Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje!, Ilir Deda ka përsëritur edhe njëherë qëndrimin e tij personal lidhur me dhunën në protesta.
Ai duke komentuar deklaratën e nënkryetarit të kësaj partie, Driton Çaushit, ka thënë se ka treguar vetëm qëndrim personal lidhur me dhunën në protesta, ndërsa deklarimet i ka cilësuar si vlerë të demokracisë brenda Vetëvendosje!-s.
“Të gjitha deklarimet e kolegëve të mi në VV në lidhje me dhunën në protestë janë deklarime individuale dhe nuk kanë paraqitur qëndrimin e Grupit Parlamentar të VV-së. Pasi që nuk ka qëndrim partiak për dhunë në protesta, natyrisht që ne si kolegët e mi edhe unë me të drejtën e njëjtë e shpreh qëndrimin individual kundër dhunë. Kjo mund të shihet edhe si vlerë e pamohueshme e demokracisë së brendshme në VV”, ka shkruar Deda në Facebook.
Deda në mbledhjen e Komisionit për Integrime Evropiane ka kritikuar partitë politike dhe udhëheqësit e shtetit që nuk ulën dhe të komunikojnë së bashku për gjëra që janë në rëndësi të vendit.
“Ne në vend se të kemi një komunikim të shohim se si të dalim nga një gjendje që e ndjejmë të gjithë kolektivisht, e kundërta po ndodh dhe nuk është në rregull që atë që unë e shoh si triumf të Serbisë, partitë politike shqiptare të bien në nivel çfarë kanë ra, që Qeveria të përdor policinë, qysh nuk lejohet të përdoret në një shtet demokrat, dhe që subjekti që i takoj unë të tentojë me dhunë t’i heqë grilat nga Qeveria, kjo nuk është situatë normale”, ka thënë Deda.
Por, me këtë deklaratë të Dedës duket të mos jetë pajtuar nënkryetari i Vetëvendosje!-s, Driton Çaushi, i cili ka thënë se Ilir Deda se përfaqëson as Vetëvendosje!-n e as Grupin parlamentar.
