Katastrofa në Afganistan: Klinika me pesë shtretër trajton mbi 500 pacientë të plagosur nga tërmeti

TË FUNDIT

“Rreth 500 pacientë kanë ardhur në klinikë prej mëngjesit, 200 kanë vdekur” – thotë infermieri Muhammad Gul, anëtar stafi në klinikën Gyan, në lindje të Afganistanit.

Klinika ka vetëm pesë krevate, por pas tërmetit të së martës të gjitha burimet e saj të varfra janë bërë të papërdorshme.

“Të gjitha dhomat janë shkatërruar,” thotë Gul në një reportazh të BBC.

Ai shton se një helikopter ka dërguar një numër të vogël pacientësh nga provinca e largët  Paktika drejt qyteteve për trajtim, ndërsa dy doktorë mbeten në klinikën e hapur për të trajtuar njerëzit që nuk kanë ku tjetër të shkojnë.

Një gjenerator që furnizon me energji elektrike ka vetëm një depozitë të kufizuar karburanti dhe ndihma e premtuar nga provinca të tjera ende nuk është bërë realitet.

“Janë dhjetra njerëz që kanë nevojë për ndihmë mjekësore, shumë nuk do të mund t’i mbijetojnë natës”.

Tërmeti goditi zona të varfra kodrinore me ndërtesa të dobëta që nuk mund t’i rezistonin tronditjes.

Qindra shtëpi u shkatërruan dhe disa rrëshkitje dheu janë regjistruar.

Gyan është një prej zonave më të goditura dhe shumë njerëz besohet se janë ende të bllokuar nën rrënoja.