38 raste me ethet e Nilit Perëndimor! Autoritetet intensifikojnë dezinsektimin dhe masat parandaluese

TË FUNDIT

Ka arritur në 38 numri i të prekurve nga Ethet e Nilit Perëndimor. Autoritet thonë se prej tyre 37 janë nga rajoni i Shkupit dhe vetëm një i infektuar nga Velesi. Të gjithë mbahen në Klinikën Infektive në Shkup, dy prej të cilëve trajtohen si raste të dyshimta, ndërsa 36 pacientë tjerë me formë neuroinvazive. Ministri i Shëndetësisë Sasho Klekovski tha se prej tyre 28 janë meshkuj dhe 10 femra, por java e fundit ka qenë fatale për 3 pacientë, duke e çuar në 4 numrin e të vdekurve nga Ethet e Nilit Perëndimor.

 “Vetëm në javën e fundit ndërmjet dy mesatareve që nxjerr Instituti i Shëndetit Publik në raportet për Ethet e Nilit Perëndimorë kemi 12 raste të reja dhe në këtë periudhë ka pasur tre raste të vdekjeve të reja… Nga format neuro-invazive që janë 1% e gjithsej të prekurve, nëse po flasim për 38 raste mund të shumëzohen me 100 për të konstatuar numrin real të të infektuarve. Megjithatë 80% e të prekurve janë pas asnjë simptomë të manifestuar apo pa pasoja shëndetësore”, tha Sasho Klekovski, ministër i Shëndetësisë.

Pas shpalljes së epidemisë së Etheve të Nilit Perëndimor në komunat Kisella Voda, Gazi Baba, Aerodrom dhe Butel, po merren masa për kontrollin e mushkonjave. Ministri Klekovski tha se vazhdojnë aktivitete e intensifikuara për të mbrojtur popullatën në komunat e prekura nga prania e shtuar e infeksioneve. Ai tha se janë bërë dezinsektime ajrore dhe tokësore për komunat më të prekura si Gazi Baba, Kisella Voda në vendbanimin Dracevë, Haraçinë, Zelenikovë, Ilinden, Petrovec, Sopisht, Çuçer Sandevë dhe Veles.

 “Komuna Ilindein është për t’u lavdëruar për ndërmarrje të masave, ka pasur tre spërkatje për larva dhe tre spërkatje për mushkonjat e mëdha, por gjithsesi ka 3 raste të infektimeve. Kurse Studeniçani që s’ka marrë asnjë masë shtesë përveç spërkatjes së Qytetit të Shkupit ka më pak raste se Ilindeni”, u shpreh Sasho Klekovski, ministër i Shëndetësisë.

Me qëllim që qytetarët nga zonat e prekura të marrin këshilla në kohë për mbrojtjen personale nga pickimet e mushkonjave, është duke u zhvilluar një fushatë masive SMS për të informuar popullsinë. Fushata përfshin dërgimin e një totali prej rreth 38,500 mesazhesh te qytetarët në komunat e prekura. Autoritet bëjnë thirrje që të largohen ujërat e ndenjur nga oborri dhe të pastrohen rregullisht ullukët, të vendosen rrjeta mbrojtëse në dritare dhe dyer. Të shmanget qëndrimi jashtë në agim dhe muzg, kur mushkonjat janë më aktive. Të vishen rroba dhe pantallona me mëngë të gjata dhe përdorni repelentë.