Një i vdekur dhe mbi 100 të plagosur nga protesta në Ukrainë

0

Këtë të hënë Parlamenti i Ukrainës ka votuar në favor të ndryshimeve kushtetuese. Këto ndryshime u sigurojnë një status special rajoneve lindore të dominuara nga prorusët. Një total prej 265 deputetësh votuan pro në parim të projektligjit, 39 më shumë nga sa kërkohej për ta miratuar atë.
Por përçarjet në kampin properëndimor dhe protestat e dhunshme nëpër rrugë treguan se këto ndryshime do të përballen me një rrugë tepër të vështirë përpara sesa të kthehen në ligj. Një person që ishte në turmën e nacionalistëve ka hedhur një granatë, e si pasojë ka humbur jetën një person dhe kanë ngelur të plagosur rëndë 4 policë dhe pjesëtarë të Gardës Kombëtare.

Protestuesit ishin duke demonstruar jashtë Parlamentit kundër projektligjit të “decentralizimit”, që presidenti Petro Poroshenko dhe qeveria e tij kërkojnë ta shtyjnë përpara, si pjesë e një rrugëzgjidhjeje për t’i dhënë fund rebelimit të separatistëve në lindje.

Sipas gardës Kombëtare e Ukrainës të paktën 50 gardistë janë plagosur, prej të cilëve 4 me plagë tepër të rënda, nga shpërthimi. Ish-kryeministrja Yulia Tymoshenko, foli kundër ndryshimeve dhe ka ngritur dyshime nëse Poroshenko do të jetë në gjendje për të siguruar 300 votat e nevojshme për të, në mënyrë që të kalojë në raundin e dytë dhe të fundit, më vonë nga fundi i vitit.

Miratimi i ligjit për dhënien e statusit special për rajonet e Donjeckut dhe Luhanskut, të cilat kontrollohen në pjesën më të madhe nga separatistët e mbështetur nga Rusia, është një element kyç në marrëveshjen e paqes të arritur në Minsk të Bjellorusisë, gjatë shkurtit të këtij viti.

Një i vdekur dhe katër të plagosur në Krajk të Hasit

0

Si pasojë e një konflikti familjar që ka ndodhur të hënën ndërmjet tre vëllezërve në Krajk të Hasit një person ka mbetur i vdekur dhe katër persona kanë mbetur të plagosur.

Ngjarja ka ndodhur gjatë një ceremonie të dasmës ka bërë të ditur për KosovaLive, rreshteri i Policisë së Kosovës në Rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi.

“Mund të konfirmoj se sot rreth orës 14:30, kemi marr një informacion për të shtëna me armë zjarri në fshatin Krajk të Hasit dhe ku menjëherë njësitet e Policisë së Kosovës kanë dalë në vendin e ngjarjes së bashku me ambulancën. Si pasojë e një konflikti familjar, një person ka mbetur i vdekur dhe vdekjen e tij e ka konstatuar mjeku në vendin e ngjarjes. Nga i njëjti konflikt kanë mbetur të plagosur katër persona. Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe Prokurori i Shtetit i cili po merret me rastin”, ka thënë Gashi.

Sipas tij, policia ka dalë në vendin e ngjarjes me ç’rast ka arrestuar katër persona. Gashi bëri të ditur se pas intervistimit iu është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orëve si dhe u janë konfiskuar edhe katër armë.

12 masa të reja sigurie për kryeministrin Mustafa

0

​Zgjatja e rrethojave në objektin e Qeverisë së Kosovës është vetëm një nga 12 masat e reja të sigurisë, të vëna për mbrojtjen e kryeministrit Isa Mustafa, me rekomandimin e Policisë së Kosovës, njësitë speciale që bëjnë matjen e rrezikshmërisë në institucionet e shtetit.
Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arban Abrashi, i cili ka konfirmuar se kanë bërë vendosjen e disa alarmeve përgjatë hapësirës së objektit të kryeministrisë dhe kanë mbyllur disa hapësira me rrezik potencial nga ku mund të sulmohet kreu i ekzekutivit.

