Bashkimi Evropian do të vazhdojë për gjashtë muaj sanksionet kundër zyrtarëve rusë dhe përfaqësuesve të forcave pro-ruse në lindje të Ukrainës.
Ekziston një marrëveshje politike dhe zyrtarët janë pajtuar që të vazhdojnë sanksionet për gjashtë muaj, deri në mars të vitit të ardhshëm, ka deklaruar një diplomat perëndimor, pas takimit të diplomatëve nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.
Vendimi do të hyjë në fuqi pas publikimit në gazetën zyrtare të unionit. Bashkimi Evropian ka ngrirë pasurinë dhe ka ndaluar udhëtimet në shtetet evropiane për 150 individë dhe 40 persona zyrtarë, për shkak të rolit të tyre në konfliktin në lindje të Ukrainës.
Moska në vazhdimësi ka përsëritur se sanksionet, të cilat Perëndimi ja ka vendosur Rusisë, do të jenë kontraproduktive./21Media
BE vazhdon për gjashtë muaj sanksionet kundër Rusisë
Pse i është mërzitur jeta një miliarderi?
Provo të kalosh një orë duke parë një 10-vjeçar duke luajtur Minecraft dhe do doje ta ndaloje pas 30 sekondash.
Loja kompjuterike më popullore në botë është kaq e dashur për miliona njerëz, që luajnë për orë të tëra, por shumë e pakuptimtë dhe e pavlerë për shumëkënd tjetër.
Që kur u lançua në vitin 2009, më shumë se 100 milionë njerëz, kryesisht në moshë shkollore, kanë shkarkuar Minecraft, lojën që ka sjellë mbi 700 milionë dollarë përfitime të pastra.
Qëllimi i lojës është të jetosh në një botën virtuale plot me pengesa të “minuara”.
Prandaj është ironike të mësosh se miliarderi suedez që ka shpikur këtë lojë, thotë se ka ngecur në kurth në një botë të pakuptimtë dhe të izoluar.
Thuajse një vit pasi ai e shiti Minecraft tek gjigandi Microsoft për 2.5 miliardë dollarë, Markus Persson, 36 vjeç, këtë javë postoi disa mesazhe patetike online.
Ai kërkonte që 2.5 milionë ndjekësit e tij në Twitter të mësonin se sa horror është jeta kur je super i pasur.
Kjo ka bërë që ai të jetë dëshpërimisht i vetmuar, i pamotivuar dhe i paaftë për të krijuar një marrëdhënie kuptimplotë me dikë.
“Problemi kur ke gjithçka është se nuk ke më arsye të tentosh dhe ndërveprimi njerëzor bëhet i pamundur për shkak të disbalancës”.
“Del në Ibiza me miq të famshëm dhe bën festa me njerëz të njohur, mund të bëj ç’të dua, por kurrë nuk jam ndjerë më i izoluar”.
“Gjeta një vajzë të shkëlqyer, por ajo ka frikë nga unë dhe stili im i jetesës, kështu që shkoi me një person normal”.
Edhe miqtë e tij në Suedi nuk kanë kohë për të.
Ai thotë se si rri ulur duke parë reflektimin e tij.
Për shumicën e njerëzve, të mos shkosh në punë çdo ditë është një ëndërr.
Por, siç dëshmojnë edhe shumë fitues të British Lottery, të mos kesh punë ose sfida sjell shumë probleme me motivimin.
Në momentin që nuk ke një arsye për t’u zgjuar nga gjumi, është e vështirë të gjesh një motiv të ri.
Shumë prej fituesve të lotarisë, të mërzitur nga ky stil jetese me pushime pafund, i janë kthyer punës.
Persson e pranon se duket qesharak me këto që thotë.
Pas raportimeve në media, ai ka kërkuar falje ndaj personave me probleme reale për ankesat që ka bërë.
Për fat të keq do na vinte keq për të, sikur të mos i kishte shpenzuar paratë si budalla.
Persson thuhet se ka shpenzuar 100 mijë sterlina vetëm në një natë në Las Vegas.
Atij i pëlqen që të bëjë festa me njerëz të famshëm, në vitin 2011 ishte Princ Harry i ftuar në një prej tyre.
