Policia shqiptare dhe ajo italiane arrestuan sot një grup prej 14 personash, që transportonin bimë narkotike mes dy vendeve, duke përdorur një mjet të vogël fluturimi.
Mëngjesin e datës 24 gusht avioni i vogël i drejtuar nga Vilson Lamaj erdhi nga Italia dhe u ul pranë fshatit Xhelilaj në Sevaster të Vlorës, ku ngarkoi 120 kg marijuanë. Policia italiane bllokoi pilotin gjatë uljes në Brindizi dhe lëndën narkotike.
“Operacioni ndërkombëtar “Fluturimi i Lirë” nisi nga mesi i korrikut me shkëmbim informacionesh mes policisë shqiptare dhe asaj italiane mbi një linjë ajrore që përgatitej të trafikonte lëndë narkotike nga Shqipëria drejt Italisë dhe u mbyll sot me sukses” – deklaroi zëvendës-drejtori i policisë së shtetit Ardian Çipa. Përgatitja e avionit, e ngarkesës dhe e fluturimit ishin të mbikëqyrura me kujdes nga të dy anët e Adriatikut.
Policia shqiptare në Vlorë arrestoi 6 persona të tjerë të përfshirë në këtë trafik mes tyre edhe një punonjës policie; Neko Bruhamaj 45 vjeç, Fatos Bruhamaj 30 vjeç, Fadil Shahaj 53 vjeç, Igli Shahaj 22 vjeç, Sokol Lamaj 34 vjeç – banorë të fshatrave të Vlorës dhe Vladimir Zanaj shef i burimeve njerëzore në policinë e Vlorës. Në Itali janë arrestuar 7 persona, banorë në Itali: Elizer Ahmetaj 27 vjeç, Xhesian Ahmetaj 21 vjeç, Arshi Ahmetaj 29 vjeç, Artjon Lamaj 29 vjeç, Kleo Lamaj 30 vjeç, Bukurosh Gëshilli 25 vjeç, dhe Virion Ymeraj 32 vjeç/VOA.
Policia shqiptare dhe ajo italiane deklaruan se kjo është një tjetër provë e bashkëpunimit përherë e më të afërt e profesional mes tyre.
