Tifozja më e vjetër e Kombëtares (Foto)

0

Ndeshja Shqipëri-Portugali, e cila luhet sot dhe është e vlefshme për Evropianin 2016, ka mobilizuar shumë shqiptarët.

Të gjithë i kanë sytë nga “Elbasan Arena” ku sonte ekipet matin forcat. E në këtë mes është edhe kjo 95 vjeçare, për të cilën në rrjetet sociale është thënë se është nga Përmeti. /portalionline

Merkel për emigrantët nga Ballkani: Gjeni punë nëse dëshironi të qëndroni në Gjermani

0

Kur në konferencë shtypi jo të planifikuar prej kohësh dalin së bashku kancelarja dhe zëvendëskancelari, arëherë çështja është e rëndësishme. “Ne kemi lënë pas një fundjavë të ngarkuar, intensive”, formulon përmbledhtas Angela Merkel gjendjen të hënën në mëngjes në kancelari dhe me këtë ajo ka parasysh jo vetëm mbërritjen e rreth 20.000 refugjatëve të shtunën dhe të dielën në Gjermani, por edhe faktin, se vala e atyre që kërkojnë mbrojtje dhe ndihmë nuk do të pakësohet së shpejti.

Si duhet të veprojë vendi, si mund të strehohen qindra mijëra vetë, të përkujdesen, por edhe të integrohen? Për këtë u konsultuan të dielën (06.09) në mbrëmje në zyrën e kancelares kryesitë e dy partive të koalicionit qeveritar unioni konservator i kristinademokratëve e kristiansocialëve (CDU/CSU) dhe partia socialdemokrate (SPD). Të nesërmen Angela Merkel dhe Sigmar Gabriel dolën para shtypit për t’iu përgjigjur pyetjeve.

“Unë besoj, se dje ka qenë ndoshta një prej takimeve më të rëndësishme të komisionit të koalicionit”, tha kryetari i SPD-së, i cili fluksin e refugjatëve e cilëson si “sfidën më të madhe që pas ribashkimit”. Kancelarja bën fjalë për “mobilizim forcash” dhe për “përballim krize”, por edhe për “përgjegjësi” dhe “solidaritet”.

Ndryshime të planifikuara

Bashkë me CSU partitë e koalicionit kanë rënë dakord për një sërë masash, me të cilat duhet të ndryshohet politika e azilit dhe e refugjatëve. Për përkujdesjen dhe strehimin në buxhetin e vitit 2016 do të planifikohen tre miliardë Euro shtesë. Tre miliardë Euro të tjera do t’u vihen në dispozicion landeve dhe komunave. Se si dotë përdoren këto para konkretisht, për këtë do të bien dakord federata dhe landet në një takim të përfaqësuesve të tyre më 24 shtator.

Ndihmën për azilkërkuesit në strehimoret e pranimit partnerët e koalicionit duan ta ndryshojnë nga ndihmë në para në ndihma në natyrë. Për këtë ka insistuar kryesisht CSU-ja bavareze. “Garantimi i ndihmave financiare me para në dorë ka efektin joshës për të ardhur në Gjermani, sepse shumë vende të tjera, madje edhe në Europë, nuk e kanë këtë formë të ndihmës”, argumenton kryetarja e grupit të landit të CSU-së në Bundestag, Gerda Hasselfeldt. Sipas saj, të tilla “joshje të rreme” nuk duhet të vazhdojnë të ekzistojnë më për një kohë të gjatë.

Më shumë vende të sigurta origjine

Lista e të ashtuquajturve “vende të sigurta të origjinës” do të zgjerohet edhe me vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë Shqipërinë, Kosovën dhe Malin e Zi. Azilkërkuesit nga vendet e Ballkanit Perëndimor parimisht do të pranohen në strehimoret e pranimit fillestar në Gjermani, ku me mbështetjen e federatës do të krijohen edhe 150.000 vende të sigurta për dimrin. Por koha e qëndrimit të refugjatëve në këto qendra do të zgjatet nga tre në gjashtë muaj, e po për aq kohë do të vlejë edhe detyrimi për largimin nga Gjermania.

Personat, të cilëve u refuzohet kërkesa për azil, në të ardhmen do të dëbohen më shpejt drejt vendlindjes.