Në një rast ai e dërgoi stafin në Monte Karlo me avionë privatë për një çmenduri prej tre ditësh me helikopterë, Ferrari dhe një jaht të marrë me qira.
Por çmenduria më e madhe e tij është shtëpia më e shtrenjtë në Beverly Hills, duke ia kaluar edhe Jay Z dhe Beyonce.
Ai e bleu shtëpinë për 70 milionë dollarë në cash.
Prona ka një pamje fantastike mbi Paqësor, ka mbi 15 banjo, një garazh për 16 makina, bare për tekila dhe vodka, etj.
Blerjen e vilës e festoi me një festë ekstravagante, ku e ftuar ishte edhe Selena Gomez.
Por siç e pranon edhe vetë, ai nuk ishte përgatitur për këtë jetë.
Ai kas pasur një fëmijëri të vështirë në një fshat të vogël rural në Suedi, ku u zhvendosën për të shpëtuar babanë nga varësia prej alkoolit dhe drogës.
Në shkollë e kishte të vështirë të bënte miq dhe rrinte vetëm në kompjuter.
Lojën e parë e projektoi kur ishte tetë vjeç.
Kur ishte 12 vjeç, prindërit u ndanë dhe babai rrëshqiti në depresion, abuzim me drogën dhe u burgos për vjedhje.
Ai u vetëvra në dhjetor të vitit 2011.
Motra e vogël, Anna, kishte probleme me drogën dhe u arratis nga shtëpia kur ishte adoleshente.
Vetë Persson ka lënë të kuptohet se është i depresionuar.
Ai i pranon tundimet e pasurisë.
“Jam pak i fiksuar me idenë për të kapur kohën e humbur teksa programoja lojëra. Por festat nuk janë mënyrë e zgjuar për të shpenzuar para”.
Në vitin 2011 ai u martua me të dashurën Elin Zetterstrand, një programuese e re kompjuterash.
Martesa zgjati një vit dhe Persson fajëson presionin e suksesit të tij për divorcin.
Ai ka një vajzë, Minna, për të cilën paguan 4 mijë sterlina në muaj.
Tani është i vetmuar, i izoluar dhe mesa duket i paaftë për të besuar tek njerëzit me të cilët miqësohet.
Dikush thotë se prodhimi i multi-milionerëve brenda natës ka qenë një vlerë e madhe e internetit.
Të tjerë thonë se shembulli i Persson, që ka zbulaur se paraja nuk sjell lumturi, është prova për të kundërtën.


‘Bombat’ e Zaevit nuk pranohen si prova nga gjykata
Në një vendim shokues, Gjykata e Krimeve në Shkup urdhëroi se bisedat komprometuese të zyrtarëve të ofruara nga opozita nuk përbënin provë në gjyq.
Dy javë përpara se të skadojë afati i 15 shtatorit për caktimin e një prokurori të veçantë për t’u marrë me pretendimet e përgjimeve të paligjshme në Maqedoni, Gjykata e Krimeve në Shkup ka vendosur se bisedat e përgjuara janë një provë e pavlefshme për gjykatën.
Gjykata tha se përgjimet dhe dorëshkrimet ishin marrë në mënyrë të paligjshme dhe nuk mund të përdoren në procedurën e gjykatës.
Përgjimet, të cilat Social Demokratët në opozitë i kanë publikuar që nga shkurti, shfaqin lidhjen direkte të qeverisë në mashtrim zgjedhor dhe abuzim me drejtësinë dhe median.
Ato sugjerojnë përfshirjen e kryeministrit në blerje të paligjshme toke dhe në shkelje të tjera, si dhe tregojnë për mbulimin e vrasjes së një të riu nga një oficer policie.
Social Demokratët thonë se përgjimet tregojnë se Gruevski dhe kushëriri i tij, ish shefi i policisë sekrete Saso Mijalkov, ishin pas përgjimit të 20,000 personave, përfshirë ministra të qeverisë.
Goran Sugarevski, nga Social Demokratët, tha se vendimi shokues konfirmoi se gjykatat veprojnë nën influencën e autoriteteve.
