Eurokomisari i Punës dhe Çështjeve Sociale Nikolla Shmit, me rastin e 1 Majit, porositi se komisioni Evropian i mësoi mësimet nga kriza me Kovid-19 dhe premtoi se do të ndërtohet Evropë “e drejtë, e fuqishme dhe sociale”.
Shmit me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, 1 Maji, i falënderoi të gjithë punëtorët dhe profesionistët të cilët direkt ndihmojnë në tejkalimin e kësaj krize – punonjësit shëndetësorë, arkëtarët, pastruesit dhe veçanërisht gratë të cilat janë në numër më të madh në këto profesione kyçe.
“Kriza na detyroi të gjithëve që të mendojmë për vlerën e profesioneve të cilat na mundësojnë që të jemi të shëndoshë dhe të sigurt dhe ato të cilat sjellin ushqim në tryezat tona. Na mësoi se nëse duam të dalim nga kjo periudhë e rëndë me ekonomi më të fuqishme dhe shoqëri më kohezive, tani është koha kur duhet të realizojmë progres në të drejtat sociale, veçanërisht kur bëhet fjalë për paga të barabarta, kushte më të mira për punë dhe garanci për barazi të mundësive për të gjithë”, shkroi Shmit.
Ai përkujtoi për iniciativat sociale të Komisionit Evropian të ndërmarra që nga fillimi i krizës si sjellja e fondit për ndihmë të papunëve dhe asistim për kategoritë më të rrezikuara të qytetarëve.
“Së shpejti Komisioni do të dalë me plan gjithëpërfshirës për rimëkëmbje i cili do të na mundësojë që t’i rinisim ekonomitë tona dhe ta përfshijmë procesin e lëvizjes drejtë një Evrope më rezistuese, më të qëndrueshme dhe më të drejtë”, theksoi komisari.
Për Shmit është me rëndësi kyçe BE-ja të përqendrohet në menaxhimin me papunësinë në periudhën e ardhshme, por edhe me sigurimin e standardeve të larta shëndetësore të vendeve të punës për të gjithë./MIA