“Kushdo që ka detyrim të largohet, duhet vërtetë edhe të largohet nga vendi ynë”, u shpreh kancelarja, e cila deklaroi gjithashtu, se do të pakësohet ndihma sociale për ata “që janë të detyruar të largohen” nga Gjermania. Por nga ana tjetër qeveria planifikon një lloj “mini ligj-emigracioni” për njerëzit nga shtetet e Ballkanit. Kush mund të dëshmojë që ka një vend pune apo një vend për kualifikim profesional edhe nga këto vendet mundet të punojë tek ne”, tha kancelarja.

Merkel u bën presion shteteve të tjera të BE-së

CDU/CSU dhe SPD-ja në të ardhmen do të krijojnë edhe 3.000 vende shtesë pune për policinë. Një ligj përshpejtimi synohet që të ndihmojë në avancimin e ndërtimit të strehimoreve për refugjatët, madje edhe duke hequr dorë prej standardeve që vlejnë deri më sot. Për shkak të rritjes së nevojës për mjedise banimi koalicioni do të përforocojë mbështetjen për ndërtimin e banesave sociale. Angela Merkel e quan këtë “një koncept të përgjithshëm për sfidat, që kemi përpara” dhe deklaron, se ndryshimet e ligjit duhet të kalojnë qysh në tetor në Bundestag (Parlamenti) dhe në Bundesrat (Këshilli Federal).

Në Këshillin Federal megjithatë nevojitet edhe miratimi i ekologjistëve, të cilët ndër të tjera janë kundër zgjerimit të listës së vendeve të sigurta të origjinës. Kryetarja e partisë Simone Peter do që tani t’i “shohë e t’i shqyrtojë në qetësi” masat e marra nga qeveria, por ajo nuk e përjashton mundësinë e miratimit të tyre. “Nëse bëhet fjalë për një politikë simbolike, atëherë, kjo nuk është e mundur me ne. Nëse vërtetë ajo ndihmon për t’i strehuar dhe për t’i përkujdesur mirë refugjatët, atëherë ne jemi dakord”.

“Ne e dimë, që ishim të shpejtë, kur qe fjala për të shpëtuar bankat”, formuloi kancelarja. “Unë mendoj, se ne po aq shpejt duhet t’i ndërmarrim masat e nevojshme, kur është fjala për ta përballuar këtë sfidë.” Por Merkel kërkon me insistim edhe solidaritet brenda BE-së. Duhet të ketë një ndarje të drejtë brenda BE-së. “Koha nuk pret, duhet vepruar shpejt. Gjermania është vendi më i gatshëm për të pranuar, por refugjatët mund të pranohen në të gjitha shtetet e BE-së, ku ato mund të gjejnë mbrojtje prej përndjekjes dhe luftës civile.”

“Është e qartë, që ne ia dalim të pranojmë sivjet 800.000 refugjatë, madje edhe t”i strehojmë e t’i integrojmë ata”, shtoi zëvendëskancelari Sigmar Gabriel. Gjermania është një vend i fuqishëm ekonomikisht. “Por po aq e qartë është edhe se kjo nuk mund të përsëritet vazhdimisht çdo vit.” BE-ja, sipas tij, ka nevojë për një politikë të përbashkët europiane për refugjatët dhe duhet madje edhe të bëjë diçka në mënyrë që vala e refugjatëve nga zonat e krizës të mos rritet edhe më tej në përmasa të tilla dramatike, siç ka ndodhur në ditët e javët e fundit.

Të parandalohen zhgënjimet

Sfidat në krizën e refugjatëve Gabriel i sheh me “besim dhe realizëm”. Ai ka besim, sepse aktualisht shumë qytetarë çdo ditë tregojnë, “se sa me zemermadhësi dhe solidaritet ata përpiqen t’u ndihmojnë njerëzve në nevojë.” Shërbimi publik po dëshmon një gatishmëri pune dhe angazhimi, që hedh poshtë çdo paragjykim ndaj këtij profesioni. “Qytetarët me mikpritjen e tyre kanë skicuar një imazh të Gjermanisë, që mund të na bëjë ne krenarë për vendin tonë”, tha kancerlarja Merkel dhe zëvendëskancelari Gabriel e mbështet atë shprehimisht.