“Ky është një skandal i një shkalle të paprecedentë. Nëse do të kishte gjykim të duhur që nuk do të ishte nën sundimin e VMRO DPMNE, atëherë kjo nuk do të kishte ndodhur dhe nuk do të duhej prokuror i veçantë,” tha ai.
Ai tha se partia qeverisëse po përpiqej me çdo mjet ta eliminojë caktimin e një prokurori special.
Sipas kryeministrit Gruevski, i cili është në pushtet që nga viti 2006, provat janë krijuar nga agjenci të huaja spiunazhi për të destabilizuar vendin, raporton Kallxo.com.
Si pjesë e një marrëveshjeje të 2 qershorit të ndërmjetësuar nga komisioneri evropian Johannes Hahn, opozita dhe qeveria kanë rënë dakord të caktojnë një prokuror të ri special me autoritet të plotë për të drejtuar investigimin për përgjim të komunikimit. Afati i fundit i caktimit është 15 shtatori.
Zbulim spektakolar në ujërat e Egjiptit
Kompania italiane e naftës, Eni, njoftoi se rreth 200 kilometra larg brigjeve të Egjiptit ka zbuluar një fushë të madhe të gazit, më të madhen të gjetur ndonjëherë në Detin Mesdhe. Sipas vlerësimeve të kompanisë, në një thellësi prej 1.5 kilometra gjenden rreth 850 miliardë metra kub të gazit tokësor. Siç u kumtua, ekziston mundësia që të jetë kjo fusha më e madhe e gazit në botë, e cila do të mbulonte për dekada të tëra nevojat energjetike të Egjiptit.
Miliardat, të cilat në rastin më të mirë do të mund të derdheshin në buxhetin e zbrazur shtetëror të Egjiptit jo vetëm që do të forconin pozicionin e presidentit aktual, Abdel Al Sisi, por do të dobësonin edhe fqinjet e Egjiptit.
Deri me tani edhe Izraeli dhe Qipro, falë gazit të zbuluar në territoret e tyre, kanë shpresuar se do të bëheshin eksportues të energjisë. Por dimensioni i jashtëzakonshëm i fushës së gazit të zbuluar në Egjipt imponojnë pyetjen se a do të jenë Jerusalemi dhe Nikozia edhe më tutje atraktive për kompanitë e huaja.
Lajmi për zbulimin e fushës së gazit u prit me ngazëllim të madh në Kajro. Kjo nuk befason aspak, duke pasur parasysh se kriza energjetike në Egjipt këtë verë ishte më e madhe se asnjëherë më parë. Kërkesa për energji në këtë vend ishte për 20 për qind më e lartë se prodhimi.
Ekspertët vlerësojnë se kjo fushë e gazit jo vetëm se do të mbulonte për dekada të tëra nevojat e përgjithshme të Egjiptit, por edhe ato të Evropës.
Për një shtet evropian, i cili në vit shpenzon dy miliardë metra kub gaz, sasia e gazit e zbuluar në Egjipt do të mjaftonte që një vend i tillë të furnizohej për 425 vjet me gaz./21Media
Katër artistë nga Kosova ekspozojnë në Austri
Në Gleisdorf ekspozohen punimet e krijuara në këtë qytet gjatë një jave sa kanë qëndruar aty katër artistët kosovarë: Naim Spahiu, Adriana Sedaj, Salja Tahiraj dhe Admir Përvathi
Sot (e premte) hapet në Gleisdorf të Austrisë ekspozita “Contrasts and Perspectives: Kosova”. Këtu ekspozohen punimet e krijuara në këtë qytet gjatë një jave sa kanë qëndruar aty katër artistët kosovarë: Naim Spahiu, Adriana Sedaj, Salja Tahiraj dhe Admir Përvathi.
Karl Bauer, për një kohë të gjatë këshilltar komunal i Gleisdorfit, prej dhjetë vitesh drejton kompaninë AUKOS (Austrian Kosovar Company) në Kosovë. Kompania merret me sukses me kultivimin e gjedhëve, me prodhimin e qumështit dhe me marketing. Në kuadër të punës së tij janë krijuar edhe shumë kontakte. “Në Kosovë ekziston një skenë artistike pothuaj e pazbuluar , e cila është zhvilluar në kushtet më të vështira”, thotë Bauer për gazetën “Kleine Zeitung”.
