Nënshkruhen marrëveshje bashkëpunimi Kosovë-Austri

0

Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ministri i Jashtëm austriak, Sebastian Kurz, kanë nënshkruar sot marrëveshje për bashkëpunim institucional në shkencë, hulumtim, arsim dhe në të gjitha fushat e artit.

Para nënshkrimit të marrëveshjes, ministri Kurz priti në drekë zyrtare zëvendëskryeministrin Thaçi. Zëvendëskryeministri Thaçi e njoftoi homologun e tij austriak për të arriturat e Kosovës në rrugëtim e saj drejt Bashkimit Evropian dhe kërkoi që ky progres të njihet nga BE-ja.

“Është qenësore që BE sa më parë të nënshkruajë MSA-në me Kosovën dhe të rekomandojë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës”, u shpreh zëvendëskryeministri Thaçi, duke theksuar se edhe vet autoritetet e BE-së tashmë e pranojnë që Kosova i përmbushur të gjithë kriteret edhe për MSA-në edhe për liberalizimin e vizave.

Zëvendëskryeministri Thaçi falënderoi ministrin Kurz për mbështetjen e tij dhe të shtetit austriak dhënë Kosovës dhe e ftoi që Austria të vazhdojë të përkrahë Kosovën, me theks të veçantë në synimin për t’u anëtarësuar në UNESCO dhe Interpol.

Ministri i Jashtëm austriak, Kurz, e përgëzoi zëvendëskryeministrin Thaçi për lidershipin politik në procesin e dialogut dhe në promovimin e dialogut dhe bashkëpunimit në rajon dhe u zotua se vendi i tij mbetet një avokat i fuqishëm i Kosovës në rrugën e saj drejt BE-së.

Merkel: S'ka tolerancë për ksenofobinë

0

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka thënë se në Gjermani nuk ka tolerancë për ksenofobinë. Ajo i ka bërë këto komente në qytetin Heidenau, ku, fundjavën e kaluar, ka pasur protesta të dhunshme kundër refugjatëve.“Nuk ka tolerancë për ata njerëz që vënë në pyetje dinjitetin e të tjerëve. Nuk ka tolerancë për ata që nuk janë të gatshëm të ndihmojnë aty ku ndihma ligjore dhe njerëzore është e nevojshme”, ka thënë Merkel, derisa ka vizituar një kamp refugjatësh. Rreth 200 protestues të ekstremit të djathtë janë përballur me Merkelin, duke e quajtur “tradhtare”./21Media

Kurtz: BE mund të hapë kapitujt me Serbinë

0

Me marrëveshjet e nënshkruara midis Prishtinës dhe Beogradit, Bashkimi Evropian mund të hapë kapitujt e parë për anëtarësimin e Serbisë në bllok, ka thënë ministri i Jashtëm i Austrisë, Sebastian Kurtz. Duke folur për mediat serbe, Kurtz ka thënë se marrëveshjet janë të një rëndësie të madhe. “Ato kanë qenë të domosdoshme për afrim me BE-në dhe i sjellin stabilitet gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Kurtz./21Media

“Letërsia dhe religjioni” temë diskutimi në Seminarin XXXIV (Video)

0

Tema të ndryshme për albanologjinë po diskutohen edhe më tutje në edicionin e 34 të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Në sesionin për letërsinë, i cili u mbajt sot u diskutua për “Letërsinë dhe religjionin”, me ç’rast seminaristët pasqyruan rolin e religjionit në ndërtimin e një vepre letrare./21 Media

BE përkrah Ballkanin Perëndimor në Samitin e Vjenës

0

Nis punimet Samiti i Vjenës
(E plotësuar) Nis punimet Samiti i Vjenës. Paneli për mosmarrëveshjet në Ballkanin Perëndimor shënoi hapjen e samitit të Vjenës, që bën bashkë liderët e rajonit dhe përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian. Pjesë e këtij Samiti janë ministrat e Jashtëm dhe të Integrimit të rajonit.

——————-

Përfaqësuesja e lartë për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë dhe zëvendës-presidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini, zëvendës-presidenti për Unionin e Energjisë, Maroš Šefčovič dhe komisionari evropian për Politikë të Fqinjësisë dhe Negociata për Zgjerim, Johannes Hahn do të përfaqësojnë Bashkimin Evropian në Samitin e Ballkanit Perëndimor nesër Vjenë, njoftoi me anë të një komunikate Komisioi Evropian nga Brukseli.

