Udhëheqësja e së djathtës ekstreme në Francë, Marine Le Pen, ka ngritur sot akuza mjaft të rënda në adresë të Gjermanisë, duke theksuar se ky vend po pranon me mijëra refugjatë, ngase synon të ul pagat dhe të punësojë rob.
Gjatë një vizite në qytetin e Marsejit, Le Pen theksoi se Gjermania me gjasë është duke menduar se popullata e saj është duke u plakur dhe tkurrur dhe sipas të gjitha gjasave synon të zvogëlojë edhe pagat, duke punësuar rob falë imigracionit masiv.
Ajo gjithashtu akuzoi Berlinin se politikën e vet të imigracionit po synon t’ia imponojë Bashkimit Evropian.
Le Pen tha se Gjermania jo vetëm që dëshiron të drejtojë ekonominë e Francës, por synon të detyrojë Parisin që të pranojë me qindra mijëra azilkërkues.
Në anën tjetër, Partia e Majtë në Gjermani për krizën aktuale të refugjatëve akuzuan Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Zyrtarët e kësaj partie insistuan se Qeveria në Berlin duhet të kërkojë nga Uashingtoni që të përfshihet në mbulimin e shpenzimeve për strehimin e refugjatëve.
Në një kumtese të kësaj partie u theksua se shtetet perëndimore, nën kryesimin e Amerikës, kanë destabilizuar shumë rajone, duke nxitur kështu krizën e refugjatëve./21Media
Le Pen: Gjermania po lejon hyrjen e refugjatëve ngase ka nevojë për rob
Eskalon aktiviteti i VV, arrestohen disa aktivistë (Video)
Aktivistë të Vetëvendosjes kanë tentuar të vendosin një udhëzim administrativ nëpër veturat që ndodheshin në oborrin e ndërtesës së re të Qeverisë së Kosovës, por nuk janë lejuar nga Policia e Kosovës. Kjo e fundit, për t’i larguar aktivistët ka përdorur edhe sprej. Ndërkohë janë arrestuar disa aktivistë.
Në udhëzimin administrativ i rekomandohej të gjithë institucioneve shtetërore që për shkak të interesave familjare ti shesin të gjitha veturat.
Gjatë aksionit të lëvizjes Vetëvendosje është lënduar kameramani i RTV21,Berat Bahtiri ndaj të cilit është përdorur sprej.
LDK dhe PDK: Jemi mbrapa në procesin e integrimeve
Ende nuk dihet nëse Kosova do të marr rekomandimin për liberalizimin e vizave në fund të këtij viti, pavarësisht nënshkrimit të edhe katër marrëveshjeve me Serbinë, në dialogun që po zhvillohet në Bruksel. Nga kjo agjendë e bisedimeve, Bashkimi Evropian (BE) i ka dhënë sinjale Serbisë se në fund të këtij vitit do t’i hap bisedimet për anëtarësimin e saj në BE.
Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropian Teuta Sahatqija, ka shprehur besimin se nëse Kosova kryen obligimet karshi BE-së, atëherë edhe rezultati nuk do të mungoj. Por ajo nuk ka mundur të thotë nëse Kosova do të marr rekomandimin për liberalizimin e vizave ose jo, në dhjetor të këtij viti.
Mendoj se Kosova ka dhënë kontribut bukur pozitiv dhe e di që prej BE-së, dhe sidomos prej Gjermanisë, kemi raport të mirë prej tyre dhe pres që puna e mirë e Kosovës do të shpërblehet edhe në procesin e integrimit evropian. Saktësisht nuk mund të them dhe nuk mund të caktoj datë apo muaj, apo orë kur do të bëhet, por e rëndësishme është që ne t’i kryejmë punët që priten prej nesh dhe besoj se rezultati nuk do të mungon”, tha Sahatqija.
Megjithatë, ajo tha se Kosova është mbrapa në procesin e integrimit, por edhe pse është ecur mirë, ende nuk dihet nëse Bashkimi Evropian sa i përket integrimit evropian do të jetë i njëjtë si me Serbinë ashtu edhe me Kosovën.
“Kisha pasur dëshirë që të hapen kapituj edhe për Kosovë por fatkeqësisht ne jemi më mbrapa me këtë proces, por Kosova është duke ecur mirë. Sa i përket kësaj çështje jemi në vazhdim të punëve. A do të jetë njësoj edhe Evropa, në fakt fatkeqësisht nuk jemi në stad të njëjtë të zhvillimit, por pres rezultate pozitive”, theksoi ajo.
Ndërsa, deputeti i PDK-së Xhavit Haliti tha se po thuhet që Kosova i ka plotësuar kushtet për liberalizimin e vizave, por sipas tij, nëse do t’i plotësonin kushtet, atëherë BE-ja do ta luste Kosovën që t’iu bashkonte Bashkimit Evropian, siç po bënë me disa vende tjera.