Përveç kësaj, Abrashi ka njoftuar se kanë hartuar edhe një plan evakuimi për personelin, në ras rreziku.

“Ky është rekomandim nga policia e Kosovës, nga njësia që e bën vlerësimin e rrezikshmërisë, të cilët kanë vlerësuar se ndërtesa e Qeverisë i takon një ndërtese e cila përmban nivel të lartë të rrezikshmërisë. Meqë rast kanë sjellë rreth 12 rekomandime për evitimin e rrezikut. Pastaj sekretari i Qeverisë Fitim Krasniqi ka kontaktuar Ministrinë e Administratës Publike të cilët e kanë marrë përsipër përmbushjen e këtyre 12 rekomandimeve”, ka thënë Abrashi për Gazetën Fjala.

Sonte, përballja e Ramës dhe Vuçiqit

0

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka zhvilluar një debat me homologun e tij serb, Aleksandër Vuçiq, gjatë Samitit dyditor të Vjenës, i cili do të transmetohet sonte për herë të parë për publikun.

Debati i regjistruar në emisionin Okruzenje (Fqinjësi) do të transmetohet në orën 21:00 në TVSH, RTK1, si dhe njëherësh në televizionet e rajonit.
Lajmin e ka bërë me dije kryeministri Rama, nëpërmjet një postimi në profilin e tij në “Facebook”.
“Debati për emisionin Okruzenje (Fqinjësi) që u zhvillua gjatë procesit të Berlinit në Vjenë e ku të dy kryeministrat folën në gjuhën e tyre, u regjistrua për t’u subtitruar dhe transmetuar sonte në orën 21:00 në TVSH; në të njëjtën orë ky debat do të shfaqet edhe në vendet e tjera të rajonit përveçse në Shqipëri, Kosovë (RTK1), Serbi (RTS 1) dhe Maqedoni (Alsat M)”, ka shkruar Rama.

Mblidhet Përfaqësuesja e Kosovës në Futboll(Video)

0

Përfaqësuesja e Kosovës në Futboll, në mungesë të zhvillimit të ndeshjes miqësore me përfaqësuesen e Burkina Fasos, ka filluar tubimin me lojtarët e ftuar për të qenë pjesë e kësaj miqësoreje që tashmë nuk do të zhvillohet.

Përzgjedhësi i Përfaqësueses “A” Albert Bunjaku vlerëson se përkundër që kjo ndeshje nuk do të zhvillohet, mbledhja e 24 lojtarëve të përfshirë në përfaqësuese do të jetë një mundësi e mirë për të parë nga afër gjendjen fizike dhe lojën që bëjnë futbollistët./ 21 Media

Lavrov: Kam besim në popullin sirian

0

Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, u takua me Koordinatorin e Komitetit të Koordinimit Kombëtar Sirian, Hasan Abdel Azim, liderin e Partisë Vullneti Popullor Opozitar Kadri Xhemil, një nga drejtuesit e Partisë Bashkimi Demokratik, Halid Isa dhe biznesmenin e pavarur Sulejman Nemrut.
Lavarov në fjalimin e tij në takimin e mbajtur në Moskë duke vënë në dukje se ata takohen shpesh me grupet sirian tha se: “Ardhja e opozitës siriane në Moskë nuk është vetëm për të qenë të pranishëm në takime, por kjo nënkupton se është një përpjekje për të ndalur gjakun që rrjedh në vend”.

Kryediplomati Rus duke theksuar se vendi ti tij mbështet fort sovranitetin, unitetin dhe integritetin territorial të Sirisë, shprehu besimin e tij se populli sirian do të vendosë vetë për të ardhmen e tij dhe do të mund të zgjidhi krizën.

Ai u shpreh shpreh se bashkimi i grupeve opozitarëve për të negociuar është një hap i rëndësishëm dhe ka theksuar se për zgjidhjen e problemeve aktuale duhet të krijohet një platformë dialogu mes regjimit të Asadit dhe opozitës.
Ministri i Jashtëm i Rusisë gjithashtu për luftën kundër terrorizmit ka ripërsëritur propozimin e Presidentit rus Vladimir Putin për krijimin e një fronti të përbashkët.

