Merkel: Nevojitet një reagim evropian ndaj krizës së refugjatëve

0

Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, falënderoi sot të gjithë ata, të cilët ndihmuan gjatë pranimit të mijëra refugjatëve të lodhur, të cilët hynë në Gjermani gjatë ditëve të kaluara, por nënvizoi se nevojitet urgjentisht një reagim evropian ndaj krizës.
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me zëvendës-kancelarin e Gjermanisë, Zigmar Gabriel, Merkel nënvizoi se barra për pranimin e refugjatëve nuk mund të bie mbi supet e vetëm disa shteteve evropiane dhe se nevojitet një zgjidhje evropiane e krizës.
Komisioni i Evropës më herët ka përcaktuar sistemin e kuotave kombëtare të pranimit të numrit të caktuar të refugjatëve nga ana e shteteve dhe në bazë të këtyre kuotave, Gjermania është paraparë të pranoi 40 mijë refugjatë, nga gjithsej 160 mijë sosh, që aktualisht gjenden në Greqi, Itali dhe Hungari.
Në Paris, Presidenti i Francës, Fransoa Holland, deklaroi se vendi i tij gjatë dy viteve të ardhshme do të pranoi 24 mijë refugjatë. Ai me këtë rast tha se kriza e refugjatëve duhet të zgjidhet dhe qartësoi se Franca do të jep kontributin e saj për eliminimin e këtij problemi./21Media

Eleminatoret për "Franca 2016" – sytë kah "Elbasan Arena"

0

Edhe dita e sotme përshkohet me ethet e kualifikimeve për kampionatin e ardhshëm evriopian të futbollit “Franca 2016”. Në radhë janë takimet e rrethit të tetë, të cilat për shumicën e kombëtareve mund të jenë vendimëtare!
Ndeshja që merr gjithë interesimin e botës shqiptare, pa dyshim, është ajo që zhvillohet sonte, prej orës 20 e 45 minuta në stadiumin “Elbasan Arena”. Shqipëria që është në prag të suksesit historik e pret Portugalinë e vendit të parë në grup dhe çdo rezultat, pos humbjes është edhe një hap drejtë Francës 2016!
T’iu kujtojmë: Shqipëria ende nuk ka pësuar, ndërkohë që para një viti me golin e Balajt e pati mundur Portugalinë, e cila atëherë ishte pa lojtarin më të mirë Kristian Ronaldo!
Si do që të jetë Shqipëria është e gatshme për këtë betejë të madhe dhe seleksionuesi Di Biazi ka thurë taktikë e përbërje që mund ti kundërvihet portugezëve. Nëa anën tjetër motivi vjen gjithandej, sepse që tani atmosfera kudo është shpërthyese dhe jo vetëm në qytetin e Elbasanit, që është i veshur i tëri në dyngjyrëshin kuq e zi. Ndërkaq, atu e madhe e kombëtarës është edhe mbështetja që do të vijë nga rreth 12 mijë shikues që mbushin Arenën e sontme dhe që duket të jetë stadiumi më i vogël karshi interesimit!

Ja palët rivale të ndeshjeve të sontme kualifikuese:
Armenia – Denmarka (18.00)
Shqipëria – Portugalia (20.45)
Polonia – Gjibraltari
Irlanda – Gjeorgjia
Skocia – Gjermania
Finalanda – Ishujt Faroe
Irlanda e Veriut – Hungaria
Rumania – Greqia

Ministri Agani rishikon vendimet për rrënimet në Prevallë

0

Mbi 40 vila luksoze, që janë ngritur pa leje ndërtimi në fshatin turistik Prevallë, do të duhej të rrënoheshin nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), por kjo nuk ndodhi në tetë muaj qeverisje të ministrit, Ferid Agani.

Thuhet se ato u përkasin politikanëve kosovarë të pozitës dhe të opozitës. Ministri, Ferid Agani, nuk po i beson në plotësi vendimit të ish-ministrit, Dardan Gashi, i cili pati lëshuar urdhër për rrënimin e vilave.

