Skandal korrupsioni në Ukrainë, dorëhiqet Prokurori i Përgjithshëm

TË FUNDIT

Prokurori i Përgjithshëm i Ukrainës, Ruslan Kravçenko, ka dhënë dorëheqjen nga detyra, në një kohë kur emri i tij është përfshirë në një hetim për korrupsion dhe pastrim parash.

Vendimi vjen pak ditë pasi hetuesit e Byrosë Kombëtare Antikorrupsion të Ukrainës (NABU) dhe Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SAP) kryen kontrolle në zyrat e Prokurorisë së Përgjithshme.

Sipas autoriteteve hetimore, një zyrtar i lartë i Prokurorisë së Përgjithshme dyshohet se drejtonte një skemë për pastrimin e parave, ndërsa ofronte mbrojtje për qendra të paligjshme mashtrimi telefonik në këmbim të pagesave.

Hetuesit bëjnë me dije se paratë e përfituara nga aktiviteti kriminal dyshohet se janë përdorur për blerjen e pasurive të paluajtshme, bizhuterive dhe sendeve të tjera me vlerë. Bëhet fjalë për miliona në asete që dyshohet se janë pastruar përmes kësaj skeme.

Kravçenko i ka mohuar akuzat, duke i cilësuar ato si “plotësisht të pabazuara”. Në letrën e dorëheqjes, ai deklaroi se nuk dëshiron që posti i Prokurorit të Përgjithshëm të përdoret si “mjet për përballje politike”.

Pas dorëheqjes, Kravçenko falënderoi presidentin Volodimir Zelenski dhe Parlamentin ukrainas për besimin e dhënë ndaj tij. Deri tani, presidenti ukrainas nuk ka bërë një reagim publik lidhur me dorëheqjen.

Rasti rikthen në vëmendje problemin e korrupsionit në Ukrainë, një çështje që ka shkaktuar debate të forta edhe gjatë luftës me Rusinë.

NABU dhe SAP, dy institucionet kryesore të vendit në luftën kundër korrupsionit, kanë qenë në qendër të përplasjeve politike edhe vitin e kaluar, kur planet për kufizimin e pavarësisë së tyre shkaktuan protesta dhe shqetësim nga partnerët europianë të Kievit.

Pas reagimeve të forta, Zelenski tërhoqi ndryshimet dhe riktheu pavarësinë e institucioneve antikorrupsion. Megjithatë, hetimet e fundit tregojnë se korrupsioni vijon të mbetet një nga sfidat më të mëdha për autoritetet ukrainase.