Sulmohen policët në Prizren e Kamenicë

0

Një person është arrestuar pasi që i njëjti në një pikë kontrolli në Kamenicë, ka ofenduar dhe ka tentuar t’i sulmoj zyrtarët policor të cilët ishin në kryerjen e detyrës zyrtare.

I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje .

Po ashtu, edhe në Prizren, një person si shkasë i një kundërvajtje, ka penguar zyrtarët policore në kryerje të detyrës zyrtare të cilët ishin në një pikë kontrolli të veturave.

I dyshuaripas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt./KP/

Ministri Hoti fton opozitën të jetë konstruktive me kritika

0

“E ftoj opozitën të jetë konstruktive me kritika dhe sugjerime për politikat qeverisëse në interes të qytetarëve”, thotë ministry Abdullah Hoti. Ai thotë se “ekonomia po vihet në binarë të zhvillimit”.

Ministri i Financave, Abdullah Hoti, ka thënë se qeveria Mustafa është duke punuar me dinamikën e duhur për t’i zbatuar premtimet e dhëna për këta katër vjet të qeverisjes.

Ai thotë se ky koalicion e ka filluar qeverisjes me mandate të qartë dhe program të detajuar.

Hoti ka treguar se janë duke punuar në strategjinë kombëtare të zhvillimit, e cila, sipas tij, do të jetë shumë më konkrete sa iu përket masave dhe aktiviteteve që do të ndërmerren për t’i realizuar objektivat qeverisëse.

Sipas tij, politikat fiskale që ka ndërmarrë Qeveria gjatë këtij viti, do të japin edhe efekte në investime dhe punësim

Në një intervistë për Epokën e Re, Hoti ka theksuar se nënshkrimi i marrëveshjes për kredi me insiticuonet financiare do të hapë mundësi për një zhvillim më të shpejtë ekonomik të Kosovës, rritje të shpejtë të punësimit dhe integrim në tregje rajonale dhe europiane.

Moti: Po kthehet vera

0

Gjatë javës së ardhshme në vend parashikohet të mbajë mot i ngrohtë dhe me temperatura të larta.

Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 9-12 gradë Celsius, kurse maksimalet e ditës ndërmjet 27-31 gradë celsius gjatë gjithë javës, ka njoftuar Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.

Të enjten dhe të premten do të regjistrohen temperaturat më të larta të javës, me temperatura maksimale që parashikohet të arrijë mbi 31 gradë celsius.

Gjatë vijës bregdetare pritet të mbajë mot kryesisht me diell dhe me temperatura maksimale nga 29-32 gradë Celsius.

Austri: Shpëtohen 42 refugjatë në një kamion frigorifer

0

Policia austriake ka njoftuar se i ka shpëtuar 42 refugjatë, përfshirë pesë gra dhe tetë fëmijë nga një kamion frigorifer në autostradë, afër kufirit me Gjermaninë.
Policia e krahinës Austria e Epërme ka theksuar se migrantët janë gjetur sot në mëngjes në një pushimore në autostradën në Ajsterhaim, gjatë kërkimit për vetura të vjedhura, transmeton Indeksonline.
Refugjatët ishin në kamion me regjistrim finlandez, i cili shfrytëzohej për bartjen e luleve.
Policia ka njoftuar se të gjithë janë shëndosh e mirë dhe se janë arrestuar dy irakianë të dyshuar.
Muajin e kaluar, janë gjetur 71 persona të vdekur në një kamion që udhëtonte në lindjen të Austria. Austria dyshon se viktimat kishin mbetur pa ajër.

Rama: Mirënjohës babait që s’hoqi dorë prej një rebeli si unë!

0

Në një bisedë me gazetën zvicerane “Ostschweiz am Sonntag” Edi Rama është pyetur edhe per babane e tij, skulptorin e njohur Kristaq Rama.

Babai juaj, skulptori Kristaq Rama, nën regjimin e Enver Hoxhës ka qenë një artist i njohur shteti. Si e ka karakterizuar kjo rrethanë fëmijërinë tuaj? – e pyet gazetari.