“Ky Samit, nikoqir i të cilit do të jetë Kancelari Austriak Werner Faymann, do të vazhdojë me progresin e bërë që nga Samiti i Berlinit në gusht të vitit të kaluar, dhe do të kërkojë zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në mes të vendeve të Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, Serbia) në ballafaqimin me sfidat e përbashkëta, në veçanti migrimin – një prej temave kryesore të këtij Samiti, i cili përfshin edhe bashkëpunimin rajonal, dialogun fetar dhe luftimin e ekstremizmit.

Në sesionin e Shefave të Qeverive, Kryeministrat do të diskutojnë situatën ekonomike aktuale në rajon, arsimin e të rinjve/profesional dhe lidhjen. Përfaqësuesja e Lartë/Zëvendës Presidentja Mogherini do të marrë pjesë në këtë sesion. Ajo tha “Rajoni i Ballkanit Perëndimor ballafaqohet me shumë sfi da, duke filluar nga urgjenca për të trajtuar çështjet e sigurisë dhe migrimit deri te nevoja për të adresuar vështirësitë ekonomike dhe politike në shumë vende. Samiti i Ballkanit Perëndimor në Vjenë do të na japë një mundësi të rëndësishme, jo vetëm për të diskutuar sfidat aktuale, por edhe për të diskutuar të ardhmen tonë të përbashkët.”
Komisionerin Hahn, bashkë me Ministrat e Jashtëm do të diskutojnë çështjen aktuale me prioritet në bashkëpunimin rajonal, sfidat aktuale të ndërlidhura me migrimin. Komisioneri Hahn tha: “Ne kemi parë progres të jashtëzakonshëm në agjendën tonë të përbashkët të lidhjes që nga Samiti i Berlinit vitin e kaluar dhe kemi identifikuar projektet investuese konkrete me prioritet në rajon, të cilat mund të mbështeteshin nga Instrumenti Para Përafrimit (IPA).”
Zëvendës Presidenti Šefčovič dhe Ministrat e Ekonomisë do të debatojnë për perspektivat ekonomike të rajonit, për energji dhe lidhjen e transportit si dhe për trajnimin profesional. Zëvendës Presidenti Šefčovič tha: “Strategjia jonë e Unionit për Energji thekson shumë qartë se Bashkimi Evropian nuk ndalet në kufijtë e Bashkimit. Kjo është arsyeja pse ne nuk kursejmë asnjë përpjekje për të lidhur më mirë Ballkanin Perëndimor në sistemet tona të energjisë. Ky është mesazhi që i kam dhënë së fundi Serbisë dhe ky është edhe mesazhi im për Samitin”.
Para Samitit, sot Komisioni Evropian ka dhënë edhe 1.5 milionë € në financimin humanitar, për të ndihmuar refugjatët dhe imigrantët në Serbi dhe në ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë. Kjo ndihmë do të mbështesë partnerët humanitarë në ofrimin e shërbimeve bazë të emergjencës, si ujë të pijshëm, higjienë, kujdes shëndetësor, strehim dhe mbrojtje për refugjatët dhe imigr antët, në përmirësimin e qendrave të pranimit dhe në bashkëpunim e raportim për çështjet e migrimit në rajon. Christos Stylianides, Komisioneri i BE-së për Ndihmë Humanitare dhe Menaxhim të krizës, tha: “Ballkani Perëndimor po ballafaqohet me një numër të paprecedent të refugjatëve dhe imigrantëve në kalim. BE-ja po e rritë ndihmën e saj humanitare për t’u ofruar atyre lehtësimin e nevojshëm urgjentisht. Ky është solidariteti evropian në thelb”.

Komisioni Evropian ka dhuruar më parë mbi 90 000€ në ndihmë humanitare për ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë (më 31 korrik 2015) dhe 150 000 € për Serbinë (më 20 gusht 2015) si reagim ndaj kësaj situate emergjente. Financimi është bërë direkt në shoqatat kombëtare të Kryqit të Kuq të të dy vendeve. Ndihma e përgjithshme humanitare e BE-së për mbështetjen e refugjatëve dhe imigrantëve në Serbi dhe ish Republikë Jugosllave të Maqedonisë arrin vlerën 1.74 milion €.

Në Agjendën Evropiane për Migrim, Komisioni Evropian ka nisur një qasje gjithëpërfshirëse në adresimin e sfidave të migrimit, si në aspektin afatshkurtër ashtu edhe në aspektin afatgjatë. Bashkëpunimi dhe mbështetja për vendet e treta, veçanërisht atyre që janë afër, është një element qenësor i kësaj qasjeje.