Por pavarësisht kësaj krenarie të dy politikanët tërheqin vëmendjen për të mos i mbyllur sytë prej asaj çfarë e pret Gjermaninë në muajt e ardhshëm. Do të ketë konflikte, shoqëria do të mbingarkohet nga numri i lartë i refugjatëve dhe nga detyrat e shumta. “Sa më hapur të flitet për faktin, se ka shumë njerëz, të cilët kanë shqetësime, që në vend ka frikë dhe se mund të ketë edhe konflikte, aq më shumë kjo na ndihmon ne që të veprojmë qysh në fillim me realizëm dhe t’i shmangim zhgënjimet”, tha Sigmar Gabriel.

Rrahë vëllain dhe nënën shkaku i pronës

0

Policia e Rajonit të Prishtinës ka njoftuar se pas një mosmarrëveshje rreth një prone, dje në Prishtinë një i dyshuar, së bashku me të dyshuarin tjetër, nipin e tij, kanë shkuar në shtëpinë e vëllait të tij dhe e kanë sulmuar fizikisht.

Gjatë rrahjes ka ndërhyrë edhe nëna e tij, me ç’rast ka pësuar lëndime të rënda trupore.

Lidhur me rastin është arrestuar njëri nga të dyshuarit dhe i njëjti me urdhër të prokurorit dërgohet në mbajtje, thuhet në raportin ditor të PK-së.

Orban: Nuk do të qëllojmë refugjatët, por rrethojën nuk e kalojnë

0

Hungaria nuk planifikon të hap zjarr kundër refugjatëve, të cilët tentojnë të kalojnë rrethojën e re në kufijtë jugor të këtij vendi dhe Budapesti është i hapur për të biseduar për kuotat e reja të Evropës për pranimin e refugjatëve, po sa të mbyllet hermetikisht kufiri hungarez, deklaroi Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban.
Në një intervistë dhënë sot medieve austriake, Orban tha se shumë refugjatë nga vatrat e krizës në Lindjen e Afërt, Afrikë dhe Azi, po arratisën nga varfëria dhe se nuk bëhet fjalë për refugjatë të cilët kanë nevojë për azil.
I pyetur se a do të marrin ushtarët hungarezë në kufi urdhër që të hapin zjarr, Orban tha se për këtë nuk ka nevojë, ngase sipas tij është duke u vendosur rrethoja, të cilën ata nuk do të jenë në gjendje ta kalojnë.
Evropa aktualisht është e përçarë në lidhje me idenë e Gjermanisë dhe të Austrisë për përcaktimin e kuotave fikse për shtetet që do të pranojnë refugjatët, në krizën më të madhe të këtij lloji në kontinent, që nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë.
Përndryshe, që nga e shtuna e deri sot në mëngjes në Gjermani kanë hyrë mbi 15 mijë refugjatë, nëpërmjet Austrisë nga Hungaria, kanë njoftuar mediet gjermane, duke nënvizuar se numri më i madh i tyre ka zbarkuar në qytetin e Munihut, ku janë pritur me duartrokitje dhe lule.
Megjithatë, autoritetet gjermane kanë njoftuar sot sërish për një zjarr në një qendër për strehimin e azilkërkuesve, me ç’rast janë lënduar pesë persona.
Zjarri shpërtheu në një strehimore, në të cilën ishin vendosur mbi 80 persona, në qytetin Rotenburg. Ende nuk dihen shkaqet e shpërthimit të këtij zjarri dhe policia është duke zhvilluar hetime./21Media

Nuk zbret çmimi i bukës(VIDEO)

0

U ul TVSH-ja për artikujt themelorë, por raportet nga terreni flasin se nuk zbriti çmimi i bukës.
Në furrat e Prishtinës një bukë kushton nga 30 deri në 35 centë.
Këtë e pohojnë qytetarët, por nuk e mohojnë as furrtarët./21 Media

Si shpërndahet interneti në Botë?(Video)

0

A jeni interesuar ndonjëherë si shperndahet internet ne gjithe globin? Përderisa shumica prej nesh janë ende janë te konektuar në internet përmes kabllos, kjo mundësohet nga kabllot që janë në thellësitë e detit, pasqyron video e realizuar nga Business Insider.

Këto kabllo të rrjetit të shtrira në thellësite e detit të shtrira në 885 000 kilometra, mjaftueshëm të rrotullohen përreth globit për 22 herë./21Media

Shiko videon

Beckham në rolin e James Bond!

0

Fansat po këmbëngulin që të shohin David Beckham si James Bond, ata duan me patjetër që futbollisti të jetë në rolin e agjentit 007.

