Çmimet e naftës bien me rreth 1% pas përpjekjeve diplomatike për zgjidhjen e konfliktit në Lindjen e Mesme

TË FUNDIT

Çmimet e naftës ranë me rreth 1% në tregtinë aziatike, pasi perspektivat për zgjidhjen e luftës mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit zbutën shqetësimet për furnizimin, në kohën kur në Teheran po zhvillohen bisedime, pavarësisht sulmeve të reja të rebelëve Huthi ndaj Arabisë Saudite.

Nafta e papërpunuar Brent, si referencë për tregun evropian, ra me një dollar ose 0,86%, duke u tregtuar me 114,81 dollarë për fuçi deri në orën 04:18 sipas kohës së Grinuiçit.

Nafta e papërpunuar amerikane u ul me 88 centë ose 0,86%, në 100,88 dollarë për fuçi.

Arabia Saudite, Turqia dhe Pakistani zhvilluan dje bisedime me përfaqësuesit iranianë në Teheran, me synimin për zbutjen e tensioneve në Lindjen e Mesme.

Nafta Brent javën e kaluar u rrit mbi 117 dollarë për fuçi, duke shënuar nivelin më të lartë që nga prilli, pas një serie sulmesh iraniane ndaj cisternave në Ngushticën e Hormuzit. Edhe dje, çmimi arriti sërish në 117 dollarë për fuçi.