Historiku

Nikoqir i këtij Samiti do të jetë Kancelari Federal Austriak Werner Faymann, i cili ka ftuar në këtë ngjarje Kryeministrat e Ballkanit Perëndimor 6 (Shqipëri, ish-Republikë Jugosllave të Maqedonisë, Kosovë, Mal i Zi, Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë) si dhe të Gjermanisë, Francës, Italisë, Kroacisë dhe Sllovenisë.

SHBA: Vriten gazetarët gjatë transmetimit direkt(Video)

0

Një gazetare dhe një kameraman janë qëlluar për vdekje në Virginia të Shteteve të Bashkuara gjatë një raportimi direkt.
Ngjarja ka ndodhur derisa gazetarja po intervistonte një grua në qendrën tregtare mëngjesin e së mërkurës.

Gazetarja e vrarë është Alison Parker dhe kameramani Adam Ward kurse nuk dihet nëse ka shpëtuar edhe gruaja e cila ishte duke u intervistuar.

Siç raportojnë mediat e huaja, të shtënat janë dëgjuar gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë.

Policia ka thënë se është duke hetuar incidentin dhe se është vënë në kërkim të të dyshuarve.

https://youtu.be/352hseQIRpU

Ambasada e SHBA-ve: Marrëveshjet nuk rrezikojnë sovranitetin e Kosovës

0

Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë përgëzon Qeverinë e Republikës së Kosovës për arritjen e katër marrëveshjeve në Bruksel. Këto marrëveshje, të cilat e respektojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, do të përmirësojnë jetët e gjithë njerëzve në Kosovë dhe janë fitore e të gjitha palëve.

Diskutimet që u lehtësuan nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së rezultuan me marrëveshjet për energjinë, telekomunikimet, themelimin e një Asociacioni të Komunave me shumicë Serbe, si dhe për lirinë e lëvizjes dhe urën e Mitrovicës. Këto hapa do të forcojnë stabilitetin rajonal, do të kontribuojnë në normalizimin e marrëdhënieve me fqinjët e Kosovës, dhe do t’i ndihmojnë Kosovës që të vazhdojë rrugëtimin e saj të përafrimit në integrimet me institucionet Euro-Atlantike.

SHBA-të fuqimisht përkrahin procesin e dialogut dhe e kuptojnë se ky kërkon marrjen e vendimeve të vështira nga të gjitha palët, dhe e çmon kurajon që është e nevojshme për të shikuar drejt së ardhmes.

Tjetër avion droge në Vlorë, destinacion Italia

0

Policia e Shtetit Shqiptarë në bashkëpunim me Policinë Italiane dhe Prokurorinë për Krime të Rënda ka finalizuar në orët e para të mëngjesit të sotëm, operacionin ndërkombëtar kundër trafikimit të lëndëve narkotike të koduar “Fluturimi i lirë”, duke vënë në pranga 14 persona.

Autoritetet u vunë në dijeni për aktivizimin e një linje që do të trafikonte drogë, nga vendi Shqiptar drejt Italisë.

Policia shqiptare bën të ditur se gjatë këtij hetimi pro-aktiv, duke aplikuar metoda speciale, për më shumë se 1 muaj, janë identifikuar dhe mbajtur nën kontroll personat e dyshuar si të implikuar në këtë veprimtari kriminale dhe u shkëmbye informacion me autoritetet italiane.

Linja e trafikut, ishte planifikuar të kryhej përmes përdorimit të një avioni të vogël.

Çipa: Në Vlorë avioni ka ngarkuar një sasi prej 120 kg marijuanë
“Policia shqiptare identifikoi menjëherë personat e përfshirë në rrjet dhe i mbajti ata nën vëzhgim. Në koordinim me homologët italianë, nëpërmjet shërbimit Interforce, u godit i gjithë grupi, pas dokumentimit të linjës së trafikimit. Në këtë kuadër, mëngjesin e datë s 24 gusht 2015, avioni i vogël i drejtuar nga shtetasi Vilson Lamaj është nisur nga Italia me destinacion vendin tonë, duke u ulur në orën 07:02 minuta, në një zonë pa shumë lëvizje në afërsi të fshatit Xhelilaj, pranë Sevasterit në Vlorë, ku edhe ka ngarkuar një sasi prej 120 kg marijuanë. Në momentin e uljes së avionit në Brindizi, policia italiane ka arrestuar shtetasin shqiptar Vilson Lamaj dhe bllokoi lëndën narkotike. Theksojmë se lëvizjet e avionit, përgatitja, itinerari dhe ngarkimi i lëndës narkotike në momentin e uljes, ishin pjesë e procedimit penal dhe bashkëpunimit ndërmjet Policisë Shqiptare dhe Italiane, duke përdorur edhe metodat speciale të hetimit, për të kontrolluar të gjitha lëvizjet dhe për të dokumentuar përgjegjësinë penale të të gjithë autorëve. Sapo mjeti fluturues ka zbritur në tokën italiane, është kryer bllokimi i tij,” tha Ardian Çipa, drejtor i Përgjithshëm për Krimin e Organizuar dhe Krimet e Rënda.

