Një i vdekur dhe katër të plagosur në Krajk të Hasit

TË FUNDIT

Si pasojë e një konflikti familjar që ka ndodhur të hënën ndërmjet tre vëllezërve në Krajk të Hasit një person ka mbetur i vdekur dhe katër persona kanë mbetur të plagosur.

Ngjarja ka ndodhur gjatë një ceremonie të dasmës ka bërë të ditur për KosovaLive, rreshteri i Policisë së Kosovës në Rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi.

“Mund të konfirmoj se sot rreth orës 14:30, kemi marr një informacion për të shtëna me armë zjarri në fshatin Krajk të Hasit dhe ku menjëherë njësitet e Policisë së Kosovës kanë dalë në vendin e ngjarjes së bashku me ambulancën. Si pasojë e një konflikti familjar, një person ka mbetur i vdekur dhe vdekjen e tij e ka konstatuar mjeku në vendin e ngjarjes. Nga i njëjti konflikt kanë mbetur të plagosur katër persona. Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe Prokurori i Shtetit i cili po merret me rastin”, ka thënë Gashi.

Sipas tij, policia ka dalë në vendin e ngjarjes me ç’rast ka arrestuar katër persona. Gashi bëri të ditur se pas intervistimit iu është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orëve si dhe u janë konfiskuar edhe katër armë.