Aio kishte organizuar një ekspozitë të artit kosovar që në vitin 2008 ndërsa tash ka shkuar edhe një hap më tutje: Katër artistë kosovarë kanë kaluar një javë në Gleisdorf , ku kanë krijuar së bashku në një ambient të Këshillit të Qytetit.
Adriana Sedaj është kryesuese e bordit të Galerisë së Arteve të Kosovës dhe krijon skulptura kryesisht nga letra. Ajo ka punuar një glob te botës me letrat nga gazeta “Kleine Zeitung”, shkruan autori i artikullit të botuar në këtë gazetë, transmeton albinfo.ch. Naim Spahiu ka nstzudiuar, ashtu sikurse edhe Adriana, në Fakultetin e Arteve në Prishtinë ndërsa Admir Përvathi, në Akademinë e Arteve në Tiranë. Salja Tahiraj ndërkaq është duke ndjekur shkollën e artit në Graz.
“Ne duam të tregojmë se edhe në Kosovë ka diçka tjetër përveç luftës. Gjëra që te ne janë fare të vetëkuptueshme”, thotë Bauer. Grupit të artistëve kosovarë i është bashkuar një grup piktorësh vendorë, gjegjësisht Iniciativa Kulturore “Kunstost”.
Punimet e realizuara gjatë javës së qëndrimit krijues mund të vizitohen nga sot në ekspozitën “Contrasts and Perspectives: Kosova”, përcjell albinfo.ch.
Vernisazhi mbahet sonte në orën 19 dhe do të ketë një përcjellje muzikore nga këngëtarja e xhazit me prejardhje nga Kosova Irina Karamarkoviq.
Shtyhet promovimi i monografisë së Simon Shirokës
Krijimtaria artistike e Simon Shirokës është përmbledhur në një monografi të titulluar “Monografia e Simon Shirokës”, të cilën e ka shkruar e bija e tij, Justina Shiroka Pula.
Promovimi i këtij libri ishe paraparë të bëhej në “Ellie coffee, wine and store”, të enjten, më 3 shtator, (sot) me fillim nga ora 18:00, por, për shkak të problemeve logjistike dhe vonesës së transportit të librave ky promovim shtyhet për 5 shtator (të premten), në orën 19:00.
Monografia e Simon Shirokës është publikuar nga Galeria Kombëtare e Kosovës dhe është financuar nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës. Libri është redaktuar nga Shkëlzen Maliqi.
Humanizmi i shoqatës ‘Nënë Tereza’ frymë e solidaritetit tradicional
Shoqatat humanitare e bamirësisë e themeluar para 25 vjetëve, sot në simpoziumin shkencor kujtuan humanizmin dhe solidaritetin e madh të figurës humanitare ‘Nënën Tereza’. Gjatë viteve 90-ta kjo shoqatë humanitare ishte edhe frymë të solidaritetit tradicional, e sidomos në kohën kur popullit iu ngritën virtytet në mbijetesën dhe mos nënshtrimin e regjimit okupues serbë.
Humanizmi i ‘Nënë Terezës’ ishte edhe simboli dritë dhënës i humanizmit dhe pajtimit mes shqiptarëve, kështu u tha nga të pranishmit.
Don Lush Gjergj, kujtoi thënien e ‘Nënën Terezës’ e cila kishte kërkuar nga populli që dashuria për njëri tjetrin të tregohet në vepër. Ai tha se përmes veprës së bamirësisë dhe jetës së humanistes Nënë Tereza, duhet gjetur rruga e shpëtimit.
MAShT-i dhe SBAShK-u, pajtohen për dialog
Minisitri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami ka pritur sot përfaqësuesit e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK).
Në këtë takim është biseduar për cilësinë në të gjitha nivelet në arsim dhe nevojën e bashkëpunimit edhe më të madh mes MAShT-it dhe SBAShK-ut në mënyrë që të ngritet cilësia në të gjitha dimensionet dhe të sigurohet mësimdhënie cilësore për nxënësit tanë. Përfaqësuesit e Sindikatës shprehën gatishmëri që të jenë partner i rëndësishëm për avancimin e cilësisë.
