Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në konferencën për mediat e cila u mbajt pas takimit të jashtëzakonshëm të liderëve të vendeve anëtare, konfirmoi se janë dakorduar për shpërndarjen e 40 mijë ushtarëve në krahun lindor të NATO-s, që do të thotë se 4 grupe të reja do të dërgohen në Bullgari, Hungari, Rumani dhe Sllovaki. Ai theksoi se në tokë do të shpërndahen më shumë forca, por edhe nga ajri do të shfrytëzohen aeroplanë ushtarakë, ndërsa në det më shumë anije dhe nëndetëse. Ai u shpreh i shqetësuar nga mundësia që Rusia të përdorë armë kimike dhe biologjike duke theksuar se kjo në tërësi do ta ndryshojë esencën e konfliktit.
“Sot liderët e NATO-s janë dakorduar se ne duhet dhe se do të sigurojmë përkrahje të mëtutjeshme për Ukrainën. Ne do të vazhdojmë t’i imponojmë shpenzime të papara Rusisë dhe do ta përforcojmë mbrojtjen duke e penguar depërtimin e tyre. Liderët dhanë dritë jeshile për 4 grupet e reja në Bullgari, Hungari, Rumani dhe Sllovaki. Ky është përforcim shtesë për dallim nga përforcimi paraprak në vendet baltike dhe Poloni me çka tani kemi 8 grupe multinacionale të NATO-s nga deti Baltik dhe Deti i Zi. Ne jemi të shqetësuar për shkak se po shohim retorikë dhe shohim se Rusia përpiqet që të krijojë akuza ndaj Ukrainës, SHBA-ve dhe Aleancës, se po përgatiten që të përdorin armë kimike dhe biologjike dhe pamë paraprakisht se në këtë mënyrë, duke akuzuar të tjerë, në fakt është mënyra që vetë ajo ta bëjë këtë“, tha Jens Stoltenberg, sekretar i përgjithshëm i NATO-s.