Dhe Rama pergjigjet:

“Jam rritur në një rreth, ku arti ishte vetëm shprehje e propagandës. Babai im ishte pjesë e krijimtarisë artistike zyrtare, të ashtuquajtur realsocialiste. Nuk kishte fare liri, ka qenë vështirë për të gjithë ne. Shumë nga bashkëkohësit e babait tim u futën në burg, sepse kundërshtuan sistemin, nuk durohej kurrfarë kritike – madje as kritikë e llojit artistik. I jam mirënjohës babait tim që më ka pranuar si rebel të ri, siç kam qenë gjatë kohës së studimeve, dhe nuk ka hequr dorë prej meje…”

Rama pyetet edhe për zhgenjimin që kanë shqiptarët në pritshmerite ndaj Rilindjes dhe thotë:

“Besoj se njerëzit në Shqipëri kanë të drejtë të jenë të padurueshëm pas aq shumë vitesh shtypjeje dhe mjerimi. Por unë nuk kam shkop magjik për t’i zgjidhur brenda dy viteve problemet që ekzistojnë në Shqipëri…”

Ai pranon që ka bërë gabime por nuk pendohet.

Pyetjes: A jeni penduar që keni ndërruar kampin? – Rama i përgjigjet:

“Nuk pendohem për asnjë vendim. Të bëj gabime është pjesë e jetës sime, kam bërë shumë gabime, por nuk pendohem. Dua të mësoj prej tyre, që të mos i përsëris, sepse kjo do të ishte monotone”.

Kosova, problem me të dhëna statistikore

0

Agjencia e Statistikave të Kosovës si autoriteti shtetëror, i cili merret me grumbullimin, përpunimin dhe publikimin e të dhënave zyrtare, po kritikohet nga shoqëria civile për mungesë të të dhënave të besueshme dhe të përditësuara.

Mungesa e të dhënave, të dhënat jo të besueshme dhe mospërditësimi i tyre, sipas shoqërisë civile, po krijojnë probleme të mëdha në ndërtimin e politikave publike.

Jeton Mehmeti, drejtor i hulumtimeve në Institutin për Studime të Avancuara “GAP”, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se për të ndryshuar situatën në një fushë të caktuar të dhënat e sakta janë të domosdoshme.

“Meqë organizata jonë ka për qëllim ofrimin e ideve për politikë-bërësit për të ndërtuar politika të mira për vendin tonë, hulumtimet tona brumë kanë statistikat e sakta”.

“Kemi hasur në vonesa të shumta që kanë të bëjnë me përditësimin e statistikave dhe kjo është një pengesë serioze edhe për institutet hulumtuese, por është një pengesë e madhe edhe për Qeverinë e Kosovës, e cila duhet të ndërtojë politika publike në bazë të gjendjes, e gjendjen më së miri e tregojnë statistikat”, ka theksuar Mehmeti.

Mehmeti ka kërkuar një qasje më serioze të institucioneve përgjegjëse, për të prodhuar statistika që janë edhe të përditësuara, por që janë edhe të besueshme.

Përfaqësues të Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se ky mekanizëm për grumbullimin, përpunimin dhe shpërndarjen e të dhënave statistikore zbaton standardet e Agjencisë për Statistika të Bashkimit Evropian, Eurostat.

Tashmë këto standarde dhe kjo metodologji është bërë e detyrueshme të zbatohet edhe përmes Ligjit për statistika zyrtare në Republikën e Kosovës.

Drejtori i Departamentit të Politikave Sociale në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, Bashkim Bellaqa, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se i pranojnë vërejtjet dhe propozimet që bëhen rreth të dhënave statistikore.

Ai ka theksuar se janë në fazën e ngritjes së kapaciteteve profesionale.

Megjithatë, ai ka shtuar se të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës plotësojnë kriteret evropiane.