Ministri Ferid Agani ka vendosur që t’i rishikojë të gjitha vendimet, meqë, siç thotë ai, pronarët kanë parashtruar ankesa, shkruan gazeta Zëri.

Autoritet e Komunës së Prizrenit, në tokën e të cilëve ndodhet Prevalla, po presin nga niveli qendror që gjatë muajit shtator t’i ndezë ekskavatorët dhe t’i nisin rrënimet.

Që të nisë ekzekutimi i vendimit të tij po pret edhe ish ministri Gashi. Por, kreu aktual i MMPH-së, Ferid Agani, ka thënë se rrënimet do të mundë të shihen gjatë muajit shtator, por paraprakisht do të rishikohen vendimet.

“Ministria i ka rifunksionalizuar task-forcat, të cilat kanë qenë të emëruara në mandatin e kaluar dhe ky grup po analizon çdo rast dhe po sheh se ku është me procedurat gjyqësore që po zhvillohen, ngase ka pasur ankesa prej pronarëve. Në situatën kur nuk ka më ankesa, atëherë do të ekzekutohen vendimet. Task-forca nuk është organ ligjor, por organ konsultativ i ministrit dhe ato vendime që janë sjellë në atë kohë janë nxjerrë në bazë të sugjerimeve të task-forcave”, ka thënë ministri Agani.

Kurti: Po përgatitemi për protestë të fuqishme

0

Ish-lideri i Lëvizjes Vetëvendosje! Albin Kurti, ka thënë se janë duke u përgatitur që ditët e ardhshme ta organizojnë një protestë të fuqishme dhe masive.
Sipas tij, momentalisht Vetëvendosje! është duke organizuar tribuna nëpër qytete të ndryshme të Kosovës. “Gjithçka është në përgatitje të protestave. Marrëveshjet janë bërë brenda ditës”, ka shtuar Kurti në emisionin “Info-Box” të “TV Dukagjinit”.
Kurti ka thënë se nuk duan të organizojnë protesta pa e ditur qartë se për çfarë duhet të protestohet. “Nuk duam që të organizojmë protesta pa e shpjeguar qartë se çfarë paraqet ‘Zajednica’. Kemi mundur të organizojmë protesta, por duam që ato të jenë të fuqishme, prandaj po marrim më tepër kohë për përgatitjen e protestave të ardhshme. Rrëzimi i Qeverisë dhe ndalja e ‘Zajdnicës’, janë bërë një prelud”, ka deklaruar Kurti.
Deputeti Kurti ka folur edhe për deklaratën e kryeministrit Isa Mustafa, i cili e ka quajtur gomar. Sipas Kurtit një deklaratë e tillë e Mustafës ka për qellim zhvendosjen e vëmendjes nga zhvillimet negative në Kosovë.

Qeveria me strategji kundër terrorizimit

0

Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka miratuar sot draft-strategjinë nacionale për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm.

Kryeministri Isa Mustafa, i cili ka udhëhequr këtë mbledhje, ka shprehur përkushtimin e Qeverisë për t’i ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për ta parandaluar dhe luftuar të gjitha format e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit.

Ai ka vlerësuar faktin se draft-strategjia që po hartohet është mjaft gjithëpërfshirëse dhe se ajo përbën një nga instrumentet përmes të cilës do të adresohen angazhimet e Kosovës në këtë drejtim.

Mustafa ka shprehur vendosmërinë e Kosovës për të qenë pjesë aktive e angazhimeve të botës demokratike, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në luftën kundër këtyre dukurive. Pas aprovimit nga ana e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, kjo draft-strategji pritet të aprovohet në mbledhjen e radhës të Qeverisë së Kosovës.