Ndërsa Koordinatori i Komitetit të Koordinimit Kombëtar Sirian, Hasan Abdel Azim, ka pohuar se kanë kryer përpjekje të mëdha për bashkimin e grupeve opozitare me qëllim negociatat.

Azim gjithashtu ka theksuar se mbështesin misionin e Përfaqësuesit të posaçëm të OKB për Sirinë, Staffan de Mistura dhe gjithashtu ka shprehur falënderimet ndaj Rusisë për përpjekjet e dhëna në emër të zgjidhjes së krizës politike të Sirisë.

Delegacioni sirian ditën e nesërme do të mbajnë një konferencë për shtyp për të vlerësuar takimet në Moskë.

Zyrtare: Januzaj huazohet te Dortmund

0

Adnan Januzaj edhe zyrtarisht ka kompletuar huazimin te skuadra e Borussia Dortmund. Mesfushori ofanziv me prejardhje nga Istogu do ta mbaj numrin 9 te skuadra e tij e re. Januzaj mezi pret startin e edicionit të ri me Dortmundin ku e pret një atmosferë të jashtëzakonshme .

Urimi i ministrit Bajrami për fillimin e vitit shkollor

0

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami ka uruar mësimdhënësit dhe nxënësit për fillimin e vitit të ri shkollorë,ja urimi e tij.

1 shtatori është një datë shumë e rëndësishme në kalendarin e jetës tonë, sepse kjo datë shënon një ngjarje të veçantë: fillimin e mësimit, pas një pushimi të gjatë.

Jam i sigurt se të gjithë ne do të punojmë së bashku që vërtetë ky vit shkollor të jetë i suksesshëm, të rezultojë me ngritjen e cilësisë, me një angazhim të gjithëmbarshëm të shoqërisë kosovare, sepse nuk ka prioritet më të madh se sa investimi në edukim.

Të respektuar mësimdhënës,

Ju jeni shtylla e arsimit. Shekulli i ri, kërkon edhe më shumë angazhim dhe përkushtim në përgatitjen e nxënësve. E ardhmja si një shtet i zhvilluar dhe i përparuar, është pikërisht në duart tuaja sot. Ne do të jemi gjithmonë afër juve, që së bashku të realizojmë synimin për cilësi. MAShT do të krijojë mundësi të reja për përgatitjen tuaj, që të jeni sa më kompetent në punën tuaj.

Nxënës të dashur,

Urimin e parë ua dedikoj atyre që për herë të parë do të ulen në bankat e shkollës. Mirë se erdhët në shkollë, vogëlushë të klasës së parë! Urime edhe për të gjithë nxënësit e klasave të tjera. Shpresoj të keni motivimin e duhur për të marrë dije, në mënyrë që nesër të jeni të aftë për ndihmuar familjen dhe shoqërinë.

Përfundon udhëtimi i parë promovues në rrugën Egnatia

0

Via Egnatia po rishkelet pas 200 vjetësh. Aty kaluan ushtritë e Çezarit e Pompeut, apostujt e Krishtit që përhapnin lajmin e mirë, kryqëzatat për të çliruar Tokën e Shenjtë, prej aty mësynë edhe ushtritë osmane drejt Ballkanit apo edhe misionarët që përhapën islamin në Evropë.

Për një javë rresht, 35 studentë dhe profesorë të Universitetit të Venecias i janë bashkuar një projekti të iniciuar nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit për rivitalizimin e rrugës antike Via Egnatia, si një produkt turistik. Janë 263 kilometra, që nisin në Durrës e përfundojnë në Manastir, në Maqedoni. Drejtori i Agjencisë së Bregdetit, Auron Tare, në krye të këtij grupi, tregon për idenë, synimet e projektit dhe kthimin e rrugës antike në një atraksion të vërtetë historik, në gjurmët e së shkuarës, të betejave të përgjakshme, të besimeve të mëdha, por edhe të vetvetes.

