Anëtari i Kryesisë së AAK-së dhe njëherësh Drejtori i Marrëdhënieve me Publikun, Muharrem Nitaj thekson se opozita është unike sa i përket organizimit të protestave. Ai në një intervistë të dhënë për Gazetën Blic thekson se protesta ka për qëllim ndalimin e procesit të demarkacionit me Malin e Zi, pastaj mos dhënien e kompetencave ekzekutive për Asociacionin e Komunave Serbe.
“Ne nuk jemi as kundër Asociacionit, por nuk pajtohemi me kompetencat ekzekutive të tij. Nuk e dum një nivel të tretë të pushtetit”, ka thënë Nitaj në një intervistë për gazetën BLIC.
Ai ka thënë se AAK nuk është për rrëzimin e Qeverisë, mirëpo sipas tij, kjo qeveri po do me ra vetë.
“Këto janë kundërshtimet tona, e jo rrëzimi i qeverisë, por nëse qeveria nuk i përfillë kërkesat, që unë po besoj se janë qytetare e jo vetëm të opozitës, atëherë ia paftë hajrin. Ajo po do me ra vetë!”, ka thënë Nitaj.
Ai i është kundërpërgjigjur edhe ish- kolegut të tij, Halil Matoshit, i cili i kishte thënë Ramush Haradinajt, duke aluduar në kundërshtimin e demarkacionit me Malin e Zi, se nuk bënë që burri të koritet për një livadh.
“E lexova mikun tim Matoshi të kishte shkruar, “A koritet burri për një livadh”! Vërtetë burri nuk koritet për një livadh, por në rastin e demarkacionit me Malin e Zi, fjala është për nja 20 mijë livadhe, më të mëdha se sa livadhet e Mikut tim”, ka thënë Nitaj.
Ai ka folur edhe për vendimin e djeshëm të përfaqësuesve politik të shqiptarëve të Luginës të cilët e shpallën Asociacionin e Komunave Shqiptare, që sipas tij, duke thënë se “shqiptarët atje është mirë që të mos bëjnë numra e të marrin vendime koti, por të bëhen faktor”.
Nuk e kemi caktuar datën e protestës
Z. Nitaj opozita ka paralajmëruar protesta të fuqishme ditëve në vijim. Kur pritet të organizohen këto protesta?
Nitaj: Deri në këtë moment nuk di të jetë caktuar data. Por e di që ka një dakordim parimor që të jemi pjesë e një fronti të përbashkët opozitar e qytetar, për të kundërshtuar marrëveshjet e fundit të cilat i ka nënshkruar Qeveria, e të cilat nuk kanë si të jenë në përputhje me interesat as të qytetarëve e as të shtetit. AAK-ja ka caktuar një grup që do t’i harmonizojë detajet e krijimit të frontit të përbashkët me partitë tjera opozitare, por edhe me grupe të tjera të interesuara.
Përkundër asaj që të tri partitë opozitare kanë paralajmëruar pjesëmarrjen në protesta, duket se megjithatë ka përçarje të opozitës. VV nuk e ka përjashtuar edhe dhunën në protesta, derisa partia juaj ka deklaruar qartë se është kundër protestave të dhunshme. Ky mos i unitet i opozitës a mund të ndikoj edhe në efektin e protestës?
Nitaj: Nuk jam shumë i sigurt nëse VV është deklaruar për protesta të dhunshme. Por e di që deklarimi i AAK-së është i qartë se “me protestu do të protestojmë, por nuk do ta kallim Kosovën”. Sa për sqarim, kur është marrë ky qëndrim, nuk është menduar në VV-në e as në Nismën, por ka qenë një si lloj kujdesi, se nuk do të lejojmë që grupe të ndryshme që mund të jenë të interesuara që protestat e opozitës t’i shndërrojnë në akte dhune, të jenë pjesë e jona.
Ju e dini se ka plot palë të interesuara që protestat demokratike t’i shndërrojnë në dhunë të pakontrolluar, gjë e cila do të ishte e dëmshme.
Ne jemi të interesuar që të ketë një aktivizëm opozitar e qytetar, dhe protestat të jetë një manifestim përtej partive politike. Nuk po këqyrim me marrë poenë politikë, siç po pretendon dikush, por jemi të interesuar që kjo qeverisje e dëmshme për Kosovën, ta kuptojë se është boll.
