Udhëheqësi i Kinës, Ksi Jinping, hapi paradën e madhe ushtarake, në të cilën morën pjesë mbi 12 mijë ushtarë, me rastin e 70 vjetorit të kapitullimit të Japonisë në Luftën e Dytë Botërore.
Gjatë paradës u prezantuan të arriturat më të reja të Kinës në fushën e teknologjisë ushtarake, ndërsa mbi Pekin fluturuan aeroplanët dhe helikopterët, të cilët gjatë fluturimit formuan numrin 70.
Parada dëshmoi për forcimin e fuqisë ushtarake të Kinës dhe synimin e saj që të bëhet fuqi udhëheqëse në Azi.
Presidenti Ksi hapi me një fjalim paradën në sheshin Tien An Men në Pekin. Krahas këtij në këtë manifestim morën pjesë edhe burrështetas të huaj, në mesin e të cilëve ishin Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, presidentja e Koresë së Jugut, Park Geun Hje dhe sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun.
Ksi gjatë fjalimit të tij paralajmëroi se ushtria kineze do të zvogëlohet për 300 mijë pjesëtarë dhe se numri i pjesëtarëve aktivë të ushtrisë kineze do të reduktohet në 2 milionë.
Përkundër këtij reduktimi, Kina do të mbetet ushtria më e madhe në botë. Reduktimi i numrit të ushtarëve po bëhet, pasi që këtë po e mundëson zhvillimi i teknologjisë ushtarake.
Në paradë kina prezantoi edhe dhjetëra raketa të reja balistike, në mesin e tyre edhe raketën DF2, e cila quhet edhe “shkatërruese e aeroplan-bartësve”.
Zakonisht Kina organizon paradat ushtarake çdo dhjete vjet, në përvjetorin e themelimit të Republikës Popullore të Kinës në vitin 1949./21Media