Tare thotë se ideja e udhëtimit në rrugën e famshme “Egnatia” nuk është e re. Disa historianë me emër kanëudhëtuar në gjurmët e saj me qëllim identifikimin, por më së shumti për të shkruar mbi ngjarjet historike që ka në ndodhur në këtë rrugë antike. Emra të njohur si Poqueville apo Hammond janë munduar ta ndjekin Via Egnatian në segmente të ndryshme të saj, duke na lënë pas përshkrime shumë interesante. Po kështu, disa arkeologë shqiptarë, si prof. Ceka apo Llazër Papajani kanë kontribuar shumë në njohuritë tona mbi Via Egnatian dhe segmentin që përshkon Shqipërinë. Ka me dhjetëra shkrime mbi rëndësinë e Via Egnatias përgjatë periudhave të ndryshme historike.

Burime që nga antikiteti e deri në Mesjetë na sjellin ngjarje nga më interesantet që kanë të bëjnë me Via Egnatian. Lufta Civile midis Çezarit dhe Pompeut u bë më së shumti përgjatë Via Egnatias. Krishtërimi u përhap në Ballkan falë edhe Via Egnatias, ashtu si shekuj më vonë, po nga Lindja, erdhën misionarët e parë që sollën islamizminnëpërmjet Via Egnatias. Ushtritë që shkonin në Tokën e Shenjtë më së shumti udhëtuan nëpërmjet Via Egnatias. Pra, e gjithë kjo p asuri e madhe historike, natyrshëm është një potencial i jashtëzakonshëm për të krijuar një produkt turistik të cilësisë së lartë. Disa vite më parë, një çift holandezësh përshkuan një pjesë të Egnatias, duke shkruar edhe një libër mjaft interesant dhe duke u bërë, si të thuash, ideatorët e parë të potencialit turistik të Egnatias.

Dhe Tare thotë se udhëtimi në kohën e sotme në këtë rrugë, synon rikthimin e saj në një atraksion të madh për Shqipërinë. Imagjinoni se çfarë do të thotë të ecësh në gjurmët e legjioneve romake, kryqtarëve apo misionarëve islamë, tregtarëve të Venedikut, filozofëve lindorë apo kronikanëve si Celebiu që e përshkruan me mjaft kolor udhëtimin në viset shqiptare nëpërmjet Via Egnatias. Sipas modeleve europiane të itinerareve historike si Via Frangigena, apo itineraret e Santiago de Compostela, Via Egnati a mund të shndërrohet në një arterie të rëndësishme turistike me një impakt ekonomik në zonat rurale, të cilat sot janë të përjashtuara gjeografikisht nga çdo zhvillim i turizmit.Imagjinoni nëse në zonën e malësisë së Librazhdit, për shembull, do të ketë udhëtarë që lëvizin 6 deri në 9 muaj në vit. Kjo lëvizje, nëse orientohet në mënyrë të planifikuar, do të sjellë krijimin e bujtinave lokale, guidave lokale, miniferma të cilat japin ushqim tradicional e mjaft derivate të tjera të turizmit.

“Pra, e reja në projektin tonë është shndërrimi i vlerave historike dhe natyrore në produkt turistik. Mendoj se mbledhja e përpjekjeve të të gjithë atyre që kanë kontribuar në vlerësimin e rrugës Egnatia dhe përkthimi në turizëm ekonomik, zhvillim i komuniteteve rurale është kontributi i ri i këtij projekti”, komenton Tare udhëtimin e tij në kà «të rrugë, duke premtuar vazhdimin e udhëtimit të grupeve të tjera deri në fundin e saj në Stamboll.

