Kush është për, e kush kundër zgjedhjeve të parakohshme? Mexhiti: Nuk u ikim zgjedhjeve, por Qeveria duhet të punojë për programin

TË FUNDIT

Temën e zgjedhjeve vazhdimisht e mban të hapur BDI-ja, sepse nuk ka çfarë të ofrojë dhe për këtë arsye kërkon zgjedhje të parakohshme. Kështu deklaroi bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, pasi ditëve të fundit në opinion është diskutuar gjerësisht nëse nevojiten zgjedhje të parakohshme dhe kush i dëshiron ato. Mexhiti shton se nuk janë kundër zgjedhjeve, por se Qeveria është e fokusuar te programi dhe se tani nuk është koha për zgjedhje.

“Pra, Parlamenti ka mjaftueshëm deputetë, shumicë absolute dhe nuk ka asnjë arsye të eksperimentojmë dhe të shkojmë në zgjedhje, përderisa nuk ka bllokim të proceseve, bllokim të punës, bllokim të prokurimeve publike, punësimeve dhe marrjes së vendimeve. Kjo nuk është në interes të qytetarëve. Është shpenzim shtesë për qytetarët. Kjo nuk do të thotë se VLEN-i, i cili është favorit te shqiptarët, partia kryesore te shqiptarët sipas anketave të fundit, u ikën zgjedhjeve. Por mendoj se për momentin punojmë për zgjidhje, jo për zgjedhje”, tha Mexhiti.

Nga LSDM-ja përsëritën se Mickoski i dëshiron zgjedhjet për shkak të buxhetit të zbrazët, por se ata nuk do t’i bëhen alibi për mbajtjen e tyre. Sipas tyre, pushteti po përgatit skenarin për zgjedhje të parakohshme dhe tensione ndëretnike.

ANDREJ ZHERNOVSKI, LSDM:

“Mickoski i dëshpëruar kërkon alibi për zgjedhje. Kujdes, vetë thotë se nuk dëshiron zgjedhje të parakohshme, por njëkohësisht lutet që opozita t’ia hedhë dorashkën, ose ndoshta më i saktë është shprehja, t’ia hedhë gomën e shpëtimit. Tani nuk do të jenë bullgarët argumenti kryesor kundër nesh, pra alibi për zgjedhjet, por do të jenë, kujdes, shqiptarët”, tha Andrej Zherenovski, LSDM.

Kryeministri Mickoski, ndërkaq, thotë se mandati i Qeverisë është katër vjet dhe se opozita po taktizon lidhur me zgjedhjet e parakohshme.

“Qëndrimin tonë e dini dhe qëndrimi i Qeverisë është se mandati i kësaj Qeverie është katër vjet. Nga ajo që mund të shoh te opozita, bëhet fjalë për taktizim të zbehtë kur bëhet fjalë për zgjedhje të parakohshme dhe deklarata të ndrojtura. Por, kështu është. Mandati ynë si Qeveri është katër vjet, prioriteti ynë janë qytetarët, interesi i qytetarëve, projektet dhe reformat që duhet t’i realizojmë dhe që qytetarët i presin nga Qeveria, si dhe ajo që kemi realizuar gjatë 25–26 muajve që nga zgjedhja e kësaj Qeverie”, tha Hristijan Mickoski.

Nga BDI-ja menjëherë u shprehën se i pranojnë zgjedhjet dhe atë menjëherë, ndërsa për zgjedhje të parakohshme janë shprehur edhe nga Levica, pasi kryeministri Mickoski tha se, nëse opozita i kërkon, ata do t’i organizojnë.