Xhevat Gega është dekoruar me Urdhrin “8 Shtatori“, në Ditën e Pavarësisë së Maqedonisë së Veriut. Ai është një nga pesë fituesit e këtij urdhri, krahas Jordan Plevneshit, Rade Siljanit, Meto Jovanovskit dhe Gligor Çemerskit. Në ceremoninë e dekorimit u vlerësua kontributi i tij dhe vepra që ka lënë pas, e cila mbetet pjesë e kujtesës kulturore. Gega u përshkrua si një figurë, krijimtaria e së cilës vazhdon të jetojë dhe të frymëzojë brezat e rinj.
“Sot, në Ditën e Pavarësisë së Maqedonisë së Veriut, me Urdhrin „8 Shtatori“ dekorova Jordan Plevneshin dhe Rade Siljanin, ndërsa pas vdekjes u dekoruan Xhevat Gega, Meto Jovanovski dhe Gligor Çemerski.
Pesë fituesit e Urdhrit „8 Shtatori“ kanë lënë pas vepra që nuk kufizohen në një zhanër, një skenë, një libër apo një periudhë kohore. Ata krijuan, hulumtuan, përkthyen, luajtën dhe pikturuan, por pas të gjitha këtyre formave të ndryshme të krijimtarisë mbetet diçka e përbashkët: një gjurmë që nuk zhduket.
Dekorimi i sotëm është një akt që do ta kujtoj gjithmonë. Jordan Plevneshit dhe Rade Siljanit ua uroj Urdhrin „8 Shtatori“, ndërsa me respekt të veçantë kujtojmë Xhevat Gegën, Meto Jovanovskin dhe Gligor Çemerskin, jeta dhe krijimtaria e të cilëve mbeten pjesë e pandashme e kujtesës sonë kulturore.
Secili prej tyre ka lënë diçka që nuk mund të matet vetëm me numrin e librave, roleve, përkthimeve, punimeve shkencore apo veprave artistike.
Vlera e vërtetë e një krijimtarie shihet në aftësinë e saj për të mbetur e gjallë edhe atëherë kur autori nuk është më mes nesh, për të hapur pyetje të reja, për të nxitur dhe frymëzuar lexime të reja dhe për të vazhduar të komunikojë me njerëzit”, ka shkruar presidentja e vendit, Gordana Siljanovska Davkova.