Akoma nuk po shoh se ka përçarje të opozitës për këtë çështje. Nëse nuk do të mund të merremi vesh se si dhe sa e qysh do të protestojmë, ajo do të kuptohet lehtë.
Demarkacioni i kushtoi Kosovës sa 20 mijë livadhe si të Halil Matoshit
Cili është qëllimi përfundimtar i kësaj proteste, ndalimi i procesit të demarkacionit dhe Asociacionit të Komunave, apo rrëzimi i kësaj qeverie?
Nitaj: Së pari, duhet të ndalet procesi i Demarkacionit. Ka mijëra njerëz që janë të pakënaqur me këtë proces, dhe që kanë plot argumente se me demarkacionin, siç e ka bërë Komisioni i Murat Mehës, Kosova humbë mijëra hektarë. Ky nuk është vetëm pretendim i AAK-së, por edhe i qytetarëve, edhe i pronarëve, edhe i ekspertëve e kështu me radhë. Më në fund, e dini edhe ju këtë punë.
Ne nuk jemi kundër demarkacionit, përkundrazi insistojmë që këtë çështje ta kryejmë edhe me Malin e zi, por nuk mund të pajtohemi që kjo të bëhet në dëm të Kosovës. Kosova është tepër e vogël për të falë tokë. E dini rastin e Maqedonisë, sot i Malit të zi, e nesër i Serbisë. Unë nuk po arrij të kuptoj, a ka njerëz në këtë vend që shqetësohen nëse shteti i tyre, i humbë 10 mijë hektarë.
E lexova mikun tim Matoshi të kishte shkruar, “A koritet burri për një livadh”! Vërtetë burri nuk koritet për një livadh, por në rastin e demarkacionit me Malin e Zi, fjala është për nja 20 mijë livadhe, më të mëdha se sa livadhet e Mikut tim.
Fundja, përse kjo nguti në nënshkrimin e demarkacionit. Nuk është se Kosova apo Mali i Zi kanë mbetur pykë, në proceset e integrimit në BE. Nëse ka pasur shqetësime nga të gjitha grupet, pse Qeveria nuk është ndalur e të thotë: “Pritni se unë duhet t’i sqarojë disa gjëra”, po është mjaftuar me fjalën e Murat Mehes.
Ne nuk jemi as kundër Asociacionit, por nuk pajtohemi me kompetencat ekzekutive të tij. Nuk e dum një nivel të tretë të pushtetit.
Këto janë kundërshtimet tona, e jo rrëzimi i qeverisë, por nëse qeveria nuk i përfillë kërkesat, që unë po besoj se janë qytetare e jo vetëm të opozitës, atëherë ia paftë hajrin. Ajo po do me ra vetë!
Blic: AAK vazhdon që të këmbëngul kundër demarkacionit me Malin e Zi dhe vazhdoni të potenconi se Kosova nga ky proces ka humbur mijëra hektarë. Megjithatë, kryetari i Komisionit për demarkacionin me Malin e Zi, Murat Meha tha se Kosova nuk e humbi as edhe një milimetër nga ky proces. Në anën e kujt janë argumentet?
Nitaj: Vetëm në dy ditët e fundit, kam lexuar shkrime skandaloze për Murat Mehen. Unë nuk e besoj se media në Prishtine ka diçka personale kundër tij. Po sikur vetëm një për qind e asaj që është shkruar për zotin Meha, të jenë të sakta, unë s’jam aq budalla sa t’i besoj atij, përpara se t’iu besojë njerëzve e profesorëve eminentë, të cilët thonë se me këtë marrëveshje Kosova i humb mbi 8 mijë hektarë.
Komisioni qeveritar dhe Qeveria, do të duhej që përpara se ta vënë firmën në një marrëveshje, t’i dëgjonin qytetarët, pronarët e tokave atje dhe ekspertët, sepse kjo qeveri është e atyre qytetarëve, e jo Malit të zi.
Argument nuk janë vetëm fjalë e letra pa vlerë.
Z. Nitaj kemi parë një gjuhë të ashpër të liderit të partisë suaj, sidomos ne raport me z. Mehaj. Mendoni se kjo gjuhë sikur e zbehi këmbëngulësinë e AAK-së ndaj demarkacionit dhe e përqendroi vëmendjen e opinionit në gjuhën e përdorur nga Haradinaj?
