Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Nikolla Dimitrov në takimin “Ballkani i Hapur” në Beogard tha se gjithpërfshirja është e rëndësishme që nisma të mbetet e hapur për të gjitha vendet e rajonit. Ndër të tjera Dimitrovi shtoi se bashkëpunimi dhe integrimi rajonal i shërben qëllimit të integrimit evropian, transmeton TV21.
“Sa më shumë fitore që arrijmë së bashku aq më tërheqëse do të bëhet nisma për vendet e tjera të rajonit. Gjithpërfshirja është shumë e rëndësishme që nisma të mbetet e hapur për të gjitha vendet e rajonit. Dhe besoj se sa më të vendosur të jemi për të ecur përpara aq më tërheqëse do ta bëjë kjo nismën dhe në këtë mënyrë do të zgjedhim ato rezerva që mund të kenë vendet e tjera. Në dokumentet e miratuara në këtë takim jemi shprehur se bashkëpunimi rajonal nuk është alternativë karshi integrimit evropian. Bashkëpunimi dhe integrimi rajonal i shërben qëllimit të integrimit evropian. Por nuk do të ishte e arsyeshme për ne në qoftëse në kushtet kur ideja e integrimit evropian minohet ne të rrim në një anë dhe të mos bëjmë asgjë. Ne si vende duhet të veprojmë, duhet të bëjmë përpjekje dhe kjo do të na bëjë më bindës në sytë e BE-së”, deklaroi zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Nikolla Dimitrov.