Për ballkanasit për çdo vit nga 20 mijë vende të punës

0

Ministrja gjermane për Çështje Sociale, Andrea Nahles, nënvizoi se Berlini mund të lëshojë nga 20 mijë leje të punës në vit, për qytetarët nga Ballkani.
Në një intervistë dhënë për të përjavshmen gjermane, Der Shpigell, Nahles deklaroi se synohet që qytetarëve nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor t’iu lehtësohet punësimi dhe trajnimi i paguar profesional në Gjermani, në të cilin vend aktualisht ka mbi 600 mijë vende të lira të punës.
Thelbi i idesë së saj është që gjatë pesë viteve të ardhshme për qytetarët nga gjashtë shtetet ballkanike të sigurohen për çdo vit nga 20 mijë leje të punës, pa marrë parasysh kualifikimet e tyre. Bëhet fjalë për 20 mijë leje të punës në vit, e jo për 20 mijë njerëz.
Kushtet për sigurimin e vendit të punës do të ishin miratimi nga ana e Agjencisë gjermane për punësim, oferta konkrete për punësim apo trajnimi profesional me pagesë në nivelin lokal.
Nahles propozimin e saj e arsyetoi me fjalët se nuk mund të jetë që me shtetet si Bosnja dhe Mali i Zi zhvillohen negociata për anëtarësimin e tyre në Bashkimin Evropian, ndërsa qytetarët nga këto shtete mund të hyjnë në Gjermani vetëm nëpërmjet ligjit për azil.
Sipas ligjit aktual në fuqi, një i huaj në Gjermani mund të punësohet vetëm atëherë, kur mungojnë kandidatë nga Gjermania për mbulimin e vendeve të caktuara të punës./21Media

Bleu rroba banje, në xhepat e tyre gjeti 9 doza drogë

0

Një 33-vjeçar shkoi në një dyqan për të blerë një palë rroba banje 5 paund, por ajo çfarë gjeti në xhep është e çuditshme. Adam Travers u shqetësua shumë kur në xhepin e rrobave të banjos gjeti 9 doza droge. Gazeta “The Sun” shkruan se çifti u shqetësua më shumë për arsyen se si fëmija i tyre mund të binte në kontakt me drogën, dhe më pas mund t’i konsumonte.

Travers është shprehur: “Jam tronditur shumë. Nëse do t’i gjente fëmija im, pasojat do të ishin të rënda. E nëse do të niseshim për pushime, sigurisht që do të kishim probleme serioze në aeroport, duke rrezikuar pa dashje edhe burgun”.

Për fat të mirë të çiftit, policia ka analizuar dozat dhe nga analizat rezultoi se dozat ishin antidepresive, por që shpesh përdoren edhe si drogë.

Ndërkohë, dyqani ku u blenë pantallonat e shkurtra, ka deklaruar se e ka ndërprerë kontratën me firmën që e furnizonte me veshje.

Prishtinë: Ka filluar "Java e Filmit të Bekim Fehmiut"