Nitaj: Edhe pse disa njerëz ndonjëherë ta bëjnë me borxh, Zoti Haradinaj e ka përdorur një fjalë, jo të duhur, dhe për këtë ka kërkuar falje publike. Por nuk është tema këtu. Nuk është çështje fjalori, por përmbajtja. Opinioni duhet ta dijë nëse Kosova humbur mijëra hektarë me këtë marrëveshje dhe nëse është kështu, është obligim qytetar i secilit, që ta mbrojë pronën e vetë. U bënë temë edhe “gomarët” e Kryeministrit, por kjo është përpjekje për ta shpërqendruar opinionin. Këto janë “patka” për ta trullu qytetarin dhe për ta bërë mjegullnajë!
Unë nuk besoj se mund të zbehen argumentet me një fjalë, sado e pa përshtatshme qoftë ajo. Nuk ka argument më të fuqishëm se sa njerëzit që e dinë se ku është kufiri dhe hartat që e përcaktojnë atë.
Me këtë kryeministër, malazezët do ta kërkojnë edhe Prishtinën
Edhe malazezët janë shprehur të pakënaqur me këtë proces të demarkacionit. Ata po kërkojnë edhe disa territore Kosovës. Si i shini këto reagime të banorëve malazez rreth brezit kufitar?
Nitaj: Këto janë hajgare. Është njëjtë sikur shqiptarët ta kërkojnë kufirin deri të Molla e Kuqe. Mali i zi ka marrë aq sa ka dashtë.
Pse të mos tallen malazezët dhe ta lypin edhe Pejën. Me këtë kryeministër, mund të ta kërkojnë edhe Prishtinën!!!
Gjatë ditës së djeshme pamë se si përfaqësuesit politik të Luginës themeluan Asociacionin e Komunave Shqiptare në Serbi. Cili është qëndrimi i AAK-së për këtë asociacion?
Nitaj: Nuk e di cili do të jetë qëndrimi i partisë, sepse kjo ka ndodhur dje, por e di që shqiptarët e Luginës së Preshevës njëherë e kanë shpallur Luginën pjesë të Kosovës, bile duke e quajtur Kosova Lindore. A dmth kjo se i kanë ra pishman, apo si është halli. Shqiptarët e Luginës është mirë që të mos bëjnë numra dhe të mos marrin vendime koti, por të provojnë që të shndërrohen në faktor atje ku janë.
Ata e kanë pasur një detyrë qytetare sot, zgjedhjet në Medvegjë, dhe është e mundur që të kenë humbur, sepse një numër i konsiderueshëm i votuesve, tashmë jetojnë në Kosovë, dhe nuk e kanë prioritet Luginën. Lugina nuk bëhet shqiptare me vendime, por me pjesëmarrje!
Sot gjatë ditës u raportua nga mediet se Policia Serbe bllokoi medvegjasit që ta kalojnë kufirin me Serbinë, që qëllim kishin pjesëmarrjen në zgjedhjet për kryetar të Komunës së Medvegjës. Si e komentoni këtë veprim të autoriteteve serbe, dhe a kanë faj këtu edhe institucionet tona?
Nitaj: E kam takuar dje një delegacion politik të Medvegjës. Thanë se s’po gjejnë mbështetje as në qeveri e as në media. E kishin hall se si t’i ftonin qytetarët e Medvegjës që janë shpërngulur në Kosovës, për të votu. Por siç po e shihni, shqiptarët me këtë qeverisje, janë në defensivë në të gjitha drejtimet. Kosova sot është më pak e pavarur, se sa në vitin 2000 dhe për fat të keq ky degradim po rritet përditë.
Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Riza Halimi tha se zgjidhja e shqiptarëve të Luginës mund të ndodh përmes Modelit të Tirolit Jugor. Do të ishte ky model zgjidhje, apo mund të ndodhë në ndonjë të ardhme edhe shkëmbimi i territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?
Nitaj: Nuk e di se çka do të ndodhë në të ardhmen, por Kosova së pari duhet të bëhet funksionale në këta kufij që i ka, e më pastaj të shohë se çfarë do të bëjë e kah do të shkojë. Kështu siç po shkojnë gjërat, Kosova rrezikon të mos jetë funksionale.
