Kush nga ASH do të jetë në kabinet qeveritar? Sali dhe Tupançevski zëvendësohen nga Mexhiti dhe Lloga

TË FUNDIT

ASh vendosi për të hyrë në Qeveri. Resorët me të cilët do të drejtojë tashmë janë përcaktuar.

“Domethënë dy ministri janë të sigurta e Shëndetësisë dhe e Drejtësisë dhe e treta do të jetë ose për zv/kryeministër për çështje ekonomike ose resori MShIA. Zëvendësministrat që i takojnë ASh-së janë zv/ministri i Mbrojtjes dhe i Bujqësisë”, tha Arben Taravari, kryetar i ASH-së.

Por cilat janë emrat të cilët do të drejtojnë me këto dikastere? Jozyrtarisht TV21 mëson se ministri i Shëndetësisë Bekim Sali do të zëvendësohet me Fatmir Mexhitin, ai i drejtësisë Nikolla Tupançevski me Krenar Llogën, vendin e zv/ministrit të Mbrojtjes Bashkim Asani pritet ta zërë Tiron Jajaga.

Ilmi Aziri nga ASh do të vijë në pozitën e zv/kryeministrit për Ekonomi, por ky opsion është vetëm nëse Alternativa qëndron në Qeveri. E nëse del, ASh në vend të këtij dikasteri do ta marrë Ministrinë e Administratës dhe Shoqërisë Informatike. Jozyrtarisht flitet se Ministria e Mjedisit të cilën e drejton BDI do të kalojë nën udhëheqje të LSDM-së.   

Lidhja Socialdemokrate ka shpresa të mëdha tek Aleanca për Shqiptarët. Thonë se me partnerin e ri do ta luftojnë korrupsionin e do të avancohet sundimi i ligjit.

“Shumica qeverisëse e zgjeruar do të përkujdeset që askush mos të mbetet vetë këtë dimër dhe ripërtërirja e ekonomisë të nisë që këtë vit. Po krijohen kushte për avancimin e sundimit të së drejtës dhe luftës kundër korrupsionit. Përkrahje më të madh fiton plani për partneritetin strategjik me ShBA-në dhe avancimin e raporteve mes fqinjëve. Freskimi i kuadrove do të sjell energji të re në realizimin e masave dhe politikave të qeverisë së udhëhequr nga LSDM, në interes të të gjithë qytetarëve dhe ardhmërinë e vendit”, pohoi Bogdanka Kuzeska, zëdhënëse në LSDM.

Hyrja e ASh-së në Qeveri pritet që ta bëjë më të qëndrueshme shumicën parlamentare, ndërsa zotimi kryesor i partisë së Taravarit për hyrjen në këtë Qeveri është ndihmesa për rrugën europiane, duke dhënë mbështetje për ndryshimet kushtetuese si dhe luftën kundër korrupsionit.