Ministrja gjermane për Çështje Sociale, Andrea Nahles, nënvizoi se Berlini mund të lëshojë nga 20 mijë leje të punës në vit, për qytetarët nga Ballkani.
Në një intervistë dhënë për të përjavshmen gjermane, Der Shpigell, Nahles deklaroi se synohet që qytetarëve nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor t’iu lehtësohet punësimi dhe trajnimi i paguar profesional në Gjermani, në të cilin vend aktualisht ka mbi 600 mijë vende të lira të punës.
Thelbi i idesë së saj është që gjatë pesë viteve të ardhshme për qytetarët nga gjashtë shtetet ballkanike të sigurohen për çdo vit nga 20 mijë leje të punës, pa marrë parasysh kualifikimet e tyre. Bëhet fjalë për 20 mijë leje të punës në vit, e jo për 20 mijë njerëz.
Kushtet për sigurimin e vendit të punës do të ishin miratimi nga ana e Agjencisë gjermane për punësim, oferta konkrete për punësim apo trajnimi profesional me pagesë në nivelin lokal.
Nahles propozimin e saj e arsyetoi me fjalët se nuk mund të jetë që me shtetet si Bosnja dhe Mali i Zi zhvillohen negociata për anëtarësimin e tyre në Bashkimin Evropian, ndërsa qytetarët nga këto shtete mund të hyjnë në Gjermani vetëm nëpërmjet ligjit për azil.
Sipas ligjit aktual në fuqi, një i huaj në Gjermani mund të punësohet vetëm atëherë, kur mungojnë kandidatë nga Gjermania për mbulimin e vendeve të caktuara të punës./21Media