Produktet të cilat nga nesër do të jenë më lirë

0

Ligji i ri për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar nga nesër do të ndryshojë ku do të hyjnë në fuqi tarifa të reja. Lista e produkteve që do të kenë përshkallëzimin e TVSH-së, janë kryesisht ushqimor, ku do të përfshihen qumështi, vajin, vezët duke përfshirë edhe energjinë elektrike. Nga kjo i bie se disa produkte ushqimore do të lirohen për deri në 17 cent.
Në një përgjigje për Indeksonline nga zyra e medieve në Ministrinë e Financave tregohen se cilat produkte do të përfshihen në përshkallëzim.
“Lista e produkteve me normë të reduktuar të TVSH-së përfshinë bukën dhe produktet e bukës, drithërat dhe produktet e përbëra nga drithërat, qumështin, vajin, vezët, furnizimin me ujë të pijshëm, me energji dhe shërbimet tjera komunale etj. Në të njëjtën kohë, është mbajtur norma 0% e TVSH-së në produktet bujqësore me qëllim të forcimit të këtij sektori dhe përmbushjes më të madhe të tregut të brendshëm me prodhime bujqësore vendore”, thuhet në një përgjigje me shkrim për Indeksonline nga MF.
Ky ligj do të hyjë në fuqi më 1 shtator dhe qëllimi është përkrahja e ekonomisë së vendit.
“Meqenëse Ligji do hyjë në fuqi nga 1 Shtatori dhe ende nuk dihen efektet e këtij ndryshimi por qëllimi i ndryshimit të ligjit të TVSH-së ka qenë përkrahja e ekonomisë së vendit dhe qytetarëve.
Ndër hapat më të rëndësishëm që reflektohet në ligjin e TVSH-së në reformën fiskale, përpos përshkallëzimit të TVSH-së dhe uljes së pragut, është lirimi nga TVSH-ja i linjave të prodhimit dhe makineritë që ndërlidhen me linjat e prodhimi, lëndës së parë si dhe lirimi i pajisjeve të Teknologjisë informative”.
Më tej thuhet se përshkallëzimi i normës së TVSH-së duke vendosur një normë të reduktuar për produktet bazike, në masë prej 8 për qind, është bërë me qëllim të shpërndarjes më të barabartë të të ardhurave.
Kjo zyre sqaron se kjo mas e re e TVSH-së do t’i nxit bizneset dhe do të shërbejë si stimulues shtesë për ngritjen e kapaciteteve.
“Kjo masë pritet të përmirësoj likuiditetin e bizneseve prodhuese vendore, kjo e një rëndësie të veçantë duke marr parasysh koston e lartë dhe vështirësitë për ndërmarrjet në qasje në financa. Gjithashtu presim që këto masa, në periudhën afat-mesme, do të shërbejnë si një stimul shtesë në ngritje të investimeve private dhe rrjedhimisht prodhimit vendor dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Për më shumë, këto masa në periudhën afat-gjatë pritet se do të mundësojnë rritjen graduale të aftësisë konkurruese të bizneseve kosovare edhe në tregjet ndërkombëtare”.

“Duke marrë për bazë shkallën e lartë të papunësisë dhe faktin se shumica e popullsisë shpenzon rreth 45% të të ardhurave të tyre në produkte ushqimore atëherë reduktimi i normës së TVSH-së në produkte bazike do të rrisë mirëqenien në vend, e në veçanti atë të qytetarëve me të ardhura më të ulëta”.
Po ashtu ndryshimi i TVSH-së do të jetë edhe për regjistrimin e TVSH-së, nga 50 mijë në 30 mijë euro ku kjo mas pritet të ndikojë në shumë biznese.
“Ndryshim tjetër i rëndësishëm në ligjin e TVSH është ulja e pragut për regjistrim në TVSH nga 50.000 euro në 30.000 euro. Kjo masë pritet të ndikoj në përfshirjen e një numri të konsiderueshëm të bizneseve të cilat tashmë operojnë me një qarkullim në mes të këtij intervali. Duke i përfshirë një numër të madh si deklarues të TVSH-së me këtë masë synohet krijimi i një tregu më konkurrent në vend, zgjerimi i zinxhirit të TVSH-së dhe ofrimi i mundësive që këto biznese të rimbursojnë TVSH-në në inputet e tyre. Vlerësimet fillestare nga ndryshimi i ligjit të TVSH për këtë periudhe tregojnë për një inkasim të rreth 15 milion eurosh. Mirëpo, këto janë vetëm vlerësime dhe vlera mund të ndryshoj varësisht nga tendenca e importit të produkteve të cilat preken me këtë ligj. Lista e produkteve do të publikohet me udhëzimin administrativ i cili mbështetë këtë ligj”, sqaron zyra e medieve në MF për Indeksonline.