“Të dhënat që ne i publikojmë, janë profesionale. Agjencia e Statistikave të Kosovës nuk është institucion politik. Qëllimi ynë është të prodhojmë të dhëna të qëndrueshme, reale dhe gjithëpërfshirëse. Të gjitha të dhënat publikohen në bazë të metodologjisë dhe definicionit të Eurostat-it”, ka theksuar Bellaqa.

Në vitin 2010 Agjencia e Statistikave të Kosovës nuk kishte pasur fare të dhëna për statistikat e tregut të punës, kjo siç ishte thënë, në mungesë të buxhetit.

Të dhënat për varfërinë janë të vitit 2011, derisa është thënë që pritet të publikohen se shpejti të dhënat për vitin 2013 dhe 2014.

Në ueb-faqen e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, statistikat për shëndetësi janë të vitit 2013, po ashtu statistikat e sportit dhe kulturës janë të vitit 2013. (REL)

Nitaj: Kjo Qeveri po do me ra vetë! Opozita është unike!

0

Anëtari i Kryesisë së AAK-së dhe njëherësh Drejtori i Marrëdhënieve me Publikun, Muharrem Nitaj thekson se opozita është unike sa i përket organizimit të protestave. Ai në një intervistë të dhënë për Gazetën Blic thekson se protesta ka për qëllim ndalimin e procesit të demarkacionit me Malin e Zi, pastaj mos dhënien e kompetencave ekzekutive për Asociacionin e Komunave Serbe.

“Ne nuk jemi as kundër Asociacionit, por nuk pajtohemi me kompetencat ekzekutive të tij. Nuk e dum një nivel të tretë të pushtetit”, ka thënë Nitaj në një intervistë për gazetën BLIC.

Ai ka thënë se AAK nuk është për rrëzimin e Qeverisë, mirëpo sipas tij, kjo qeveri po do me ra vetë.

“Këto janë kundërshtimet tona, e jo rrëzimi i qeverisë, por nëse qeveria nuk i përfillë kërkesat, që unë po besoj se janë qytetare e jo vetëm të opozitës, atëherë ia paftë hajrin. Ajo po do me ra vetë!”, ka thënë Nitaj.

Ai i është kundërpërgjigjur edhe ish- kolegut të tij, Halil Matoshit, i cili i kishte thënë Ramush Haradinajt, duke aluduar në kundërshtimin e demarkacionit me Malin e Zi, se nuk bënë që burri të koritet për një livadh.

“E lexova mikun tim Matoshi të kishte shkruar, “A koritet burri për një livadh”! Vërtetë burri nuk koritet për një livadh, por në rastin e demarkacionit me Malin e Zi, fjala është për nja 20 mijë livadhe, më të mëdha se sa livadhet e Mikut tim”, ka thënë Nitaj.
Ai ka folur edhe për vendimin e djeshëm të përfaqësuesve politik të shqiptarëve të Luginës të cilët e shpallën Asociacionin e Komunave Shqiptare, që sipas tij, duke thënë se “shqiptarët atje është mirë që të mos bëjnë numra e të marrin vendime koti, por të bëhen faktor”.

Nuk e kemi caktuar datën e protestës

Z. Nitaj opozita ka paralajmëruar protesta të fuqishme ditëve në vijim. Kur pritet të organizohen këto protesta?

Nitaj: Deri në këtë moment nuk di të jetë caktuar data. Por e di që ka një dakordim parimor që të jemi pjesë e një fronti të përbashkët opozitar e qytetar, për të kundërshtuar marrëveshjet e fundit të cilat i ka nënshkruar Qeveria, e të cilat nuk kanë si të jenë në përputhje me interesat as të qytetarëve e as të shtetit. AAK-ja ka caktuar një grup që do t’i harmonizojë detajet e krijimit të frontit të përbashkët me partitë tjera opozitare, por edhe me grupe të tjera të interesuara.

