Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se komentet e tij se Irani mund të shkatërrojë qytete në Kaliforni ishin keqinterpretuar dhe se, në fakt, ai po fliste për nevojën që amerikanët të përballojnë çmimet më të larta të karburanteve.
Trump i bëri këto deklarata të hënën, gjatë një tubimi politik në Nebraska, ku foli për sakrificat ekonomike me të cilat po përballen amerikanët për shkak të luftës me Iranin.
“Mbani mend, në lidhje me luftën, kjo është vetëm një rritje artificiale. Çmimet janë pak më të larta, por ky është një çmim i vogël për t’u paguar”, tha ai.
“Është një çmim i vogël për të ruajtur sigurinë e botës dhe të vendit tonë. Ata mund të shkatërrojnë ndonjë qytet. Le ta shkatërrojnë Los Anxhelosin, le ta shkatërrojnë San Diegon. Ky është një çmim shumë i vogël dhe e gjithë kjo do të përfundojë së shpejti”, shtoi Trump.
Deklaratat e tij u kritikuan menjëherë nga disa politikanë në Kaliforni dhe në pjesë të tjera të SHBA-së.
Mbrëmë, Trump reagoi përmes rrjetit të tij social “Truth Social”, duke shkruar se ai po fliste për rritjen e përkohshme të çmimit të benzinës, të cilën e cilësoi si një çmim të vogël që ia vlen të paguhet për të parandaluar që Irani të sigurojë armë bërthamore.
“Nëse doni të shihni se sa i madh do të ishte çmimi, a mund ta imagjinoni se çfarë do të ndodhte nëse ata do të bombardonin San Diegon dhe/ose Los Anxhelosin?”, shkroi ai, duke shtuar se i do të dy qytetet.
Trump edhe më herët ka minimizuar shqetësimet për koston e jetesës, të shkaktuara nga konflikti me Iranin.
