Maqedonia e Veriut nesër për herë të parë do të merr pjesë në një mbledhje të NATO-s si shtet me të drejta të plota njëjti si 29 aleatët e tjerë. Por për shkak të gjendjes me virusin korona, në këtë herë të parë Ministri për Punë të Jashtme nuk do ta ketë fatin të ulet në tavolinën e rrumbullakët në selinë qendrore të NATO-s. Kjo për shkak se siç tregoi edhe vetë sekretari gjeneral i NATO-s Jens Stoltenberg, mbledhja do të mbahet përmes video-lidhjeje me siguri të lartë.
“Për herë të parë mbahet një mbledhje e këtillë në historinë 70-vjeçare të NATO-s. Përgjigjja jonë ndaj COVID-19 do të jetë në krye të agjendës sonë. Do t’i shohim masat që NATO dhe aleatët janë duke i ndërmarrë për krizën aktuale, duke siguruar se ne do të vazhdojmë me misionin tonë thelbësor, kredibil, efektiv, parandalues dhe mbrojtës”, tha Jens Stoltenberg, Sekretar Gjeneral i NATOS.
Sekretari gjeneral nuk la pa i uruar Maqedonia e Veriut pjesëmarrjen për herë të parë në mbledhje si anëtare fuqiplotë, ndërsa tregoi edhe se vendi ynë në këtë kohë krize po përdor një sistem të NATO-s për përgjigje për koordinim në qeveri.
Nga Ministria e Jashtme e vendit tregojnë se në mbledhjen e nesërme të Ministrave të Jashtëm përveç situatës me COVID-19 do të flitet edhe për çështje të tjera:
“Nga temat e tjera që do të përfshihen janë çështjet në lidhje me gjendjen dhe angazhimet e Aleancës në Afganistan, zona më e gjerë e Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut, ndërsa do të rishikohen edhe mundësitë për kontribut konkret për përmirësimin e gjendjes në Siri. Është paraparë që Ministrat të miratojnë disa dokumente të harmonizuara për tema që janë lëndë e diskutimit në kuadër të NATO-s”, u tha nga Ministria e Jashtme e Maqedonisë së Veriut.
Nga ana tjetër Rusisë vazhdon të mos i shkojë përshtat anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO. Në një komunikatë të fundit Ministria e jashtme ruse shkruan se anëtarësimi i Shkupit në Aleancë nuk jep asnjë vlerë të shtuar për sigurinë evropiane, rajonale ose nacionale.
-Anëtarësimi sigurisht se nuk do t’i lehtësojë përpjekjet në luftimin e sfidave, përfshirë pandemine me koronavirusin. Do të krijojë vetëm vija të reja ndarjeje. Ende mbetet për t’u dhënë një arsyetim i qartë për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO. Sipas procedurës, Shkupi pritet të konfirmojë pranimin e detyrimeve të saj në NATO nën dokumentet e nënshkruara me Rusinë, veçanërisht Aktin Themelues të 1997 dhe Deklaratën e Romës 2002, u tha nga Ministria e Jashtme e Federatës Ruse.
Më 27 mars, Maqedonia e Veriut edhe zyrtarisht u bë anëtare më të drejta të plota e aleancës veri-atlantike ndërsa në selinë në Brksel tre ditë më parë u ngrit flamuri i vendit, duke u valëvitur tanimë në mesin e 29 flamujve të tjerë të shteteve anëtare.