Përkundër asaj që të tri partitë opozitare kanë paralajmëruar pjesëmarrjen në protesta, duket se megjithatë ka përçarje të opozitës. VV nuk e ka përjashtuar edhe dhunën në protesta, derisa partia juaj ka deklaruar qartë se është kundër protestave të dhunshme. Ky mos i unitet i opozitës a mund të ndikoj edhe në efektin e protestës?

Nitaj: Nuk jam shumë i sigurt nëse VV është deklaruar për protesta të dhunshme. Por e di që deklarimi i AAK-së është i qartë se “me protestu do të protestojmë, por nuk do ta kallim Kosovën”. Sa për sqarim, kur është marrë ky qëndrim, nuk është menduar në VV-në e as në Nismën, por ka qenë një si lloj kujdesi, se nuk do të lejojmë që grupe të ndryshme që mund të jenë të interesuara që protestat e opozitës t’i shndërrojnë në akte dhune, të jenë pjesë e jona.

Ju e dini se ka plot palë të interesuara që protestat demokratike t’i shndërrojnë në dhunë të pakontrolluar, gjë e cila do të ishte e dëmshme.

Ne jemi të interesuar që të ketë një aktivizëm opozitar e qytetar, dhe protestat të jetë një manifestim përtej partive politike. Nuk po këqyrim me marrë poenë politikë, siç po pretendon dikush, por jemi të interesuar që kjo qeverisje e dëmshme për Kosovën, ta kuptojë se është boll.

Akoma nuk po shoh se ka përçarje të opozitës për këtë çështje. Nëse nuk do të mund të merremi vesh se si dhe sa e qysh do të protestojmë, ajo do të kuptohet lehtë.

Demarkacioni i kushtoi Kosovës sa 20 mijë livadhe si të Halil Matoshit

Cili është qëllimi përfundimtar i kësaj proteste, ndalimi i procesit të demarkacionit dhe Asociacionit të Komunave, apo rrëzimi i kësaj qeverie?

Nitaj: Së pari, duhet të ndalet procesi i Demarkacionit. Ka mijëra njerëz që janë të pakënaqur me këtë proces, dhe që kanë plot argumente se me demarkacionin, siç e ka bërë Komisioni i Murat Mehës, Kosova humbë mijëra hektarë. Ky nuk është vetëm pretendim i AAK-së, por edhe i qytetarëve, edhe i pronarëve, edhe i ekspertëve e kështu me radhë. Më në fund, e dini edhe ju këtë punë.

Ne nuk jemi kundër demarkacionit, përkundrazi insistojmë që këtë çështje ta kryejmë edhe me Malin e zi, por nuk mund të pajtohemi që kjo të bëhet në dëm të Kosovës. Kosova është tepër e vogël për të falë tokë. E dini rastin e Maqedonisë, sot i Malit të zi, e nesër i Serbisë. Unë nuk po arrij të kuptoj, a ka njerëz në këtë vend që shqetësohen nëse shteti i tyre, i humbë 10 mijë hektarë.

E lexova mikun tim Matoshi të kishte shkruar, “A koritet burri për një livadh”! Vërtetë burri nuk koritet për një livadh, por në rastin e demarkacionit me Malin e Zi, fjala është për nja 20 mijë livadhe, më të mëdha se sa livadhet e Mikut tim.

Fundja, përse kjo nguti në nënshkrimin e demarkacionit. Nuk është se Kosova apo Mali i Zi kanë mbetur pykë, në proceset e integrimit në BE. Nëse ka pasur shqetësime nga të gjitha grupet, pse Qeveria nuk është ndalur e të thotë: “Pritni se unë duhet t’i sqarojë disa gjëra”, po është mjaftuar me fjalën e Murat Mehes.

Ne nuk jemi as kundër Asociacionit, por nuk pajtohemi me kompetencat ekzekutive të tij. Nuk e dum një nivel të tretë të pushtetit.

Këto janë kundërshtimet tona, e jo rrëzimi i qeverisë, por nëse qeveria nuk i përfillë kërkesat, që unë po besoj se janë qytetare e jo vetëm të opozitës, atëherë ia paftë hajrin. Ajo po do me ra vetë!