Në vijim të këtij hetimi, vazhdon bashkëpunimi me Policinë italiane për thellimin e hetimit për të gjithë personat e implikuar në këtë veprimtari kriminale. Ndërkohë që policia shqiptare ka ndaluar në orët e natës 6 persona, të përfshirë në këtë trafik ndërkombëtar droge, mes tyre edhe 1 punonjës policie.

Personat e ndaluar në Shqipëri janë:

– Neko Bruhamaj, 45 vjeç, lindur e banues Ramicë, Vlorë

– Fatos Bruhamaj, 30 vjeç, lindur në Ramicë e banues në Vlorë

– Fadil Shahaj, 53 vjeç, lindur në Vllahinë e banues në Vlorë

– Igli Shahaj, 22 vjeç, lindur në Vllahinë e banues në Vlore

– Sokol Lamaj (Burhamaj), 34 vjeç, lindur e banues në Babice e Madhe Vlorë,

si edhe efektivi i Policisë së Vlorës Vladimir Zanaj, Shef i Sektorit të Burimeve Njerëzore.

Në Itali janë arrestuar 8 persona, rezidentë në shtetin fqinj:

– Elizer Ahmetaj, 27 vjeç

– Xhesian Ahmetaj, 21 vjeç

– Arshi Ahmetaj, 29 vjeç

– Artjon Lamaj, 29 vjeç

– Kleo Lamaj, 30 vjeç

– Bukurosh Këshilli, 25 vjeç

– Virjon Imeraj, 32 vjeç

si edhe Vilson Lamaj, pilot i avionit.

Stefanoviq: Asociacioni s’ka kompetenca ekzekutive, as pavarësi në vendimmarrje

0

Kryetari i Partisë Demokratike dhe ish shefi i ekipit negociator të Serbisë në dialogun me Kosovën, Borisllav Stefanoviq e ka quajtur pozitive arritjen e marrëveshjeve midis Prishtinës e Beogradit, por ka shtuar se ato kanë mangësi.

Stefanoviq i tha agjencisë Beta, transmeton Koha.net, se marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel përbëjnë bazën për normalizimin e marrëdhënieve midis Prishtinës e Beogradit, ndonëse janë “larg” nga ajo që u kishin premtuar qytetarëve Aleksandar Vuçiq dhe Partia Përparimtare Serbe e tij.

Sipas tij është e paqartë se çfarë ingerencash do të ketë Asociacioni i Komunave Serbe që do të kenë organet e parapara me Marrëveshjen e Brukselit, por është e qartë se nuk do të ketë autorizime ekzekutive dhe vendimmarrje të pavarura në shëndetësi, arsim, planifikim hapësinor dhe zhvillim ekonomik.

“Mbeten vetëm koordinimi dhe mbikëqyrja. Nuk mendoj se kjo është keq, porse e gjitha që është bërë është larg nga ajo që kanë folur dhe premtuar, sidomos për serbët në Kosovë. E gjitha është e mbështjellë me një dekor fryrje patriotike gjoksesh”, ka thënë Stefanoviq.

Por ai ka shtuar se në këtë moment nuk ka qenë e mundur të arrihen marrëveshje më të mira dhe ato paraqesin bazën për zgjidhjen e mëtejshme të problemeve në periudhën e ardhshme, siç është çështja e pronës.

Ekspozitë kushtuar Nënë Terezës(Video)

0

Për ndër të 105 vjetorit të lindjes së humanistes dhe laureatws sw çmimit nobel Nënë Tereza, Organizata Infinity Art ka organizuar ekspozitë të hapur në sheshin që mban emrin e saj. Biografi i shquar i Nënë Tereza, Don Lush Gjergji thotë se është koha që përveç përkujtimit, edhe të imitojmë bamirësinë e saj. Nënë Tereza është e njohur në gjithë botën për aktivitetin e saj humanitar./21 Media