Ndërsa, ministri Bajrami dhe përfaqësuesit e Sindikatës janë pajtuar që të vazhdojnë dialogun për përmirësimin edhe më tutje të pozitës materiale të mësimdhënësve.
Gjatë takimit është biseduar edhe për projektet që do të fillojnë të implementohen këtë vit, ndërsa ministri Bajrami e ka ftuar SBAShK-un që të jenë gjithmonë pjesë e vendimmarrjes për proceset e rëndësishme në arsim.
Kina shënoi 70 vjetorin e fitores kundër fashizmit(FOTO)
Udhëheqësi i Kinës, Ksi Jinping, hapi paradën e madhe ushtarake, në të cilën morën pjesë mbi 12 mijë ushtarë, me rastin e 70 vjetorit të kapitullimit të Japonisë në Luftën e Dytë Botërore.
Gjatë paradës u prezantuan të arriturat më të reja të Kinës në fushën e teknologjisë ushtarake, ndërsa mbi Pekin fluturuan aeroplanët dhe helikopterët, të cilët gjatë fluturimit formuan numrin 70.
Parada dëshmoi për forcimin e fuqisë ushtarake të Kinës dhe synimin e saj që të bëhet fuqi udhëheqëse në Azi.
Presidenti Ksi hapi me një fjalim paradën në sheshin Tien An Men në Pekin. Krahas këtij në këtë manifestim morën pjesë edhe burrështetas të huaj, në mesin e të cilëve ishin Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, presidentja e Koresë së Jugut, Park Geun Hje dhe sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun.
Ksi gjatë fjalimit të tij paralajmëroi se ushtria kineze do të zvogëlohet për 300 mijë pjesëtarë dhe se numri i pjesëtarëve aktivë të ushtrisë kineze do të reduktohet në 2 milionë.
Përkundër këtij reduktimi, Kina do të mbetet ushtria më e madhe në botë. Reduktimi i numrit të ushtarëve po bëhet, pasi që këtë po e mundëson zhvillimi i teknologjisë ushtarake.
Në paradë kina prezantoi edhe dhjetëra raketa të reja balistike, në mesin e tyre edhe raketën DF2, e cila quhet edhe “shkatërruese e aeroplan-bartësve”.
Zakonisht Kina organizon paradat ushtarake çdo dhjete vjet, në përvjetorin e themelimit të Republikës Popullore të Kinës në vitin 1949./21Media























Kërkohen tekste të reja mësimore për shqiptarët e Luginës së Preshevës
Kryetari i Këshillit Nacional të Shqiptarëve (KNSH), Jonuz Musliu ka thënë se pret që nxënësit, e shkollave shqipe në Bujanovc, Preshevë dhe Medvegjë, do të pajisen me tekste shkollore nga Kosova, si dhuratë nga Ministria e Arsimit, në Prishtinë, raporton Beta.
Musliu ka thënë se KNSH-ja , i është drejtuar Ministrisë së Arsimit në Kosovë, sepse në shkollat fillore, në Luginë të Preshevës, ka mungesë të teksteve shkollore në gjuhën shqipe. Musliu, ndërkaq ka thënë se shkollat e mesme nuk janë fare të pajisuara me tekste të reja shkollore, madje ka raste kur personeli arsimorë, përdorë libra që janë botuar në vitin 1975.
“ Situata është e njejtë sikurse vitin e kaluar, pa tekste për shkollimin fillorë dhe të mesëm. I jemi drejtuar Ministrisë së Edukimit në Beograd, por deri tani nuk kemi marr asnjë përgjigje. Për këtë kemi kërkuar nga Kosova, që të paktën këtë vit nxënësit tanë në shkollat fillore të pajisen me libra,si formë donacioni, përçka edhe kemi marr dritën jeshile.” –është shprehur Musliu.
Ai ka thënë se pret që tekstet shkollore për nivelin fillorë të arrijnë shumë shpejtë nga Prishtina, në Bujanovc dhe Preshevë.