Blic: AAK vazhdon që të këmbëngul kundër demarkacionit me Malin e Zi dhe vazhdoni të potenconi se Kosova nga ky proces ka humbur mijëra hektarë. Megjithatë, kryetari i Komisionit për demarkacionin me Malin e Zi, Murat Meha tha se Kosova nuk e humbi as edhe një milimetër nga ky proces. Në anën e kujt janë argumentet?

Nitaj: Vetëm në dy ditët e fundit, kam lexuar shkrime skandaloze për Murat Mehen. Unë nuk e besoj se media në Prishtine ka diçka personale kundër tij. Po sikur vetëm një për qind e asaj që është shkruar për zotin Meha, të jenë të sakta, unë s’jam aq budalla sa t’i besoj atij, përpara se t’iu besojë njerëzve e profesorëve eminentë, të cilët thonë se me këtë marrëveshje Kosova i humb mbi 8 mijë hektarë.

Komisioni qeveritar dhe Qeveria, do të duhej që përpara se ta vënë firmën në një marrëveshje, t’i dëgjonin qytetarët, pronarët e tokave atje dhe ekspertët, sepse kjo qeveri është e atyre qytetarëve, e jo Malit të zi.

Argument nuk janë vetëm fjalë e letra pa vlerë.

Z. Nitaj kemi parë një gjuhë të ashpër të liderit të partisë suaj, sidomos ne raport me z. Mehaj. Mendoni se kjo gjuhë sikur e zbehi këmbëngulësinë e AAK-së ndaj demarkacionit dhe e përqendroi vëmendjen e opinionit në gjuhën e përdorur nga Haradinaj?

Nitaj: Edhe pse disa njerëz ndonjëherë ta bëjnë me borxh, Zoti Haradinaj e ka përdorur një fjalë, jo të duhur, dhe për këtë ka kërkuar falje publike. Por nuk është tema këtu. Nuk është çështje fjalori, por përmbajtja. Opinioni duhet ta dijë nëse Kosova humbur mijëra hektarë me këtë marrëveshje dhe nëse është kështu, është obligim qytetar i secilit, që ta mbrojë pronën e vetë. U bënë temë edhe “gomarët” e Kryeministrit, por kjo është përpjekje për ta shpërqendruar opinionin. Këto janë “patka” për ta trullu qytetarin dhe për ta bërë mjegullnajë!

Unë nuk besoj se mund të zbehen argumentet me një fjalë, sado e pa përshtatshme qoftë ajo. Nuk ka argument më të fuqishëm se sa njerëzit që e dinë se ku është kufiri dhe hartat që e përcaktojnë atë.

Me këtë kryeministër, malazezët do ta kërkojnë edhe Prishtinën

Edhe malazezët janë shprehur të pakënaqur me këtë proces të demarkacionit. Ata po kërkojnë edhe disa territore Kosovës. Si i shini këto reagime të banorëve malazez rreth brezit kufitar?


Nitaj: Këto janë hajgare. Është njëjtë sikur shqiptarët ta kërkojnë kufirin deri të Molla e Kuqe. Mali i zi ka marrë aq sa ka dashtë.

Pse të mos tallen malazezët dhe ta lypin edhe Pejën. Me këtë kryeministër, mund të ta kërkojnë edhe Prishtinën!!!

Gjatë ditës së djeshme pamë se si përfaqësuesit politik të Luginës themeluan Asociacionin e Komunave Shqiptare në Serbi. Cili është qëndrimi i AAK-së për këtë asociacion?

Nitaj: Nuk e di cili do të jetë qëndrimi i partisë, sepse kjo ka ndodhur dje, por e di që shqiptarët e Luginës së Preshevës njëherë e kanë shpallur Luginën pjesë të Kosovës, bile duke e quajtur Kosova Lindore. A dmth kjo se i kanë ra pishman, apo si është halli. Shqiptarët e Luginës është mirë që të mos bëjnë numra dhe të mos marrin vendime koti, por të provojnë që të shndërrohen në faktor atje ku janë.

