“Shtetet e Bashkuara i lavdërojnë të dy qeveritë për progresin e arritur në plotësimin e përkushtimeve, që janë bërë në Marrëveshjen e Brukselit dhe për ujditë në Dialog, që i lëvizin përpara vendet e tyre më afër normalizimit të raporteve së bashku me rrugën përkatëse në BE”, thotë zëdhënësi, John Kirby, dhe shton se “Shtetet e Bashkuara, po ashtu, e përshëndesin dedikimin e të dy palëve në këtë proces dhe do të vazhdojnë që fuqishëm ta mbështesin Dialogun e lehtësuar nga BE-ja”.
