Sukses mjekësor në Maqedoni! Realizohet transplantimi i parë nga nëna te fëmija me sindromën Alport

TË FUNDIT

Për herë të parë në Maqedoninë e Veriut është kryer transplantimi i veshkës nga nëna te fëmija me sindromën Alport, një sëmundje e rrallë trashëguese që dëmton veshkat dhe, në rastet më të rënda, mund të çojë në insuficiencë renale.

Pas ekzaminimeve mjekësore, është konstatuar përputhshmëri mes nënës dhe fëmijës, ndërsa ajo është vlerësuar si dhuruese e përshtatshme e gjallë.

“Ky është një shembull i më të mirës që ofron shëndetësia jonë – profesionalizëm, punë ekipore dhe humanizëm. Çdo veshkë e transplantuar nënkupton një mundësi të re për jetë”, deklaroi ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.

Transplantimi është një nga tri ndërhyrjet e kryera së fundmi në Klinikën Universitare të Urologjisë. Te dy pacientë është transplantuar veshkë nga dhurues të ndjerë, ndërsa te pacienti i tretë është përdorur organ nga dhurues i gjallë.

Me këto ndërhyrje, numri i transplantimeve të veshkave në Klinikë këtë vit ka arritur në 15. Për krahasim, gjatë gjithë vitit 2025 ishin kryer 11 transplantime.

Sindroma Alport është një sëmundje gjenetike e trashëguar që prek indet e veshkave, por mund të shkaktojë edhe dëmtim të dëgjimit dhe shikimit. Në rastet më të rënda, ajo çon në insuficiencë renale, duke bërë që pacientët të kenë nevojë për dializë ose transplantim.

“Shprehim mirënjohje për familjen për besimin dhe për pëlqimin që ky rast të ndahet publikisht, si dhe për të gjithë ekipin mjekësor të përfshirë pandërprerë në këtë procedurë komplekse”, deklaroi prof. dr. Biljana Kuzmanovska, koordinatore kombëtare për transplantim.