“Si do qoftë kjo çështja e integrimit është një fushë me të cilën merret edhe Qeveria edhe presidentja edhe parlamenti edhe komisioni ynë, për t’i krijuar kushtet dhe për të kërkua llogari, siç po thuhet nganjëherë që i kemi plotësuar kushtet, por unë mendoj që nëse i kishim plotësuar kushtet ata na kishin lutur hajde a po vini, qysh e lusin një shtet tjetër që nuk donë të hyjë në BE dhe është shtet që i plotëson të gjitha standardet e mundshme. Por unë mendoj që duhet t’i kryejmë të gjitha detyrat dhe të mos i lusim por të na japin vendin që e meritojmë”, tha Haliti.
Ndërsa, sa i përket nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit brenda dy muajve siç ka deklaruar kryeministri Mustafa, Sahatqija tha se kjo nuk varet prej institucioneve të Kosovës, por prej vendeve të BE-së.
“MSA nuk është më vetëm çështje e Kosovës, sa i përket projekteve e punëve të Kosovës ato janë kryer dhe dokumenti është dorëzuar. Ai dokument nuk është në dorë të qeverisë së Kosovës por në dorë të qeverive të vendeve të ndryshme. Disa prej shteteve kanë zgjedhje dhe kjo mund të ndikojë në shtyrje. Ajo që duhet pritur prej qeverisë dhe kryeministrit Mustafa është realizuar. Pra presim rezultatet që nuk varen prej nesh por të tjerëve. Presim qasje pozitive prej tyre”, theksoi ajo.
Rreth liberalizimit të vizave, edhe ministri i Integrimeve Evropiane Bekim Qollaku ka deklaruar kohëve të fundit se deri në fund të vitit, Kosova do t’i kryej të gjitha obligimet për liberalizimin e vizave dhe pastaj do t ë jetë në dorën e vendeve të BE-së nëse do të rekomandojnë liberalizimin e vizave edhe për Kosovën ose jo.
Ilir Deda kritikon ashpër partinë e tij dhe qeveritarët (Video)
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Ilir Deda ka kritikuar ashpër gjuhën që partia e tij dhe Qeveria po e përdorin ndaj njëra-tjetërës.
Në mbledhjen e komisionit për Integrime Evropiane, Deda ka thënë se nuk është pasqyrë e mirë e Kosovës heqja me dhunë e rrethojave të objektit të ekzekutivit si dhe zhargonet e përdorura nga qeveritarët.
Nga ana e tij, edhe anëtari tjetër i komisionit nga radhët e PDK-së Xhavit Haliti ka drejtuar kritika ndaj Ministrisë së Punëve të Brendshme shefi i së cilës është Skënder Hyseni. Ssipas Halitit duhet të raportojë shumë shpejt për ngajrjet që patën ndodhur në Kumanovë të Maqedonisë dhe çështje të tjera.
Haliti ka theksuar më tutje se ky raportim duhet të bëhet pa prezencë të mediave.
Ndryshe, gjatë këtij takimi, komisioni për Intergrime Evopiane ka miratuar planin e punës për vitin 2015 ku përfshihen thirrja në raportim pranë komisionit në fjalë të ministrave kyç në Qeverinë e Kosovës.
Integrimi i mbrojtjes civile në institucionet e Kosovës në fazën finale (Video)
Procesi i integrimit të mbrojtjes civile në institucionet e Republikës së Kosovës është duke shkuar drejt fundit. Tashmë 105 ish-pjesëtar të mbrojtjes civile kanë filluar punën në ministri të ndryshme dhe agjenci të pavarura. Derisa, pjesa tjetër që do të integrohen janë në proces të intervistimit.
Mirëpo, në anën tjetër shoqëria civile po shpreh skepticizmin nëse do të ketë një integrim të mirëfilltë të pjesëtarëve të mbrojtjes civile në institucionet e Kosovës, nëse nuk përfshihet edhe verifikimi i sigurisë për të gjithë këta pjesëtar.
Ministrja pa Portofol në Qeverinë e Kosovës Edita Tahiri tha për KosovaPress se marrëveshja për shuarjen e të ashtuquajturës mbrojtje civile ka hyrë në fazë finale, ku janë dy procese paralele që po zhvillohen.
Priten masa ligjore për zyrtarin e arrestuar në Japoni
Ministria e Zhvillimit Ekonomik është njoftuar nga Ambasada e Kosovës në Japoni, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për arrestimin zyrtarit Ramadan Sejdiu, nga Stacioni i Policisë së Fukuokes, rajon ky në jug të Japonisë.
Mirëpo, njoftimi që kanë marrë institucionet e Kosovës është ende i mangët dhe mbi bazën e tij nuk mund të merret vendim për suspendimin e tij.
