Diaspora në aksion, regjistrohen 99.409 mërgimtarë, disa ende kanë probleme

TË FUNDIT

Me pengesa të ndryshme po vazhdon regjistrimi i diasporës.. Por mërgimtarët nuk po dorëzohen. Vetëm në 24 orët e fundit janë regjistruar 11.504 mërgimtarë. Kështu numri i të vetëregjistruarve ka arritur në 99.409. Ndonëse deri tani kanë kaluar tre javë nga fillimi i regjistrimit të popullsisë që jetojnë jashtë RMV-së, disa nga qytetarët po ankohen se po kanë telashe me platformën për vetë-regjistrim.

“Disa herë kemi problem me regjistrimin, numrin amë dhe e-mail adresën. Herën e fundit kemi pasur problem me fenë dhe gjuhën që e flasim dhe gjithçka rikthehet prej fillimi. Unë kam edhe disa shokë dhe familjarë që kanë pasur dëshirë të regjistrohen por edhe ata kanë pasur disa probleme nga këto që i ceka. Pra prej fillimit rikthehet, ne e provojmë shumë herë, por nuk kemi gjasa që të inkuadrohemi dhe të japim detajet për të na e pranuar regjistrimin”, shpreher Muhamed Rexhepi i cili jeton në Gjermani.

Për t’i dalë në ndihmë personave që ndeshen me vështirësi gjatë regjistrimin janë paraqitur shumë vullnetarë, një ndër ta është edhe Kasami i cili jeton në Zvicër, e i cili thotë se ka ndihmuar rreth 1000 mërgimtarë për tu regjistruar.

“Janë rreth 500 raste që drejtpërdrejt aty dhe janë rreth 500 raste që nëpërmjet thirrjes telefonike apo formave tjera i kemi ndihmuar dhe i kemi udhëzuar për regjistrim. Gjithandej, jo vetëm në Zvicër, por në Austri, në Gjermani dhe gjithandej ku ka interesim”, u shpreh Kasam Selimi i cili jeton në Zvicër.

Përveç problemeve teknike, disa opsione ende nuk janë të përkthyera në shqip.

“Fushat e arsimit janë të papërkthyera. Aty ka një listë shumë e gjatë që shfaqet në ekran dhe ti duhet të kërkosh e të kërkosh që të zgjedhësh, se po ta kesh në gjuhën shqipe ndoshta do ti afrohesh duke e shkruar profesionin. Mirëpo është me shkrimin cirilik”, shton më tej Selimi.

Kasami thotë se shumë regjistrues sapo të marrin kodin për vetë-regjistrim në e-mail ku shkruan se regjistrimi është bërë me sukses, mendojnë se e kanë kryer detyrën e në fakt ai është vetëm hapi i parë që mundëson regjistrimin. Preferohet që mërgimtarët të regjistrohen nga kompjuteri sepse shumë telashe vijnë nga regjistrimi me telefon, shtoi ai.

Përndryshe diaspora ka të drejtë të regjistrohet deri më 21 prill, ndërkaq regjistrimi i qytetarëve rezident të Maqedonisë së Veriut nisë nga 1 prilli dhe zgjatë tre javë.

TË NGJAJSHME