0

Kjo ngjarje do të ketë ceremoninë e hapjes në Kino ABC në Prishtinë, me 6 tetor prej orës 19:30, ku do të shfaqet edhe filmi“Mbledhësit e Puplave”, ndër të tjera i shpërblyer me Grand Prinë në Festivalin e Kanës më 1967.
Edicioni i dytë i Festivalit “Mirëdita, dobar dan!”, do të vazhdojë në Kosovë. Pas prezantimit të skenës kulturore e artistike kosovare në Serbi, ky festival do të shtrihet edhe në Kosovë nëpërmes organizimit të Javës së Filmit të Bekim Fehmiut. Bekim Fehmiu, aktor shqiptar, kosovar, beogradas, jugosllav dhe botëror, është simbol i të kaluarës së përbashkët, përmes të cilës, me të gjitha sfidat, të arriturat dhe keqkuptimet, ka shërbyer si frymëzim për themelimin dhe realizimin e këtij eventi.
Java e Filmit te Bekim Fehmiut do të organizohet në periudhën 06 – 10 Tetor 2015, në dy qytete me rëndësi memoriale në jetën e Bekim Fehmiu, përkatësisht në Prishtinë dhe Prizren. Qytetarët e Kosovës do të kenë mundësi të shijojnë pesë filma nga krijimtaria kinematografike e aktorit Bekim Fehmiu: “Mbledhësit e Puplave”, “Gethi i Gjerë”, “Era”, “Edukimi Special” dhe “Kurthi për Gjeneralin”.
Kjo ngjarje do të ketë ceremoninë e hapjes në Kino ABC në Prishtinë, me 6 tetor prej orës 19:30, ku do të shfaqet edhe filmi“Mbledhësit e Puplave”, ndër të tjera i shpërblyer me Grand Prinë në Festivalin e Kanës më 1967. Ndërsa shfaqja e filmave të tjerë do vazhdoj në bazë të orarit të planifikuar deri me datë 10 Tetor 2015, në Kino ABC and Dokukino.
Hyrja për të gjitha shfaqjet e filmave do të jetë falas.
Festivali “Mirëdita, dobar dan!” është iniciative unike që kontribuon në dialogun dhe shkëmbimin kulturor në mes Kosovës dhe Serbisë, më qëllim të përmirësimit të marrëdhënieve sociale, politike dhe kulturore në mes dy shoqërive.
Projekti “Mirëdita, dobar dan!” implementimet nga Integra, Iniciativat Qytetare, Qendra për Politikë në bashkëpunim me KFOS dheforumZFD. “Java e Filmit të Bekim Fehmiut” organizohet në bashkëpunim me Qendrën Kinematografike të Kosovës, Kino ABC, Dokukino, KTV, Sarajevo Film Center and Center Film. Ky projekt mbështetet nga Ambasada Norvegjeze në Prishtinë, Ambasada Amerikane në Prishtinë, Ambasada Zvicerane në Prishtinë, Ministria e Kulturës në Kosovës dhe Komuna e Prishtinës.

Blerina Rogova Gaxha fiton çmimin “Crystal Vilenica” 2015

0

Çmimin e ka ndarë juria ndërkombëtare, me president shkrimtarin dhe akademikun e njohur indian K. Satchidanandan, dhe anëtarët: shkrimtaren Órfhlaith Foyle (Irlandë), shkrimtarin Dejan Trajkovski (Maqedoni) dhe botuesin e shkrimtarin Janis Oga (Lituani)
Poetes, eseistes dhe gazetares Blerina Rogova Gaxha i është ndarë çmimi prestigjioz për letërsinë “Crystal Vilenica” në një ndër festivalet më të rëndësishëm të letërsisë në Evropën Qendore.
“International Literary Festival-Vilenica”, pos Blerina Rogova Gaxhës, laureate e çmimit në edicionin jubilar, të 30-tin me radhë të festivalit, është edhe shkrimtarja sllovene Polana Glavan. Dy fitueset janë zgjedhur në mesin e emrave të njohur të letërsive evropiane.

Telefoni i parë kompjuter me platformën Windows 10 Mobile

0

Microsoft kishte thënë se funksionaliteti Continuum në Windows 10 Mobile do të ofronte eksperiencën e të punuarit me një kompjuter të vërtetë nëse telefoni lidhet me një monitor të jashtëm.

Acer po investon në këtë koncept me Jade Primo, telefoni i parë “kompjuter”, i cili poshtëron të gjitha modelet e tjera Lumia aktualisht në treg.

Ky është telefoni që konsumatorët e Windows Phone kanë shpresuar për vite me rallë. Ka ekran 5.5 inç Super AMOLED, kamër të pasme 21 megapiksel dhe frontale 8 megapiksel.

Në brendësi gjendet një proçesor Qualcomm Snapdragon 808. Shefi ekzekutiv i Acer tha: “Padyshim ky është telefoni i parë kompjuter”. Acer e prezantoi telefonin gjatë IFA-së ku shfaq aplikacionin Mail në Windows 10.

Pse ka rëndësi? Continuum në Windows 10 Mobile premton mundësinë për të përdorur telefonin si një kompjuter. Krejt papritmas lidhni telefonin me një ekran dhe do të jeni në gjëndje të përdorni aplikacionet standarte të cilat adaptohen në madhësinë e ekranit. Më në fund të gjithë ata prodhues telefonësh Windows do të kenë një pikë të fortë marketingu. (PCWorld Albanian)