Ata e kanë pasur një detyrë qytetare sot, zgjedhjet në Medvegjë, dhe është e mundur që të kenë humbur, sepse një numër i konsiderueshëm i votuesve, tashmë jetojnë në Kosovë, dhe nuk e kanë prioritet Luginën. Lugina nuk bëhet shqiptare me vendime, por me pjesëmarrje!

Sot gjatë ditës u raportua nga mediet se Policia Serbe bllokoi medvegjasit që ta kalojnë kufirin me Serbinë, që qëllim kishin pjesëmarrjen në zgjedhjet për kryetar të Komunës së Medvegjës. Si e komentoni këtë veprim të autoriteteve serbe, dhe a kanë faj këtu edhe institucionet tona?

Nitaj: E kam takuar dje një delegacion politik të Medvegjës. Thanë se s’po gjejnë mbështetje as në qeveri e as në media. E kishin hall se si t’i ftonin qytetarët e Medvegjës që janë shpërngulur në Kosovës, për të votu. Por siç po e shihni, shqiptarët me këtë qeverisje, janë në defensivë në të gjitha drejtimet. Kosova sot është më pak e pavarur, se sa në vitin 2000 dhe për fat të keq ky degradim po rritet përditë.

Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Riza Halimi tha se zgjidhja e shqiptarëve të Luginës mund të ndodh përmes Modelit të Tirolit Jugor. Do të ishte ky model zgjidhje, apo mund të ndodhë në ndonjë të ardhme edhe shkëmbimi i territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

Nitaj: Nuk e di se çka do të ndodhë në të ardhmen, por Kosova së pari duhet të bëhet funksionale në këta kufij që i ka, e më pastaj të shohë se çfarë do të bëjë e kah do të shkojë. Kështu siç po shkojnë gjërat, Kosova rrezikon të mos jetë funksionale.

Londër: ​Talenti i ri i bënë me lot jurinë e X Factor (VIDEO)

0

Simonit Cowell, është i njohur për komentet e tij të drejtpërdrejta, shpesh “poshtëruese”, duke e bërë atë të njihet si një kritik i pashpirt, por edhe ai ka emocione si çdo njeri tjetër. Këtë e dëshmon edhe paraqitja në X Factor në Angli, e një këngëtari të ri.

Ai është Josh Daniel, një 21vjeçar mekanik, i cili në interpretimin e tij të parë i bëri me lot të gjithë anëtarëve të jurisë, e bilës edhe vetë Simonit.

Kur antarët e jurisë e pyetën Joshin se pse ai zgjodhi këtë këngë, ai u përgjigj: “Kam humbur mikun tim më të mirë nja dy vjet më parë dhe unë dua ta interpretoj këtë këngë në një formë më ndryshe, vetëm për ta kujtuar atë.”
Interpretim i mrekullueshëm, ia vlen ta shihni.

Flamuri i Kosovës – në Apple!

0

Flamuri i Kosovës, bëhet pjesë e planetit tokë me sistemin e ri operativ të Apple, të quajtur IOS 9.0 dhe 9.1 për iPhone dhe iPad. Flamuri i Kosovës figuron si pjesë e “Emotikonëve” të rinj të Apple- në rubrikën “Flags” dhe “valvitet” në duart e mbi 700 milionë përdoruesve anë e mbanë botës të produkteve të kompanisë Apple.

Tahiri BE-së: Të mundësohet qarkullimi i njerëzve

0

Pas marrjes së informatës se në pikë-kalimin kufitar mes Kosovës dhe Serbisë, në Mutivodë, janë krijuar kolona të gjata të qytetarëve nga Lugina e Preshevës, që po shkonin për të votuar në zgjedhjet lokale në Medvegjë, ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka reaguar menjëherë dhe ka kërkuar nga Bashikimi Evropian që të ndërhyjë dhe të mundësojë qarkullimin e qytetarëve, në pajtim me marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë./ 21 Media