Rreth 547 mijë familje në Holandë, ose 6.6 për qind e numrit të përgjithshëm të familjeve, kanë pasuri me vlerë të paktën 1 milion euro, njoftoi sot Zyra Qendrore e Statistikave, bazuar në të dhënat për vitin 2025.
Krahasuar me vitin paraprak, numri i familjeve milionere është rritur për 81 mijë. Kjo kryesisht i atribuohet rritjes së çmimeve të banesave.
Një familje mesatare milionere disponon pasuri me vlerë 1.5 milionë euro. Dy të tretat e këtyre familjeve kanë pasuri nga 1 deri në 2 milionë euro, ndërsa një e katërta zotërojnë pasuri me vlerë nga 2 deri në 5 milionë euro. Një pjesë më e vogël, 3 për qind, kanë pasuri prej 10 milionë eurosh ose më shumë.
Në vitin 2025, mosha mesatare e milionerëve ishte 61 vjeç. Pak më pak se 3 për qind e tyre ishin nën moshën 35-vjeçare, ndërsa pothuajse 70 për qind ishin 55 vjeç ose më shumë.
Gjithsej 39 për qind e pasurisë së milionerëve përbëhet nga pjesëmarrjet e konsiderueshme në biznese, që nënkuptojnë zotërimin e të paktën 5 për qind të aksioneve në një kompani, si dhe nga asetet e biznesit. Te familjet që nuk janë milionere, kjo pjesë përbën vetëm 3 për qind. Ndërkaq, vlera e banesave në pronësi të milionerëve përbën 29 për qind të pasurisë së tyre.
Në qytetet Bloemendaal dhe Laren jeton një numër relativisht i madh milionerësh, ku pothuajse dy në çdo pesë familje kanë pasuri me vlerë të paktën 1 milion euro.