Sipas tyre legjenda e futbollit do të ishte i përkryer për rolin e super – spiunit duke qenë se i është rikthyer aktrimit. Aktualisht David sëbashku me Harvey Keitel është angazhuar në xhirimet e një filmi të shkurtër të titulluar “Outlaws”.

Gjithashtu Beckham ka një tjetër rol në filmin Guy Ritchie’s i cili do të prezantohet vitin e ardhshëm.

Fansat e tij me anë të rrjetit social Twitter i kanë bërë thirrje futbollistit që të marrë përsipër rolin e James Bond, kur Daniel Craig të japë dorëheqjen. Njëri prej adhuruesve të tij shprehet: “Jepini David Beckham disa orë leksioni aktrimi dhe do ta shihni boom-in e tij”.

47 – vjeçari, Daniel Craig ka lënë të kuptohet se ky është roli i tij i fundit në Spectre, si Bond.

“Pastrimi”: Akuzat e Ahmetit të pabaza

0

Kompania regjionale e mbeturinave “Pastrimi” përmes një njoftimi thekson se Komuna e Prishtinës vazhdimisht ka drejtuar një mori akuzash të pabaza në drejtim të kësaj kompanie. Sipas njoftimit, ndërmarrja “Pastrimi” ka kryer dhe vazhdon t’i kryej detyrat dhe obligimet me përgjegjësi të lartë.

Akuzat e kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, theksohet në njoftim se janë inate politike të tij. Sipas zyrtarëve të kësaj kompanie, Ahmeti disa herë pati paralajmëruar për vizitë në kompaninë “Pastrimi” por, asnjëherë nuk gjeti kohë deri atëherë kur vizitën e tij e shfrytëzoi për t’iu bashkangjitur protestës para ndërmarrjes “Pastrimi”.

“Është e turpshme që kryetari i kryeqytetit të protestojë për arsye banale dhe të mundohet me çdo kusht të bllokojë punën dhe t’i lë punëtorët pa punë që listës së rasteve sociale t’ia shtojë edhe punëtorët e ‘Pastrimit’.

Ish aksionarët e KRM ‘Pastrimi’ së bashku me aktivistë, asamblistë të Kuvendit Komunal nga radhët e Vetëvendosje!-s, anëtarin e Bordit të zgjedhur paligjshëm nga komuna e Prishtinës, Bardhyl Noci, protestuan për një javë rresht nga data 16.02.2015 – 20.02.2015 para ndërmarrjes duke penguar stafin e Kompanisë në kryerjen e punëve, duke i sharë e fyer punëtorët, pengimin e personit zyrtar në kryerjen e detyrave. Dëmet që i shkaktuan Kompanisë kapin vlerën rreth 200 mijë euro”, thuhet në njoftim.

Bardhyl Noci asnjëherë nuk ishte prezent në takimet e rregullta të Bordit, ai punoi në dëm të ndërmarrjes, duke shkaktuar presion të vazhdueshëm tek anëtarët e tjerë të Bordit për tentim të shkarkimit në mënyrë të paligjshme të kryeshefit ekzekutiv, Feim Salihu.

Sipas njoftimit, Agjencia Antikorrupsion konstatoi shkelje të cilën e kanë bërë ish aksionarët gjatë përzgjedhjes së anëtarit të Bordit, ku edhe kanë shkelur rregullat e konkursit dhe ligjin, i cili përcakton që anëtari i bordit të ndërmarrjeve publike duhet të jetë shtetas i Kosovës.

Selimi me lajme t'mira nga Londra dhe Parisi

0

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Petrit Selimi, ka qëndruar në Londër dhe Paris ku ka takuar zyrtarë të lartë të Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës, me të cilët ka biseduar për anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), integrimet evropiane, luftën kundër ekstremizmit, transformimin e Forcës së Sigurimit të Kosovës (FSK) në Forcat e Armatosura të Kosovës (FAK), si dhe agjendën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Sipas komunikatës së MPJ-së, Selimi ka takuar edhe delegacionet e 18 shteteve anëtare të UNESCO-s në kuadër të lobimit për anëtarësim dhe në prag të përmbylljes së procedurave formale të votimit në tetor dhe nëntor.

