​LDK dhe PDK: Jemi mbrapa në procesin e integrimeve

TË FUNDIT

Ende nuk dihet nëse Kosova do të marr rekomandimin për liberalizimin e vizave në fund të këtij viti, pavarësisht nënshkrimit të edhe katër marrëveshjeve me Serbinë, në dialogun që po zhvillohet në Bruksel. Nga kjo agjendë e bisedimeve, Bashkimi Evropian (BE) i ka dhënë sinjale Serbisë se në fund të këtij vitit do t’i hap bisedimet për anëtarësimin e saj në BE.

Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropian Teuta Sahatqija, ka shprehur besimin se nëse Kosova kryen obligimet karshi BE-së, atëherë edhe rezultati nuk do të mungoj. Por ajo nuk ka mundur të thotë nëse Kosova do të marr rekomandimin për liberalizimin e vizave ose jo, në dhjetor të këtij viti.
Mendoj se Kosova ka dhënë kontribut bukur pozitiv dhe e di që prej BE-së, dhe sidomos prej Gjermanisë, kemi raport të mirë prej tyre dhe pres që puna e mirë e Kosovës do të shpërblehet edhe në procesin e integrimit evropian. Saktësisht nuk mund të them dhe nuk mund të caktoj datë apo muaj, apo orë kur do të bëhet, por e rëndësishme është që ne t’i kryejmë punët që priten prej nesh dhe besoj se rezultati nuk do të mungon”, tha Sahatqija.

Megjithatë, ajo tha se Kosova është mbrapa në procesin e integrimit, por edhe pse është ecur mirë, ende nuk dihet nëse Bashkimi Evropian sa i përket integrimit evropian do të jetë i njëjtë si me Serbinë ashtu edhe me Kosovën.

“Kisha pasur dëshirë që të hapen kapituj edhe për Kosovë por fatkeqësisht ne jemi më mbrapa me këtë proces, por Kosova është duke ecur mirë. Sa i përket kësaj çështje jemi në vazhdim të punëve. A do të jetë njësoj edhe Evropa, në fakt fatkeqësisht nuk jemi në stad të njëjtë të zhvillimit, por pres rezultate pozitive”, theksoi ajo.

Ndërsa, deputeti i PDK-së Xhavit Haliti tha se po thuhet që Kosova i ka plotësuar kushtet për liberalizimin e vizave, por sipas tij, nëse do t’i plotësonin kushtet, atëherë BE-ja do ta luste Kosovën që t’iu bashkonte Bashkimit Evropian, siç po bënë me disa vende tjera.

“Si do qoftë kjo çështja e integrimit është një fushë me të cilën merret edhe Qeveria edhe presidentja edhe parlamenti edhe komisioni ynë, për t’i krijuar kushtet dhe për të kërkua llogari, siç po thuhet nganjëherë që i kemi plotësuar kushtet, por unë mendoj që nëse i kishim plotësuar kushtet ata na kishin lutur hajde a po vini, qysh e lusin një shtet tjetër që nuk donë të hyjë në BE dhe është shtet që i plotëson të gjitha standardet e mundshme. Por unë mendoj që duhet t’i kryejmë të gjitha detyrat dhe të mos i lusim por të na japin vendin që e meritojmë”, tha Haliti.

Ndërsa, sa i përket nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit brenda dy muajve siç ka deklaruar kryeministri Mustafa, Sahatqija tha se kjo nuk varet prej institucioneve të Kosovës, por prej vendeve të BE-së.
“MSA nuk është më vetëm çështje e Kosovës, sa i përket projekteve e punëve të Kosovës ato janë kryer dhe dokumenti është dorëzuar. Ai dokument nuk është në dorë të qeverisë së Kosovës por në dorë të qeverive të vendeve të ndryshme. Disa prej shteteve kanë zgjedhje dhe kjo mund të ndikojë në shtyrje. Ajo që duhet pritur prej qeverisë dhe kryeministrit Mustafa është realizuar. Pra presim rezultatet që nuk varen prej nesh por të tjerëve. Presim qasje pozitive prej tyre”, theksoi ajo.

Rreth liberalizimit të vizave, edhe ministri i Integrimeve Evropiane Bekim Qollaku ka deklaruar kohëve të fundit se deri në fund të vitit, Kosova do t’i kryej të gjitha obligimet për liberalizimin e vizave dhe pastaj do t ë jetë në dorën e vendeve të BE-së nëse do të rekomandojnë liberalizimin e vizave edhe për Kosovën ose jo.