Kompania italiane e naftës, Eni, njoftoi se rreth 200 kilometra larg brigjeve të Egjiptit ka zbuluar një fushë të madhe të gazit, më të madhen të gjetur ndonjëherë në Detin Mesdhe. Sipas vlerësimeve të kompanisë, në një thellësi prej 1.5 kilometra gjenden rreth 850 miliardë metra kub të gazit tokësor. Siç u kumtua, ekziston mundësia që të jetë kjo fusha më e madhe e gazit në botë, e cila do të mbulonte për dekada të tëra nevojat energjetike të Egjiptit.
Miliardat, të cilat në rastin më të mirë do të mund të derdheshin në buxhetin e zbrazur shtetëror të Egjiptit jo vetëm që do të forconin pozicionin e presidentit aktual, Abdel Al Sisi, por do të dobësonin edhe fqinjet e Egjiptit.
Deri me tani edhe Izraeli dhe Qipro, falë gazit të zbuluar në territoret e tyre, kanë shpresuar se do të bëheshin eksportues të energjisë. Por dimensioni i jashtëzakonshëm i fushës së gazit të zbuluar në Egjipt imponojnë pyetjen se a do të jenë Jerusalemi dhe Nikozia edhe më tutje atraktive për kompanitë e huaja.
Lajmi për zbulimin e fushës së gazit u prit me ngazëllim të madh në Kajro. Kjo nuk befason aspak, duke pasur parasysh se kriza energjetike në Egjipt këtë verë ishte më e madhe se asnjëherë më parë. Kërkesa për energji në këtë vend ishte për 20 për qind më e lartë se prodhimi.
Ekspertët vlerësojnë se kjo fushë e gazit jo vetëm se do të mbulonte për dekada të tëra nevojat e përgjithshme të Egjiptit, por edhe ato të Evropës.
Për një shtet evropian, i cili në vit shpenzon dy miliardë metra kub gaz, sasia e gazit e zbuluar në Egjipt do të mjaftonte që një vend i tillë të furnizohej për 425 vjet me gaz./21Media