Në Londër, zëvendësministri i Jashtëm është takuar me ambasadoren FionaMcIlwham, Drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor, si dhe shefin e deskut për Kosovën, ambasadorin Graham Styles. Gjatë këtyre takimeve, Selimi njoftoi palën britanike për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizata dhe mekanizma multilateralë.

Zyrtarët britanikë i kanë dhënë mbështetje të plotë Kosovës për anëtarësim në UNESCO, në proceset e rëndësishme të nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) dhe për transformimin e FSK-së në FAK.

Selimi ka takuar në Londër edhe Richard Lindsey, Drejtorin e Departamentit për Siguri në ministrinë e Jashtme britanike, Nishi Dholakia, Drejtor i njësitit për luftë kundër ekstremizmit pranë MPJ-së britanike, Katrina Burgess, shefe e komunikimit kundër ISIS në MPJ-në britanike. Në këto takime është diskutuar për kontributin e Kosovës në luftën kundër ekstremizmit, për projektet specifike të ministrive simotra në komunikim kundër propagandës ekstremiste dhe tema të tjera me interes në luftën globale kundër ISIS.

Zëvendësministri Selimi ka vazhduar takimet në Paris ku është takuar me Florence Mangin, Drejtoreshë për Evropën kontinentale në ministrinë e Jashtme franceze. Ambasadorja Mangin, si e sapoemëruar në krye të departamentit për Evropë në Quai d’Orsay, ka qenë e interesuar për zhvillimet e gjithëmbarshme në Kosovë dhe Ballkan me ç’rast ka uruar Kosovën për sukseset e arritura gjatë muajve të verës e që përfshinin përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare dhe marrëve shjet në kuadër të dialogut me Serbinë në Bruksel. Ambasadorja Mangin nënvizoi se Franca do të mbështesë fuqishëm Kosovën këtë vit në përpjekjet e saj për t’iu bashkuar UNESCO-s dhe organizatave të tjera të rëndësishme ndërkombëtare.

Në Paris, Selimi ka zhvilluar takime edhe me 18 delegacione të shteteve anëtare të UNESCO-s, duke përfshirë atë të SHBA-ve, në kërkim të përkrahjes dhe votave për takimin e radhës të Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s që do të mblidhet në tetor, thuhet në komunikatën e MPJ-së kosovare.

Deda: Janë qëndrimet e mia për protestën, dhunën dhe VV

0

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje!, Ilir Deda ka përsëritur edhe njëherë qëndrimin e tij personal lidhur me dhunën në protesta.

Ai duke komentuar deklaratën e nënkryetarit të kësaj partie, Driton Çaushit, ka thënë se ka treguar vetëm qëndrim personal lidhur me dhunën në protesta, ndërsa deklarimet i ka cilësuar si vlerë të demokracisë brenda Vetëvendosje!-s.

“Të gjitha deklarimet e kolegëve të mi në VV në lidhje me dhunën në protestë janë deklarime individuale dhe nuk kanë paraqitur qëndrimin e Grupit Parlamentar të VV-së. Pasi që nuk ka qëndrim partiak për dhunë në protesta, natyrisht që ne si kolegët e mi edhe unë me të drejtën e njëjtë e shpreh qëndrimin individual kundër dhunë. Kjo mund të shihet edhe si vlerë e pamohueshme e demokracisë së brendshme në VV”, ka shkruar Deda në Facebook.

Deda në mbledhjen e Komisionit për Integrime Evropiane ka kritikuar partitë politike dhe udhëheqësit e shtetit që nuk ulën dhe të komunikojnë së bashku për gjëra që janë në rëndësi të vendit.

“Ne në vend se të kemi një komunikim të shohim se si të dalim nga një gjendje që e ndjejmë të gjithë kolektivisht, e kundërta po ndodh dhe nuk është në rregull që atë që unë e shoh si triumf të Serbisë, partitë politike shqiptare të bien në nivel çfarë kanë ra, që Qeveria të përdor policinë, qysh nuk lejohet të përdoret në një shtet demokrat, dhe që subjekti që i takoj unë të tentojë me dhunë t’i heqë grilat nga Qeveria, kjo nuk është situatë normale”, ka thënë Deda.

Por, me këtë deklaratë të Dedës duket të mos jetë pajtuar nënkryetari i Vetëvendosje!-s, Driton Çaushi, i cili ka thënë se Ilir Deda se përfaqëson as Vetëvendosje!-n e as Grupin parlamentar.