Kompania regjionale e mbeturinave “Pastrimi” përmes një njoftimi thekson se Komuna e Prishtinës vazhdimisht ka drejtuar një mori akuzash të pabaza në drejtim të kësaj kompanie. Sipas njoftimit, ndërmarrja “Pastrimi” ka kryer dhe vazhdon t’i kryej detyrat dhe obligimet me përgjegjësi të lartë.
Akuzat e kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, theksohet në njoftim se janë inate politike të tij. Sipas zyrtarëve të kësaj kompanie, Ahmeti disa herë pati paralajmëruar për vizitë në kompaninë “Pastrimi” por, asnjëherë nuk gjeti kohë deri atëherë kur vizitën e tij e shfrytëzoi për t’iu bashkangjitur protestës para ndërmarrjes “Pastrimi”.
“Është e turpshme që kryetari i kryeqytetit të protestojë për arsye banale dhe të mundohet me çdo kusht të bllokojë punën dhe t’i lë punëtorët pa punë që listës së rasteve sociale t’ia shtojë edhe punëtorët e ‘Pastrimit’.
Ish aksionarët e KRM ‘Pastrimi’ së bashku me aktivistë, asamblistë të Kuvendit Komunal nga radhët e Vetëvendosje!-s, anëtarin e Bordit të zgjedhur paligjshëm nga komuna e Prishtinës, Bardhyl Noci, protestuan për një javë rresht nga data 16.02.2015 – 20.02.2015 para ndërmarrjes duke penguar stafin e Kompanisë në kryerjen e punëve, duke i sharë e fyer punëtorët, pengimin e personit zyrtar në kryerjen e detyrave. Dëmet që i shkaktuan Kompanisë kapin vlerën rreth 200 mijë euro”, thuhet në njoftim.
Bardhyl Noci asnjëherë nuk ishte prezent në takimet e rregullta të Bordit, ai punoi në dëm të ndërmarrjes, duke shkaktuar presion të vazhdueshëm tek anëtarët e tjerë të Bordit për tentim të shkarkimit në mënyrë të paligjshme të kryeshefit ekzekutiv, Feim Salihu.
Sipas njoftimit, Agjencia Antikorrupsion konstatoi shkelje të cilën e kanë bërë ish aksionarët gjatë përzgjedhjes së anëtarit të Bordit, ku edhe kanë shkelur rregullat e konkursit dhe ligjin, i cili përcakton që anëtari i bordit të ndërmarrjeve publike duhet të jetë shtetas i Kosovës.
