Aleanca për Shqiptarët kërkon që në shkollën fillore “Njegosh” në Idrizovë të mundësohet mësimi në gjuhën shqipe edhe nga klasa e gjashtë deri në të nëntën. Sipas tyre, aktualisht nxënësit shqiptarë mund të mësojnë në shqip vetëm deri në klasën e pestë dhe më pas detyrohen të vazhdojnë shkollimin në komuna të tjera. Ash kërkon nga Ministria e Arsimit dhe Qeveria të ndërhyjnë menjëherë, duke kritikuar edhe VLEN-in për moszgjidhjen e kësaj çështjeje.
“Në shkollën fillore “Njegosh”, nxënësit shqiptarë mund ta ndjekin mësimin në gjuhën shqipe vetëm deri në klasën e pestë. Nga klasa e gjashtë deri në të nëntën, ata detyrohen të vazhdojnë shkollimin në komuna të tjera vetëm që të mund të mësojnë në gjuhën e tyre. Është e papranueshme që në vitin 2026 fëmijët shqiptarë të përballen ende me pengesa të tilla”, tha Valon Jahii – ASh.
E pyetur për këtë, Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, tha se shkolla në fjalë është përfshirë në listën e shkollave ku do të ndërtohen klasa shtesë. Tregoi se punimet pritet të nisin në nëntor ose në pranverë, duke mohuar se bëhet fjalë për ndonjë vendim politik.
“Nuk jam e sigurt nëse kjo do të bëhet nga nëntori apo në pranverë, por edhe aty do të ndërtohen klasa. Pra, nuk bëhet fjalë për ndonjë zgjidhje politike, siç po lihet të kuptohet, dhe pikërisht për këtë po flas. Është dëm për të gjithë kur nuk u përgjigjemi në mënyrë adekuate problemeve të caktuara që ekzistojnë në vend. Por më së shumti është dëm për ata tek të cilët kjo shkakton një lloj shqetësimi. Edhe në atë shkollë do të ndërtojmë klasa dhe shpresoj se do ta zgjidhim edhe atë problem”, u shpreh Vesna Janevska, ministre e Arsimit dhe Shkencës.
Shkolla “Njegosh” prej vitesh është përballur me kërkesa për zgjidhjen e çështjes së mësimit në gjuhën shqipe. Në vitin 2019 çështja u dërgua deri në Qeveri, ndërsa në vitin 2023 u miratua hapja e një paraleleje në gjuhën shqipe për klasën e gjashtë.
