Hungaria nuk planifikon të hap zjarr kundër refugjatëve, të cilët tentojnë të kalojnë rrethojën e re në kufijtë jugor të këtij vendi dhe Budapesti është i hapur për të biseduar për kuotat e reja të Evropës për pranimin e refugjatëve, po sa të mbyllet hermetikisht kufiri hungarez, deklaroi Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban.
Në një intervistë dhënë sot medieve austriake, Orban tha se shumë refugjatë nga vatrat e krizës në Lindjen e Afërt, Afrikë dhe Azi, po arratisën nga varfëria dhe se nuk bëhet fjalë për refugjatë të cilët kanë nevojë për azil.
I pyetur se a do të marrin ushtarët hungarezë në kufi urdhër që të hapin zjarr, Orban tha se për këtë nuk ka nevojë, ngase sipas tij është duke u vendosur rrethoja, të cilën ata nuk do të jenë në gjendje ta kalojnë.
Evropa aktualisht është e përçarë në lidhje me idenë e Gjermanisë dhe të Austrisë për përcaktimin e kuotave fikse për shtetet që do të pranojnë refugjatët, në krizën më të madhe të këtij lloji në kontinent, që nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë.
Përndryshe, që nga e shtuna e deri sot në mëngjes në Gjermani kanë hyrë mbi 15 mijë refugjatë, nëpërmjet Austrisë nga Hungaria, kanë njoftuar mediet gjermane, duke nënvizuar se numri më i madh i tyre ka zbarkuar në qytetin e Munihut, ku janë pritur me duartrokitje dhe lule.
Megjithatë, autoritetet gjermane kanë njoftuar sot sërish për një zjarr në një qendër për strehimin e azilkërkuesve, me ç’rast janë lënduar pesë persona.
Zjarri shpërtheu në një strehimore, në të cilën ishin vendosur mbi 80 persona, në qytetin Rotenburg. Ende nuk dihen shkaqet e shpërthimit të këtij zjarri dhe policia është duke zhvilluar hetime./21Media