“Na është thënë se ambasada ka kërkuar njoftim me shkrim për këtë rast, por Policia e Fukuokes nuk ka lëshuar ende asnjë njoftim me shkrim për institucionet e Kosovës. Prandaj, duke qenë se ende as Ambasada e Kosovës në Japoni dhe as Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës nuk kanë pranuar asnjë njoftim zyrtar mbi arsyeshmërinë e ndaljes apo vendim të autoriteteve japoneze, MZHE është shumë e kufizuar dhe nuk mund të ndërmarr ndonjë veprim apo masë ndaj zyrtarit në fjalë”, thotë Zyra për Komunikim me Publikun në MZHE.
Sipas saj, sapo të kenë informacione zyrtare mbi arsyeshmërinë e arrestimit, MZHE do t’i ndërmerr masat ligjore adekuate, që parashihen me Ligjin për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës.
“Sipas këtij ligji, vetëm me inicimin e procedurave penale në mënyrë zyrtare nga autoritetet kompetente mund të ndërmerren masat e pezullimit apo edhe shkarkimit, në rast se vërtetohet fajësia e tij”, sqaron MZHE, e kontaktuar nga KosovaPress.
Haliti: Ministri Hyseni të raportojë për Maqedoninë
Nënkryetari i kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe anëtar i komisionit për Integrime Evropiane, Xhavit Haliti ka propozuar që në këtë komision të ftohet ministri i punëve të brendshëm, Skënder Hyseni që të raportojë pa pranin e mediave rreth Maqedonisë dhe shume çështje tjera.
Kurse, anëtari tjetër i këtij komisioni, Ilir Deda ka shprehur brengën e tij lidhur me tensionimin e skenës politike në Kosovë.
Ferizaj pa konvikt, studentët paralajmërojnë protestë
Organizata “Demokracia Studentore e Ferizajt” ka reaguar ndaj mungesës së konviktit dhe menzës, duke thënë se Ferizaj është i vetmi qytet në Kosovë që nuk i ka. Kjo organizatë studentore ka paralajmëruar se nëse në tetor nuk fillojnë punimet për menzën dhe konviktet, ata do të organizojnë protestë para Kuvendit Komunal.
Kryetari i Demokracisë Studentore, i cili është njëherësh edhe Kryetar i Këshillit Studentor në Universitetin e Ferizajt, Mexhid Ramusa thotë se menza e studentëve dhe konviktet janë tejet të nevojshëm dhe me mungesën e tyre, Komuna e Ferizajt po shkel të drejtat e studentëve.
“Tashmë në tetor fillon viti i ri akademik, pasi ne jemi bërë Universitet dhe në këtë Universitet studiojnë shumë të rinj nga i gjithë Regjioni i Ferizajt dhe me gjerë. Andaj, ne studentët kërkojmë që kërkesat tona të shqyrtohen nga Kuvendi Komunal dhe të fillojnë punimet sa më shpejt”, ka thënë ai.
AAK me turnir në futboll për 7 shtatorin
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dega në Deçan, për nderë të “7 shtatorit”, ka organizuar turnir në futboll të vogël, me moton: “Kosovë unike, jo ndarje etnike”
Turniri tanimë ka filluar në fushën e sportit ”ARENA” në Isniq.
Finalja e këtij turniri do të mbahet nesër në orën 18:00 paraprakisht do të zhvillohet një ndeshje miqësore në mes veteranëve të UÇK-së nga Dukagjini dhe Drenica, si dhe një program artistik.
Në këtë turnir do të luajnë ekipet e të gjitha fshatrave të komunës se Deçanit, ekzekutivi komunal dhe asambleistët e Komunës së Deçanit
Gjyshja 87 vjeçare që refuzon të plaket, yll i web-it
Ajo është 87 vjeç, s’ka dëshirë të plaket dhe tani është një yll i web-it.
Baddie Winkle, ka miliona ndjekës falë mesazheve dhe komenteve zbavitëse.
Në Instragram ajo ka rreth 1.1 milion fansa, mes të cilëve edhe të famshmet Rihanna, Miley Cyrus dhe Nicole Richie. Pas vdekjes së bashkëshortit dhe të djalit, ajo filloi të vishej në mënyrë ekstravagante, duke arritur deri në skenën e MTV Video Music Awards në Los Angeles.
Stërgjyshja filloi të vishte pantallonat e mbesës me të cilën jetonte. Kur vajza u kthyer në shtëpi i bëri disa foto të cilat ja postoi në rrjetin social.
Prej asaj dite veshjet me ngjyra dhe pozat zbavitëse e kanë transformuar në një personazh të famshëm. Në këtë mënyrë Baddie Winkle zbavitet me familjen e saj duke zbavitur njëkohësisht edhe fansat.
