Në një bisedë me gazetën zvicerane “Ostschweiz am Sonntag” Edi Rama është pyetur edhe per babane e tij, skulptorin e njohur Kristaq Rama.
Babai juaj, skulptori Kristaq Rama, nën regjimin e Enver Hoxhës ka qenë një artist i njohur shteti. Si e ka karakterizuar kjo rrethanë fëmijërinë tuaj? – e pyet gazetari.
Dhe Rama pergjigjet:
“Jam rritur në një rreth, ku arti ishte vetëm shprehje e propagandës. Babai im ishte pjesë e krijimtarisë artistike zyrtare, të ashtuquajtur realsocialiste. Nuk kishte fare liri, ka qenë vështirë për të gjithë ne. Shumë nga bashkëkohësit e babait tim u futën në burg, sepse kundërshtuan sistemin, nuk durohej kurrfarë kritike – madje as kritikë e llojit artistik. I jam mirënjohës babait tim që më ka pranuar si rebel të ri, siç kam qenë gjatë kohës së studimeve, dhe nuk ka hequr dorë prej meje…”
Rama pyetet edhe për zhgenjimin që kanë shqiptarët në pritshmerite ndaj Rilindjes dhe thotë:
“Besoj se njerëzit në Shqipëri kanë të drejtë të jenë të padurueshëm pas aq shumë vitesh shtypjeje dhe mjerimi. Por unë nuk kam shkop magjik për t’i zgjidhur brenda dy viteve problemet që ekzistojnë në Shqipëri…”
Ai pranon që ka bërë gabime por nuk pendohet.
Pyetjes: A jeni penduar që keni ndërruar kampin? – Rama i përgjigjet:
“Nuk pendohem për asnjë vendim. Të bëj gabime është pjesë e jetës sime, kam bërë shumë gabime, por nuk pendohem. Dua të mësoj prej tyre, që të mos i përsëris, sepse kjo do të ishte monotone”.
